Kur një fshat i vogël prodhon histori të madhe

Monografia “VERBANI (Fshati i boshatisur) VATËR E PATRIOTIZMIT”, e autorit prof.dr. Musa Limani është edhe një kushtrim, një alarm që e bën më koshient rolin e intelektualit në misionin e tij për të luftuar errësirën atëherë kur mungon drita, për të nxjerrë zë atëherë kur zhurmuesit e Beogradit bëhen altoparant të vërtetave të njëanshme dhe për të inkuarjuar rininë që në planet dhe projektet e tyre të ruajnë një kënd edhe për vendlindjet e të parëve të tyre

Nga Emin AZEMI

Edhe pse gati plotësisht i boshatisur, fshati Verban vazhdon të prodhojë histori, sepse historia e këtij fshati nuk është vetëm e kaluara e tij, por ajo lidhet me të sotmen dhe të ardhmen e tij, kurse e ardhmja nuk mund të jetë e sigurt nëse nuk ndriçohet (mësohet) historia.
Një vend mund të ketë të kaluar, por mund të mos ketë histori, sepse që të bëhet histori një vend, duhet të kalojë nëpër procese e zhvillime që feremtojnë vetëdijen kombëtare drejt një ndërgjegjësimi kolektiv për vetveten dhe të tjerët.
Verbani pati histori, prandaj edhe bëhet objekt studimi, siç është rasti me monografinë e prof.dr. Musa Limanit, i cili duke  paraqitur Verbanin në mikroplan gjeografik, historik, politik, ekonomik e social, në fakt ka detektuar një planimetri më të gjerë zhvillimesh kombëtare e shoqërore të shqiptarëve. Verbani përmes kësaj monografie na del si një shirit që lëviz nëpër kohë dhe sjell para nesh në miniaturë gjendjen e një popullate në faza të ndryshme të historisë, për të arritur në kohën e sotme ku autori me fakte e dëshmi argumenton se ky fshat, me dramën e vet të shpopullimit, është viktimë e drejtpërdrejt e politikave serbe të spastrimit etnik.
Thënë figurativisht, prof.Limani duke hedhur një guralec në ujë, ka shkaktuar rrathë koncentrik në një sipërfaqe më të gjerë ujore. Kështu ka ndodhur edhe me monografinël e tij. Duke trajtuar historinë e këtij fshati, ai ka prekur edhe nervaturën e një pjese të trungut tonë kombëtar, prandaj kjo është edhe arsyeja se pse këtë monografi nuk do të duhej ta vështrojmë në kontekstin e ngusht të analizës.   
Nesër kur do të bëhen studime më të thelluara, sigurisht do të merret si referencë bibliografike edhe kjo monografi, e cila duke e paraqitur tabllon historike, politike, gjeografike të një fshati, siç është Verbani, që është pak km. larg kufirit me Kosovën, do të plotësohet mozaiku më i gjerë i historiografisë sonë të munguar e të cunguar cila ende nuk ka arritur ta trajtojë integralisht plagën më të madhe të dy shekujve të fundit – spastrimin etnik të shqiptarëve nga trojet e tyre që nga Sanxhaku i Nishit e deri në fshatrat më jugore të Serbisë, përfshi edhe Verbanin, i cili edhe pse adminsitrativisht i takoi Serbisë, megjithatë gjatë gjithë shekujve frymoi shqip. Për rrjedhojë edhe këtë monografi duhet parë si një kapitull i studimeve shqiptare, për arsye se autori ka përdour një metodologji mjaft të avancuar shkencore-hulumtuese në kopsitjen e të gjitha dëshmive në formë dokumentash arkivore, kujtimesh, fotografish e gojëdhënash, të cilat e bëjnë këtë vepër të besushme për çdo vëzhgues të paanshëm.
Duke filluar që nga  pjesa e parë e monografisë që flet për pozitën gjeografike,  popullsinë dhe origjinën e fshatit Verban e deri te pjesët tjera që bëjnë fjalë për zanafillën dhe zhvillimin e arsimit në Verban, për lëvizjet e shqiptarëve për bashkim kombëtar dhe kontributin e verbansave në këtë lëvizje, si dhe për procesin dhe shkaqet e shpërnguljes së popullatës nga Verbani, e deri te pjesa e pestë dhe e fundit që përmbyllet me një pasqyë të verbanasve me arsim të lartë superior, shoqëruar me fotografi dhe biografi të shkurtëra, do të vërejmë se autori gjithë këtë material e ka mbështerur në burime dhe referenca të qëndrueshme dhe për këtë flet vet numri i fusnotave, që janë 117 sish dhe literatura prej 37 tituj veprash të shfrytëzuara. Autori që në parathënie ka paralajmëruar se “kjo monografi paraqet dokument në të cilin prezantohet e kaluara, rrjedhat dhe proceset ekonomiko-shoqërore të fshatit tonë… një dokument autokton të ngjarjeve historike të popullatës verbanase, që janë pjesë përbërëse të historisë sonë kombëtare”.
Kushdo që i lexon këto fjali të autorit, kurreshtja do t’i bëhet më e madhe për të mësuar se cila qenka e kaluara dhe gjeneza e këtij fshati, cilët qenkan ata burra që i kanë dhënë vulën e përjetësisë këtij fshati dhe në çfarë kontekstesh e rrethanash historike e sociale u zhvilluan ngjarjet që e bënë këtë fshat të jetë pjesë e kujtesës sonë kombëtare. Sepse, kujtesa e breznive që është shkri në formë të një dokumenti afatgjatë, e bënë këtë monografi të vlefshme për nga faktografia, ndonëse siç e thotë edhe autori “po të mos lëmë gjurmë me shkrim, fjalët e odave do të harrohen, dhe me këtë shlyhet edhe  kujtesa historike…”.
Pra, një kujtesë iu rreziston kohërave vetëm atëherë kur regjistrohet dhe hidhet në letër, atëherë kur merr formën e dokumentit. Sepse historia pa dokumente, tingëllon si përrallë. Ky është edhe një detyrim intelektual e patriotik ndaj të kaluarës sonë e cila fatkeqësisht, në periudha të caktuara kohore, vazhdon të mos dokumentohet, ose të trajtohet sipërfaqësisht. Që të mos ndodhë kjo, autori i kësaj monografie, një intelektual model i përmasave gjithkombëtare, prof.dr. Musa Limani, i shquar për angazhimin dhe kontributine tij në disa faza të zhvillimit tonë kombëtar, madje duke filluar qysh si nxënës i Shkollës ekonomike në Gjilan, teksa e pikturonte portretin e Gjergj Kastriotit Skenderbeut (1962), një ngjarje kjo që në vend se të vlerësohej dhe shpërblehej shkaktoi telashe të karakterit politk, e që rezultoi me përjashtimin e një pedagogu nga Shkolla. Trajektorja e angazhimit kombëtar të prof. Musa Limanit, siç mësojmë edhe nga kjo monografi, shkon duke u zgjatur që nga mosha e tij rinore, si student në Prishtinë, dhe më pastaj si profesor universitar, ku duhet veçuar një paraqitje dinjioze të tij në një tubim ademikësh serbë në Beograd në vitin 1986. Në këtë tubim prof. Musa, pas një referati shterrues, me titull : “Karakteristika e rënies së natalitetit në Kosovë”, ndër të tjera kishte  konstatuar se nataliteti i lartë në Kosovë dhe në viset e tjera ku jetojnë shqiptarët është pasojë, e jo shkak i moszhvillimit. Por ky elaborim shkencor aspak nuk iu kishte pëlqyer akademikëve serbë, madje ndonjëri prej tyre, siç ishte Mihajllo Markoviq, i cili ishte këshilltar i parë i Sllobodan Millosheviqit, u munduan me pseudoargumente t’i kundrvihen prof Musa Limanit në stilin : “Dëgjo ti, profesor Limani, deri kur ne të dëgjojmë ty, me këto teza marksiste rreth natalitetit. Ti nuk ke lidhje me marksizëm, e as me ecuritë demografike”. Por kjo fjali shantazhuese e Markoviqit nuk kishte mbetur pa përgjigje nga Prof. Musa Limani, i cili në mes të Beogradit kishte deklaruar: “Ju akademikët e Akademisë së Serbisë, nuk flisni as me argumente e as nuk keni qasje reale profesionale-shkencore, kur është fjala për ecuritë demografike në Kosovë dhe te shqiptarët. Andaj, thënë në mënyrën më të butë, ju akademikët e Akademisë së Serbisë, jeni shovinistë”. (serbisht: Prema, tome Vi, akademici iz Srpske Akademije, najblaže rečeno ste šovinisti).
Në fillim të viteve 90’ prof. Musa Limanin e shohim të angazhuar  në krah të Anton Çettës e veprimtarëve të tjerë, në aksionin gjithëkombëtar për pajtimin e gjaqeve, por edhe në kohët dramatike të rezistencës shqiptare në vitet 1999 – 2011, ku kontributin e profesorit e shohim në forma të ndryshme, duke mos harruar edhe sugjerimet e tija konkrete në përpilimin e tekstit të Marrëveshjes së Konçulit (në fillim të vitit 2001), ndërmjet përfaqësuesve të komunitetit shqiptar (shqiptarëve të Luginës së Preshevës) dhe përfaqësueseve të NATO-s, Kombeve të Bashkuara (KB), Organizatës Evropiane për Siguri dhe Bashkëpunim (OSBE) dhe palës serbe.   
Monografia që sot kemi në duar është ribotim i një varianti paraprak, që tani vjen me disa plotësime, siç e thotë edhe autori në parathënie,  sidomos në pjesën ku bëhet fjalë për prejardhjen e fshatit Verban, me ç’rast në formë gati reportereske jepet vizita  në fshatin Mertur i Gurit –Pukë, pasi që, sipas  gojëdhënave dhe argumenteve, fshati Verban i Bujanocit ka prejardhjen e vet pikërisht nga ky fshat. Në këtë rrugëtim bën pjesë edhe vizita në Lushnje në kërkim të rrënjëve gjenealogjike të fshatit Verban.
Ndër plotësimet tjera duhet veçuar edhe ato që përshihen në temën “E vërteta për Verbanin”, ku janë shtuar edhe argumente të reja, që nuk ishin në botimin e parë si dhe një spektër i gjerë i historisë së verbanasve, bashkë me një pjesë të konsiderueshme të figurave nga Lugina e Preshevës e më gjerë.
Për t’i kuptuar disa ngjarje e procese që kishin ndodhur në të kaluarën, sidomos ato para, gjatë dhe pas Luftës së Dytë Botërore, mjafton të lexohen me kujdes disa sekuenca në këtë monografi që përfshijnë edhe mjaft  elemente e të dhëna për disa fshatra e ngjarje të Luginës së Preshevës gjatë luftërave ballkanike, reformës agrare kolonizuese të Mbretërisë Serbo-Kroate-Sllovene (SKS), për shpërbërjen e etnitetit të pastër shqiptar të kësaj ane dhe sllavizmin e saj me vendosjen e elementit sllav, ekspeditat ndëshkuese të hordhive çetnike të veshur me uniformë partizane, presionet e natyrave të ndryshme politike  e ekonomike, deri te shpopullimi i kësaj zone, që ishte edhe qëllimi final i kolonizatorëve të vjetër dhe uzurpatorëve të rinj.
Të gjitha këto ngjarje e procese nuk lindnin vetetiu dhe të izoluara nga harta e zhvillimeve kombëtare, sidomos përpjekjet e vullnetarëve shqiptarë, përfshi edhe ata nga fshati Verban, për të mbrojtur vatrat stërgjyshore nga hordhitë çetnike gjatë LDB, pastaj përfshirja e tyre në lëvizjen kombëtare, lëvizjet kaçake të shqiptarëve si dhe grupet balliste të Verbanit, e deri te  NDSH si dhe organizatat tjera ilegale që si synim final kishin bashkimin e trojeve shqiptare dhe lirimi i tyre nga dominimi sllav.
Përmes kësaj monografie ne si lexues njihemi me një galeri personazhesh që kishin qenë bartës të rezistencës kombëtare në Karadak dhe në të dy anët e Moravës, siç ishin Ajet Rainca, Xheladin Kurablia, Hasan Remniku, si dhe verbanasit:  Vesel Hasani, Jonuz Limani, Riza Limani, Xhavit Beqiri etj.
Çdo emër fshati e ka edhe semantikën gjuhësore dhe për rrjedhojë, edhe toponimia i fshatit Verban, sipas autorit prof.dr. Musa Limani, i cili ka konsultuar disa burime shkencore, pa asnjë dyshim rrjedh nga fjala latine urbs, urbis, që do të thotë qytet. Këtë argumentn ai e mbështet me faktin se në Verban janë gjetur pjesë të kanalizimit, monedha të kohës dhe një qyp i madh, i cili sot zë vend në Muzeun e Vrajës. Duke zbërthyer semantikën e toponimit Verban, autori sqaron se u-ja ka kaluar në v, për ta dhënë formën vrbs. Meqenëse në shqip nuk është lehtë të shqiptohet një fjalë me katër bashkëtingëllore, është ndërfutur një e në mes të v-së dhe r-së për të dalë forma verb + prapashtesa – an për të përfunduar në Verban”. Për emrin Verban, autori ka konsultuar  mendimin shkencor të Emil Çeshkovit, “se ky emër i fshatit të sotëm Verban , fjala është për Verbanin e Vitisë, do të jetë përfituar nga emri latin urbs-urbis (urban), që do të thotë qytet”.
Po shkëpusim edhe një fragment interesant që hedh dritë mbi lashtësinë e fshatit Verban, e cila fatkeqësisht ka mbetur e pandirçuar nga arkeologët dhe historianët shqiptarë. Ky fakt ilustrohet edhe me argumentin që sjell autori, ku sipas tij, 
fshatarët, duke punuar tokën, afër shtëpive të fshatit kanë gjetur para të vjetra. Kështu, fshatari Vehbi Jahiu, kishte gjetur para të vjetra metali, por duke mos ditur rëndësinë e tyre historike i ka shitur. Po ashtu, Vehbiu në arat e Llugës (në afërsi të fshatit) e kishte gjetur një varrezë. Ai tregon se duke lëvruar arën kishte hasur një gur. Kur e shpalos gurin, vëren flokë të gjatë, që tregon se ishte varr femër. Sipas tij, kjo kufomë ishte e vendosur në mes dy gurëve të gdhendur si sënduk (djep), në mes të cilëve gjendej kufoma. Po ashtu, në këto ara janë gjetur disa kanale uji me gypa qeramike, si dhe janë disa varreza që kurrë askush nuk ka ditur të thotë se të kujt dhe që kur janë etj.
Për fat të keq asnjëherë nuk janë bërë hulumtime mbi këto eksponate të gjetura, sepse Serbisë nuk i ka konvenuar që të konstatojë se këto vendbanime janë të kohëve të vjetra ilire. Andaj, autori duke u bazuar në eksponatet e gjetura, i referohet me të drejtë Prof. Halim Halitit sipas të cilit Verbani si vendbanim është i banuar që nga koha e vjetër romake.
Pasi jep shpegime shterruese mbi toponominë e fshatit Verban, autori sjell edhe disa argumente gjuhësore mbi mikrotoponimet që i takojnë territorit të fshatit Verban e që janë vetëm në gjuhën shqipe, siç janë, bie fjala, : Përroni i Bishtit, Përroni i Verbanit, Arat e Llugës (Arat e Shpisë), Lugu i Mirë, Ara e Bishtit, Arat e Sukës, Ara e Çeshmës, Arat te Kodra e Çeshmës, Kodra e Kullës, Shullani, Rrezja e Verbanit, Hija, Rrezja e Çeshmës, Ara e Abazit, Lugu i Sharraxhive, Lugu i Mollës, Lugu i Jazbinave, Lugu i Blinave, Lugu i Bunarit, Lugu i Rakiteve, Udha e Sinanit, Udha e Shtegërisë, Udha e Shavarit, Veterniku, Lugu i Veternikut, Prishtipi, Kodra e Hisen Kukës, Lugu i Pemëve, Rrafshi i Livadheve, Lugu i Ndërmjem, Lugu i Epërm, Lugu i Hashanit (fierit), Kodra e Rrafshit, Qafa e Kadrisë, Suka e Garës etj.
Duke evidentuar këtë regjistër të gjatë mikrotoponimesh që kryekëput lidhen me semantikën gjuhësore të shqipes, autori konstaton në një stil paksa romantik se në Verban flasin shqip: arat, pyjet, livadhet, lumenjtë, rrugët, po edhe gurët, siç kemi toponimin “Guri i Bardhë”, që gjendej në krye të Shullanit dhe Staneve, tani, për fat të keq, i zhdukur.

Verbani tani është një fshat gati plotësisht i boshatisur dhe kjo monografi vjen si një testament që na e kujton lavdinë e dikurshme të këtij vendbanimi, por edhe vitalitetin kombëtar e intelektual  të njerëzve që dolën nga ky fshat. Në çdo periudhë kohore, Verbani pati njerëz që morën mbi supe përgjegjësi të caktuara, ashtu siç ndodhi edhe në kohët e mëvonshme kur nga ky fshat doli një plejadë e intelektualëve me përgatitje superior shkollore dhe me tituj shkencorë e akademikë. Pra, edhe pse i boshatisur si vendbanim, Verbani megjithatë vazhdon të jetë i mbushur shpirtërisht nga njerëzit që duan ta rikthejnë lavdinë e dikurshme të vendlindjes së tyre,  një indikacion ky që  mund të ndikojë në rivitalizimin e këtij fshati, duke iu kthyer atij në forma të ndryshme, ashtu siç ka ndodhur viteve të fundit. Nëse Serbia me politikat e veta destruktive arriti të aplikojë metoda të pastrimit etnik në hapësirat prej Toplice e deri në Preshevë,  brenda këtyre dyqind viteve,  kjo nuk është arsye që intelektualët shqiptar këtë ta konsiderojnë si akt të kryer, sepse argumentet janë në anën e tyre. Ato vetëm duhet përdorur dhe sistemtuar në formë dokumentesh, siç ka vepruar edhe prof.dr. Musa Limani me këtë monografi, e cila thënë figurativisht i ngjason një thesi të mbushur me rërë i vendosur si pritë që do të parandalonte vërshimet e politikave shpopulluese të Beeogradit. Uroj që shembullin e prof. Limanit do ta ndjekin edhe intelektualët tjerë nga Lugina e Preshevës, sidomos disa me tituj akademikësh që ndodhen në Prishtinë, sepse neglizhenca dhe pasiviteti i tyre ia shton orekset politikës serbe për një Bujanoc, Preshevë e Medvegjë pa shqiptarë. Pasiviteti dhe neglizhenca e tyre i jep shtytje edhe më të mëdha Beogradit për ta shndërruar këtë pjesë të populluar me shqiptarë në zona të shpopulluara, të cilat nesër do t’i mbajm vetëm si kujtim në fotografitë e zverdhura nga koha.
Prandaj monografia “V E R B A N I (Fshati i boshatisur) VATËR E PATRIOTIZMIT”, e autorit prof.dr. Musa Limani është edhe një kushtrim, një alarm që e bën më koshient rolin e intelektualit në misionin e tij për të luftuar errësirën atëherë kur mungon drita, për të nxjerrë zë atëherë kur zhurmuesit e Beogradit bëhen altoparant të vërtetave të njëanshme dhe për të inkuarjuar rininë që në planet dhe projektet e tyre të ruajnë një kënd edhe për vendlindjet e të parëve të tyre. 

ObserverKult

—————————

Lexo edhe:

LETËRSHKRIMI, SI PËRLIGJJE E NATYRSHME E MISIONIT TË SHENJTË TË NËNËS TEREZE