Kur Noli i ankohej Faik Konicës: Jetë koti, nuk ka vajza për qejf…

Fan Noli dhe Faik Konica

Studiuesi i njohur Agron Alibali ka bërë dy zbulime të bujshme për Faik Konicën.

I pari lidhet me gjetjen e 276 librave të bibliotekës personale. I dyti me gjetjen e arkivit të plotë të legatës shqiptare në Washington. Që të dyja të konsideroheshin të zhdukura që nga momenti që Konica ndërroi jetë më 15 dhjetor 1942.

Por ndërsa librat janë bërë pjesë tashmë e bibliotekës Kombëtare, arkivi i Legatës që ndodhet në Romë pret riatdhesimin pas procedurave.

Mbi bazën e një pune prej dy dekadash, Alibali tashmë të gjithë studimin e tij e ka përfshirë në një libër me titull “Faik Konica, dritëhijet e një diplomati”.

Kushdo që e njeh sado pak veprën e Konicës do të ketë menduar se pas disa studimeve që janë botuar për të, nuk mund të kishte më të reja për figurën e tij.

Por Alibali e ka përmbysur këtë supozim. Fakte të reja, dëshmi, dokumente, fotografi dhe natyrisht biblioteka dhe arkiva e Legatës janë baza e studimit të Alibalit. Ai sjell një Konicë në një dimension krej të panjohur.

I ftuar më herët në emisionit “Debati në Channel One” të gazetarit Roland Qafoku, Alibali bëri publike një pjesë të tyre.

Si arkivi i Legatës dhe biblioteka personale e Konicës kanë plotësuar njëra-tjetrën në studimin e Alibalit. Po si ra Alibali në gjurmë të bibliotekës?

Gjatë emisionit të gazetarit Qafoku ai tregoi se ndihmën kryesore për këtë e ka dhënë Pol Athanas. Ai eshte djali i biznesmenit shqiptaro-amerikan Antoni Athanas. Librat ndodheshin në ambjentet e shtëpisë së tyre në Boston.

“Pol u tregua shumë i gatshëm për të plotësuar amanetin e Konicës që biblioteka të bëhej pjesë e bibliotekës Kombëtare pas vdekjes së tij”, tha Alibali.

Kjo i ka shërbyer shumë Alibalit edhe në studimin e tij. Një vend të rëndësishëm zë i gjithë aktiviteteti i tij diplomatik e deri tek marrëdhëniet me armikun dhe mikun e tij Fan Noli. Alibali ka zbuluar edhe një letërkëmbim unikal mes tyre. Rrahen çështje dhe tema nga ato patriotike e deri te ankesa se “nuk po gjenin vajza për qejf” .

Arkivi i Legatës, një thesar

Por edhe më e vështirë ka qenë gjetja e arkivit të Legatës Shqiptare në Washington. Pas pushtimit të Shqipërisë nga Italia më 7 prill 1939 Legata u suprimua dhe askush nuk dinte se çfarë ishte bërë me arkivin. E vetmja e dhënë ishte një deklaratë e Kostë Çekrezit, historianit shqiptar-amerikan. Ai e akuzonte Konicën se këtë arkiv e kishte shitur te italianët. Studiuesi Alibali ka bashkëpunuar edhe me historianin e njohur Pëllumb Xhufi.

Alibali bën zbulimin e bujshëm. 6 dosje me dokumentet te Legatës shqiptare ndodhen në arkivin e shtetit në Romë. Sipas ligjeve ndërkombëtare këto dosjet janë pronë e shtetit shqiptar dhe duhet të kthehen në arkivat tonë.

“Mendoj se më keni ngatërruar me vëllanë tim. Në moshën 19-vjeçare, ai (Mehmeti) hyri në shërbimin diplomatik të ish-Perandorisë Turke, pjesë e të cilës ishte edhe Shqipëria. Më pas kaloi në shërbimin diplomatik të Shqipërisë dhe ka më shumë më te të drejtë të merret në konsideratë për tu anëtarësuar ai në Akademinë Diplomatike Ndërkombëtare”.
Faik Konica, 1930. SHBA.

“Është e vërtetë që Faik Konica përfaqëson një nga vendet më të panjohura në botë. Por ai është bërë njëri nga diplomatët më të shquar në Washington”.
Gazeta amerikane “Constitution Tribune”, 1933.

“I kam parë dy numrat e parë të Albanisë dhe mbaj mend këshillën që të dhashë në një nga letrat e mia: Kërko para vetëm për punë”.

faik...konica noli

“Këtu jeta është e padurueshme: Nuk ka as verë, as shokë e as vajza për qef. Anëtarët e Vatrës më janë qepur pas dhe duan të më zënë vendin. Me katandinë në vend të huaj, me vëllain e syrgjynuar në Kavallë, me nënë e kunatën dhe dy motrat vejusha, si dhe me një duzinë e gjysmë fëmijë në shtëpi, pa asnjë burrë për t’i mbrojtur, unë jam vërtetë shumë i mërzitur./ Fan Noli letër për Faik Konicën. Dhjetor 1915, SHBA.

“Është e vërtetë që Faik Konica përfaqëson një nga vendet më të panjohura në botë, por ai është bërë njëri nga diplomatët më të shquar në Washington”./ Gazeta amerikane “Constitution Tribune”, 1933, SHBA.

ObserverKult

———–

Lexo edhe:

“KU E LAM’ E KU NA MBETI, VAJ VATANI MJER MILETI”, NDRENIKA INTERPRETON NOLIN