Nga Nasho Jorgaqi
Nonda Bulkën përpara se ta takoja fizikisht, do ta njihja përmes veprës së tij. Isha adoleshent atëherë kur më ra në dorë libri “Kur qan e qesh bilbili”. Më pas lexova shkrime, që ai i nënshkruante me pseudonimin e çuditshëm “Chri-Chri”. Vonë, aty nga fillimi i viteve ‘50, kur isha student, e solli rasti që takova personalisht. Më ka mbetur në kujtesë dhe sot pamja e tij me trup mesatar, një kokë trekëndëshe, fytyrëthatë e ballëgjerë, me sy blu e leshra të verdha, me një vështrim të qeshur e plot mirësi. Ishte tepër i gjallë e gjithë temperament dhe kjo nuk mund të mos tërhiqte vëmendjen time, duke marrë parasysh moshën e tij, që për mendësinë e një të riu si une , atëherë më dukej i madh. Në këtë përshtypje ndikonte dhe fakti që ai i takonte shkrimtarëve të traditës, që kish nisur të botonte nga fundi i viteve 20 dhe kish qenë e ishte profesor i disa brezave. Mjegulla e moshës, sidoqoftë, do të davaritej shpejt, sepse, sa më shumë afrohesha e bisedoja me të, aq më i ri më dukej. Kështu ndodhi që me Nondën të afrohesha brenda një kohe të shkurtër.
Humori i Nondës mbante vulën e personalitetit të tij intelektual, të talentit letrar dhe të përvojës së pasur të jetës, larg çdo banaliteti dhe dashakeqësie. Ai kish një humor të lindur, pa të cilin nuk mund të merrej me mend e as mund të kuptohej Nonda. Dhe kjo ishte aq e vërtetë, sa kish një përputhje të çuditshme mes humorit bisedor në jetë dhe humorit letrar të shkrimeve. Në jetë ai ishte shpirti i shoqërisë, gjithnjë i qeshur e me gaz në buzë. Bënte shakara me fjalë të ëmbla e fjalë të tharta. Në letërsi, krijimet e tij kishin tharmin e humorit, masa e të cilit lëvizte nga ironia te sarkazma, mbushur plot kontraste e të papritura inteligjente e spontane e, mbi të gjitha, të guximshme. Të guximshme në shkrimet e paraçlirimit, kurse të përmbajtura e të matura në ato të pasluftës. Nonda ishte i ndërgjegjshëm për rreziqet që përmbante humori në kushtet e sistemit të ri, për “zararet”, siç thoshte ai, që mund të shkaktonte. E kish provuar në vitin 1937, kur për këtë shkak e kishin internuar në Gramsh tok me një grup revolucionarësh antizogistë, megjithëse vetë asnjëherë nuk e quante veten revolucionar. Nga kjo kohë tregonte edhe ndonjë episod për të qeshur si, bie fjala, kur ai me shokët e tij, për të mos i marrë vesh xhandarët, flisnin me njëri tjetrin italisht apo frëngjisht e ata të hutuar komentonin: “Allah, allah, kjo gjuha e shkollarëve kenka e randë, bre. Të vraka fort veshin”. Megjithëse pas lufte ai do të ishte një nga themeluesit e revistës satirike “Hosteni” dhe do të botonte herë pas here shkrime humoristike, prapë, me kalimin e viteve, nuk do të ishte aq aktiv në këtë fushë. Nuk do të botonte asnjë libër humoristik. Librat e tij në prozë e poezi do të trajtonin tema serioze shoqërore e politike, disi të distancuara nga humori. Pamfletisti dhe humoristi, që dikur kishte bërë aq emër, tani nuk do të ishte më protagonist. Nuk donte të luante më me zjarrin si njëherë. Kishte ardhur kohë tjetër, një kohë që nuk ishte e gjitha e tija, që mund dhe të të digjte, siç kish djegur disa nga miqtë e tij shkrimtarë, si Mitrush Kutelin, Nexhat Hakiun, Mustafa Grëblleshin, të cilët kishin provuar burgun dhe që Nonda e kish përjetuar keq. Kishte qenë kjo periudha e Koçi Xoxes, që do t’i persekutonte dhe nëpërkëmbte intelektualët e brezit të vjetër. Kur e kujtonte ndonjëherë këtë në muhabet e sipër, do të vrenjtej e do të thoshte: “Ajo kohë mos ardhtë kurrë”.
Nonda do t’u takonte intelektualëve të vjetër, që u integruan në shoqërinë e re shqiptare dhe do të ndërtonin me të raporte mirëkuptimi dhe dashamirësie, madje dhe entuziazmi, po të gjykoje nga shkrimet që botonte dhe nga trajtimi që iu bë. Për vite me radhë ai do të ishte mësues në shkollat e mesme e më vonë, për vite të tëra, pedagog i letërsisë në Shkollën e lartë të Partisë, për të mbyllur jetën si profesor i letërsisë frënge në Fakultetin e Gjuhëve të Huaj të Universitetit të Tiranës. Ky ishte Nonda publik, njeri serioz e korrekt, natyrë gazmore dhe me humor, intelektual që ish konformuar me politikën dhe ideologjinë e pushtetit popullor, i respektuar e i nderuar nga opinioni shoqëror dhe vetë Enver Hoxha. Me të e lidhte një miqësi e vjetër, por që nuk ishte përtërirë në kohët e reja. Në Shkollën e Lartë të Partisë ai u kish dhënë mësim nxënësve të rritur, kuadrove drejtuese të shtetit e të partisë, njerëz këta të pjekur nga jeta dhe politika, komunistë nga të gjitha fushat e krahinat. Merret me mend pozita e Nondës mes tyre, e megjithatë ai do t’u fitonte zemrat. Ata do të ndaheshin prej tij me mbresa dhe kujtime të paharruara. E quanin veten me fat që lëndën e letërsinë ua kish dhënë një pedagog me personalitet si ai, shkrimtar i njohur dhe mësues i lindur, që dinte ta organizonte orën e mësimit në mënyrë aq të kulturuar e të këndshme, larg çdo formalizmi skolastik, me një sens humori dhe qartësi e thjeshtësi të kapshme nga të gjithë. Unë që kisha pasur rast ta dëgjoja Nondën kur jepte mësim, isha mrekulluar. Ora e tij e mësimit ishte krejt e ndryshme nga ajo e zakonshme. Ai e personalizonte lëndën, thua se e interpretonte si një aktor i vërtetë. Gjithë çka do të shpjegonte, e kish bërë të vetën dhe shpjegimi i tij i kalonte auditorit përmes elokuencës dhe humorit sa harroje se ishe në shkollë. Kulmi arrinte me komentet letrare, nëpërmjet të cilave ai shpaloste kulturë, frymëzim dhe emocione, por fuste dhe intermexo humori, siç dinte vetëm ai t’i integronte në funksion të temës që trajtonte.
Miqësia ime me Nondën nuk do të vinte menjëherë. Pas njohjes dhe takimeve të para sporadike, ajo në fakt do të ngjizej nga një rrethanë, që unë do ta quaja fatlume. Ne do të kishim një mik të përbashkët dhe ky ishte Sterjo Spasse, miku i tij më i ngushtë. Do të qe shtëpia e Sterjos që do të na bashkonte herë pas here, ku unë shkoja shpesh dhe gjeja Nondën. Në të vërtetë, shtëpia e Steijos ishte si një “klub” i vogël, një mjedis ku flitej e bisedohej thuajse lirisht, në një atmosferë të përzemërt, larg politizimeve të kohës, në mënyrë si të thuash asnjanëse. I vetmi që mund “ta shkelte”, do të ishte Nonda, që bënte ndonjë shaka dhe për çëshqe delikate, duke shtuar në fund pyetjen “Mos e qelba?” Përgjigjja jonë do të ishte gjithmonë gazi dhe e qeshura. Në shtëpinë e Sterjos, ai ndjehej si në shtëpinë e tij dhe hynte e dilte në çdo kohë të ditës e të natës. Do ta quante “Hotel’Restorant Prespa”, sepse të gjithë bashkëfshatarët e të zotit të shtëpisë, sa herë vinin në Tiranë, strehoheshin aty, hanin, pinin dhe flinin. Dukej e pabesueshme, por kjo ishte aq e vërtetë sa Nonda thoshte: “Në këtë shtëpi pesë shule hyjnë dhe dhjetë dalin”. Bujaria e Sterjos në këto raste nuk kishte kufi dhe Nonda e çmonte fort, sepse askush prej nesh nuk tregohej mikpritës deri në atë masë. “Ore, – ia bënte Nonda, – ne jemi çapaçulë të mikpritjes para këtij shules së madh”. Sterjo vetëm buzëqeshte dhe nuk bënte asnjë koment.
Është pak të thuash që Nonda ishte shpirti i “shtëpisë-klub” të Sterjos. Sa herë që vinte ai, sillte gjallëri e gaz, hapte e mbante biseda nga më interesantet. Ç’ndodhte në Tiranë, por dhe më gjerë, ai ishte në korrent dhe për ato niste e kuvendonte lirshëm dhe tepër këndshëm. Jo më kot njëri nga shokët e quante “antenë” që kapte të rejat e ditës, gjithë ç’ngjanin në jetën shoqërore, po më shumë në atë letrare e kulturore. Sa për jetën politike jepte mendime e bënte komente në mënyrën e tij të veçantë, ku përzihej mrekullisht nënteksti e humori. Pra, bisedat e tij qenë të gjithanshme, aq sa, kur e pushtonte entuziazmi, pinte ndonjë gote raki, hidhej degë më degë dhe atëherë ndjeheshe me fat që gjendeshe në shoqëri me të. Kjo do të qe ana gazmore e natyrës së Nondës, por ai kish dhe anën serioze, ku shprehte mendime e gjykime për çështje të rëndësishme të fushave të ndryshme. Atëherë kishe përpara intelektualin e formuar e të pjekur, me një kulturë solide dhe informacion të pasur. Të bënte përshtypje mprehtësia dhe origjinaliteti i arsyetimeve, ndershmëria dhe toleranca, priija që kish për të bërë parashikime, prognoza për njerëz e ngjaqe. Në jetën e tij ai kish njohur personazhe të historisë e të kulturës shqiptare, të krahëve të kundërta, të së kaluarës dhe të kohës, për të cilat fliste me objektivitet dhe në mënyrë njerëzore, ndershmërisht, pa kurrfarë tendence, pavarësisht nga parapëlqimet vetjake. Edhe për figurat politike të djegura nuk dinte të shante e të bënte përgojime sipas avazit të kohës. Tregonte dhe për anët e tyre pozitive, i shkarkonte nga mëkatet, theksonte vlerat intelektuale ose njerëzore.
Vend të veçantë në bisedat e tij zinin opinionet dhe arsyetimet që bënte për Fan Nolin dhe Faik Konicën. I gjykonte në plane të ndryshme, si intelektualë e politikanë, por dhe si karaktere. E në këto raste kuptoje nivelin e Nondës, mendimin dhe kulturën, këndvështrimin e tij, të cilat i shprehte me një gjuhë lakonike dhe të saktë. Noli pa dyshim ishte për të ikona intelektuale, siç e konsidetonte, dhe i pari politikan që tentoi të sjellë demokracinë në Shqipëri. E quante mësues, kurse veten nxënës së tij në fushën e kulturës, por jo të politikës. “Kur nuk e ndriti ai në politikë, do ta ndrinte Nonda!”, thoshte. Dhe kur unë njëherë i thashë se në shkrimet e tij ndihej ndikimi i Nolit në gjuhë e në stil apo dhe në frymën demokratike, atij iu bë qejfi dhe shtoi: “E quaj për nder. Jemi të dy të opingës”. Kurse për Faikun tregohej kontradiktor. E çmonte për kulturën enciklopedike, erudicionin e pasur, për finesën dhe shpirtin kritik. Por nuk pajtohej me nihilizmin e tij, shpeshherë asgjësues ndaj kundërshtarëve. Ai nuk ia falte artikullin që kish shkruar për poezinë e Naimit, që e zhvleftësonte si artist dhe e quante vjershëtor të to to- ve e ta ta-ve. Dhe këto mendime do t’i shprehte në artikullin “Faik Konica kundër Naimit” që botoi më 1937, pikërisht në vitin jubilar të 25’vjetorit të Pavarësisë. “Kur e lexova, gati vura kujën, – kujtonte, – dhe pa e zgjatur u ula e shkrova përgjigjen, pa marrë parasysh autoritetin e tij olimpik. E meritonte, s’ke ç’thua. Të guxojë buni i botës t’i heqë kurorën poetit kombëtar! Këtë mund ta bënte vetëm një bej si ai. Nuk di se ç’i shkrepi, po dhe unë, edhe pse i ri dhe një gazetar province, ia shkrepa pa një pa dy. S’kam marrë lavdërime më të mëdha sesa kur u botua kundërkritika ime. Thashë, Nonda, je trim, se për të zot duhet të më gjykonin të tjerët, siç më gjykuan. E çuditshme ishte që ai nuk m’u përgjigj, siç e kish zakon të bënte me kundërshtarët. Më jepte të drejtë, thua? Një zot e di. Unë di që u ndesh Davidi me Goliathin. Dhe kjo ishte gjëja më e madhe!”
Me kohë do t’i kishim shtëpitë afër, gati përballë. Na ndante vetëm rruga e Durrësit dhë kjo na bënte të takoheshim ose të ndesheshim herë pas here. Lëviznim zakonisht me biçikleta. Ai nuk dinte të ndahej prej saj dhe më thoshtese pedalja ishte bërë gjymtyra e tij e tretë, bile ajo më e lëvizshmja. Dhe shtonte: “Dhe ti si unë. I bie cep më cep Tiranës. S’ka shok më besnik se ky kalë me dy këmbë. Na shërben në çdo kohë. Po ndonjëherë të lë dhe në baltë, shpohet goma a këputet zinxhiri dhe duhet t’i shërbesh ti. Po e ka hak, e meriton!”
Çdo takim me Nondën në rrugë nuk kalonte pa një fjalë të kripur dhe kjo vinte krejt natyrshëm. Ne do të takoheshim dhe në shtëpitë tona, ndonëse rrallë, por më shpesh në Klubin e shkrimtarëve, ku bisedonim shtruar. Njëherë u hap biseda për shkrimtarët e brezit të viteve 30, ku ai bënte pjesë dhe po i tregoja se për krijimtarinë e tij, unë mbaja një leksion të veçantë me studentët e Fakultetit. Ai do të më pyeste se sa interes tregonin studentët për veprat e tyre dhe a i çmonin. I tregoja se i pëlqenin, u dukeshin më të afërta e më bashkëkohore se letërsia tjetër dhe i përmendja Migjenin si shembullin më të mirë. Por ata nuk pëlqenin vetëm Migjenin, por dhe Nondën, nga i cili lexonin veprat e rekomanduara, si “Kur qante e qeshte bilbili” dhe “Maskat e çjerra”, për të cilat unë kisha shkruar dhe një artikull në gazetën “Drita”.
Nonda për të gjitha këto më dëgjonte jo pa emocion dhe i menduar më pyeste: “Vërtetë, thua, më lexojnë e më pëlqejnë? Mos më bëj qejfin, se nuk kam moshë për të më marrë me të mirë”. Unë i përgjigjesha sinqerisht, pa shtuar asgjë, i thosha të vërtetën dhe e i arsyetoja. E arsyetoja me argumentet e leksioneve që mbaja, por dhe me përshtypjet e studentëve. I thosha se proza e tij kish përngjasime tematike me atë të Migjenit, se ai dallohej për guxim e kurajë më të madhe dhe ishte më i drejtpërdrejtë, i godiste në shenjë dukuritë dhe personazhet negative të kohës, i tallte e i stigmatizonte me një satirë therëse. Frymën e mohimit dhe të demaskimit e kishte sigurisht edhe proza e Migjenit, por ajo, falë talentit të tij të madh, nga ana letrare paraqitej në një nivel më të lartë artistik. Në qoftë se Nonda anonte më shumë nga publicistika,
Migjeni të njëjtat tema i kthente në letërsi cilësore, krijonte tipa e karaktere, vizatonte mjedise, bënte përgjithësime e sinteza. Nonda ishte aq realist dhe modest, sa ta pranonte këtë dhe me humorin e tij thoshte: “Për gjithë sa thua, ke të drejtë. Dhe që ta dish se dhe mua s’më ka gënjyer mendja të barabitem me Migjenin. E vërtetë është, kam treguar guxim të madh dhe këtë e kuptoj më mirë tani
pas shumë vjetësh. Po do të thuash ti që dhe budallai ka guxim të madh (dhe ia shkrepte të qeshurit), po me ç’kam dëgjuar e lexuar, askush s’më ka quajtur budalla, as atëherë e aq më tepër tani. Ma jepte guximin mosha e akoma më shumë revolta ndaj padrejtësisë, hipokrizisë, gënjeshtrës, mjerimi i njerëzisë. Pastaj, mos harro, unë kisha kaluar nëpër shkollën e Volterit, po isha dhe nga Leusa, ku njerëzit e kanë gazin në buzë. Migjeni dukej tepër serioz, veç se në prozat e tij ka një satirë asgjësuese të një niveli të papërsëritshëm”.
Nonda e kishte peng që nuk kish pasur rast ta takonte asnjëherë, me gjithë dëshirën e madhe. Ai jetonte në Korçë e Migjeni në Shkodër dhe komunikonin në distancë duke lexuar shkrimet e njëri-tjetrit. Petro Marko e kish takuar, thoshte Nonda. Kish shkuar kastile në Shkodër ta takonte. ‘Duhet të ishe kokëkrisur si ai, që ta bëje, unë s’isha. Se ndryshe, – shtonte, – do të shkoja dhe unë në Spanjë. Petrua ishte bredharak i madh, kish shpirtin e aventurës, guxonte fort në jetë, unë guxoja nëpër shkrime. Nga një jetë e tillë e stuhishme lindën romanet e tij, kurse unë mbeta te skicat dhe pamfletet”.
Megjithatë, Migjeni, Nonda e Petrua do të ishin të një brezi e për më tepër të një ideali shoqëror dhe qenë për një letërsi të angazhuar, të një letërsie ndryshe, realiste, që të shpallte e të mbronte të vërtetën. Dhe, si ai, si Migjeni do ta bënin këtë në një tribunë të përbashkët, siç ishte revista “Bota e re”. Kredon e tij letrare Nonda do ta shprehte në artikullin “Horizonte te reja për letërsinë kombëtare”, me të cilin pastaj nisi një debat letrar në shtyp, por ai kish meritën që kish çelur shtegun i pari. Kur ia përmendje këtë fakt, atij i bëhej shumë qejfi. “Domethënë, – thoshte, – hapëm një rrugë të mbarë dhe, me sa thonë profesorët e letërsisë, e kaluam provimin e historisë me sukses. Ndryshe, ju nuk do të na falnit. Sepse ju brezi i sotëm nuk falët një Konicë apo një Fishtë e jo më ne që ishim të rinj atëherë”.
Nga sa kuptoja prej bisedave, po dhe nga ndonjë fjalë që hidhte, Nondës nuk i vinte aspak mirë që politika kishte futur hundët aq shumë në sferën e arteve, që kish vënë kufij, që ai dhe shokët e brezit të tij vërtetë ishin integruar plotësisht në shoqërinë e re shqiptare, por thellë nuk e pranonin komandimin dhe ishin për një liri të vërtetë krijuese.
Sigurisht Nondës i vinte mirë për trajtimin që i bëhej, që flitej pozitivisht për të kaluarën e tij letrare, që kish hyrë në historinë e letërsisë dhe programet e shkoUave tok me disa nga shokët e tij. Po s’kish si të mos i vinte keq që një prej tyre, Mitrush Kuteli, të cilin e çmonte shumë, kish mbetur jashtë dhe qe lënë në harresë.
Më kujtohet një udhëtim me tren që bëmë tok me Nondën, Sterjo Spassen e Aleks Çaçin. Shkonim në Durrës për takime letrare me rastin e muajit të letërsisë, që organizohej çdo vit. Ishim ulur në një vagon së bashku me dy të rinj të panjohur. Pasi u nisëm nga Tirana, Nonda filloi të bisedonte me ta dhe doli se qenë gjimnazistë. Pastaj e nxori fjalën te letërsia që bënin në shkollë. Po dhe në këtë rast ai s’mund të rrinte pa bërë ndonjë shaka. I pyeti: “Po një shkrimtar me emrin Steijo Spasse, e keni bërë në mësim?” “Po”, u përgjigjën ata. “”Kini lexuar ndonjë gjë?” Mbetën për një çast dhe njëri prej tyre u përgjigj: “Po, dhe kemi lexuar”. “Ju ka pëlqyer?” Ata pohuan me kokë. U bë një heshtje, që e theu prapë Nonda: “I kujt shekulli është ky shkrimtar?” Të dy të rinjtë panë njëri tjetrin në sy. “I shekullit 19”, tha njëri prej tyre. Ne mezi e mbajtëm habinë e gazin dhe vështruam nga Sterjo. “Nuk ua ka shpjeguar mirë ai profesori i letërsisë, – tha Nonda dhe duke u kthyer nga Sterjo, iu drejtua dy gjimnazistëve: “Ai shkrimtari që po bëjmë fjalë është ky që kini përpara. Këto ditë është ringjallur dhe vjen në Durrës me ne t’u flasë gjimnazistëve për letërsinë.” Plasi gazi dhe, ndërsa të rinjtë ulën kokën, Nonda u hodhi duart mbi supe dhe u kthye pastaj nga ne: “Kemi hyrë për së gjalli në histori dhe kjo s’është pak, paçka që këta të rinjtë ngatërrojnë shekujt.”
Diku në një stacion, gjimnazistët zbritën dhe ne mbetëm vetëm. Nonda sikur mori frymë lirisht dhe u kthye nga Aleksi, i cili nuk kish shumë kohë që ishte kthyer nga Kina, ku kish punuar disa vjet si korrespondent i “Zërit të popullit”. “Ore, Leksi – e pyeti, – pa na thuaj një çikë, ç’të reja kemi andej nga Çinimançini?” Aleksi, që njihej për një farë dogmatizmi pohtik, mori një pamje serioze per ta bërë më shumë serioze përgjigjen e pyetjes paksa qesëndisëse të Nondës dhe tha: “Nga Kina vetëm të reja mund të kesh. Vend i madh, popull i madh, parti e madhe. Në çdo gjë janë origjinalë dhe s’ke si të mos habitesh e të mos i admirosh. Ç’të them më parë…” “Thuaj ç’të duash, ia priti Nonda, – veç mos i zbukuro.” “Ja, bie fjala, – nisi të tregojë Aleksi, – atje socializmi ka arritur në një shkallë të tillë, që kontradiktat po shuhen dalëngadalë. Shokët kinezë më kanë treguar se tani, kur takohet shoku Mao me Çu En Lain apo me ndonjë nga bashkëpunëtorët e ngushtë, rrinë në heshtje, s’kanë ç’të diskutojnë, sepse kontradiktat janë kapërcyer, që do të thotë se uniteti ka arritur kulmin!” Ne vështruam njëri tjetrin në sy, jo pa njëfarë ironie, kurse Nonda tha: “Unë di që, sipas Marksit, kontradiktat shuhen vetëm në komunizëm… Çudi e madhe kjo që po na thua…” “Gjithë Kina është një çudi e madhe, – shpjegoi Aleksi, – ndaj çdo gjë mund të presësh…” “Lum si ti që i ke parë e dëgjuar me sytë e veshët e tu…, – tha Nonda, dhe për ta kapërcyer heshtjen që pasoi, e pyeti: “Po me shkrimtarët dhe artistët, ç’bëhet andej, se kjo na intereson?” “Edhe atyre ua kanë gjetur ilaçin Partia dhe shoku Mao… Se ç’është e vërteta, artistët janë gjithmonë problem. Nxjerrin telashe kotnasikoti. Ashtu të vetmuar, siç ua do puna, tek rrinë në shtëpi, fillojnë e mendojnë se ç’bëhet jashtë tyre, në shoqëri është fjala dhe u lindin mendime të mbrapshta ose tepër subjektive. Arsyetojnë: kjo shkon, kjo s’shkon, kjo është e mirë, kjo është e keqe … dhe iu mbushet koka me lakra. Partia dhe shoku Mao e studiuan si duhet këtë fenomen të rrezikshëm dhe morën një vendim origjinal. Lëshuan orientimin që artistët e të gjitha fushave të shkojnë herë pas here në gjirin e klasës punëtore dhe të fshatarësisë. Kur ika unë, ata i lashë nëpër fabrika e komuna, ku jo vetëm lidheshin me popuUin, por dhe frymëzoheshin dhe gjenin temat që lyp aktualiteti…” “Aman, – ngriti zërin Nonda, – vetëm këtu të mos vijë kjo eksperiencë se na fiku derën. Artistit i duhet vetmia, është brenda natyrës së punës, prandaj s’ke pse e nget, ndryshe e dëmton…” “Ore, – tha Aleksi, – po e vendosi Partia, fjala s’bëhet dysh… Duhen respektuar parimet… Jeta jonë s’ka si të jetë e ndarë nga jeta e popullit…” Steijo i ra me bërryl Nondës dhe ai heshti, ndërsa shtoi: “Ky tetori i siyjetshëm po bën si behar!” Kjo bisedë zhvillohej në fillim të viteve 60, kur miqësia jonë me Kinën akoma nuk kish njohur atë zhvillim që njohu disa vite më vonë. Ne vazhdonim pak a shumë me përvojën sovjetike. Kina na dukej tepër larg dhe jashtë natyrës e psikologjisë sonë. E, megjithatë, fjalët e Aleksit nuk na tingëlluan vetëm si kuriozitet. Ajo që po ndodhte atje, mund të eksperimentohej edhe tek ne një ditë. Këtë mendim si me të qeshur e hodhi Nonda, para se të zbrisnim nga treni në Durrës.
Dhe në fakt kështu do të ngjante 4-5 vjet më pas, kur shkrimtarëve dhe artistëve iu bë thirrje që të qarkullonin. Dhjetëra nga he u shpërndanë në gjithë vendin për t’u gjendur në “gjirin e popullit”. Në fakt, u përjetua keq. Asnjëherë nuk qemë ndjerë aq të pasigurt e të nëpërkëmbur sa në ato vite plot telashe. Nondën nuk e nganë, me sa duket për arsye moshe, por prapë nuk i dihej. Një ditë më tha: “Unë do të shkoj, në qoftë se shkon kryetari.” E kish fjalën për Dhimitër Shfteriqin, kryetarin e Lidhjes, të cilin dhe atë nuk e kursyen.
Në kujtimet e mia për Nondën nuk mund të mos përmend pasionin e tij për librat. Ishte një lexues i “çmendur”, gjithnjë i etur dhe kureshtar, gjuetar hbrash me vlerë. Nuk e kuptonte dot jetën pa to, aq sa thoshte se “pa libra bota do të ishte si në gropë”, dhe shtonte se “gjithsesi, njerëzimi do ta gjente ilaçin sikur të mos ekzistonte libri”.
Vetë ai nuk kish ndonjë bibliotekë kushedi se çfarë. Zakonisht shfrytëzonte bibliotekat publike dhe ato të miqve. Kishte një nuhatje të çuditshme për librat që ishin në qarkullim, për të rejat nga fusha e botimeve në botë e sidomos në Francë. Dhe kjo e bënte të krijonte lidhje me miq e të njohur, prej të cilëve merrte e shkëmbente hbra. Pasioni i tij i fshehtë ishin librat e ndaluar, i gjuante kudo që të ishin. Dhe këto i jepnin një gëzim të veçantë, që në këto raste ia lexoja në fytyrë. Ia dalloja këtë gaz dhe i thosha: “Kush e di çfarë libri ke gjetur!” kurse ai ma priste: “Ku e di ti?” dhe unë i përgjigjesha: “Të tradhton fytyra”. Qeshnim dhe pastaj ai niste e tregonte.
Librat e ndaluar apo në përgjithësi literaturën e ndaluar e siguronte nga burime të ndryshme. Për një kohë të gjatë shumicën e tyre do t’i merrte në Bibliotekën e Universitetit, ku ishte drejtor Mihal Hanxhari, një nga intelektualët liberalë të kohës, erudit dhe njohës i hollë i arteve, me talente të fshehura, shkrimtar dhe piktor që krijonte, por veprat nuk i bëri publike asnjëherë sa qe gjallë. Ato u bënë të njohura dhe u çmuan lart nga opinioni dhe kritika vetëm pas vdekjes. E pra, ky njeri, që me kulturën dhe interesat e tij të gjera dinte se ç’bëhej në botë, porosiste vepra dhe literature shumë të çmuar dhe kish krijuar një fond të posaçëm, të cilin e administronte vetë. Këto hbra, revista e gazeta të sjella nga vendet perëndimore, Mihali i vinte në dispozicion të intelektualëve të kryeqytetit. Ishte ky një guxim fisnik nga ana e tij, prej të cilit më vonë do ta pësonte keq. Nonda do të ishte një nga lexuesit e rrethit të ngushtë të Mihalit, që do të merrte rregullisht hbra dhe revista, të cilat jo vetëm që i jepnin një kënaqësi të madhe intelektuale, por dhe i shuanin kureshtjen. Ishte kjo një dritare nga e cila ai vështronte botën dhe për këtë e quante veten me fat. Mbaj mend që, falë bujarisë së Mihalit, do të siguronte Kujtimet e Çurçillit, ato të De Golit, të Svjetllanës, bijës së Stalinit, romanin “Doktor Zhivago” e shumë vepra të tjera.
Një burim konfidencial librash do të ishte dhe miku i tij i yjetër Behar Shtylla, ish-Ministër i Punëve të Jashtme, që pozita ia lejonte të sillte literature nga Perëndimi. Prej tij Nonda do të merrte herë pas here hbra dhe do t’i lexonin tok me Steijon, por, për ta ruajtur mikun, tregoheshin të fshehtë. Veç nganjëherë u shpëtonte ndonjë fjalë.
Në Bibhotekën Kombëtare vinte nga Franca edhe gazeta letrare “Les Lettres Française” të cilën Nonda e lexonte rregullisht. Ajo here pas here nxirrte dhe një suplement letraro’mjekësor, ku botonte artikuj investigues dhe materiale arkivore për problemet shëndetësore të shkrimtarëve të mëdhenj të shekullit XIX. Ato qenë mjaft interesante, me të dhëna e hollësi, që zbulonin jetën e tyre tepër intime. Kështu, Nonda do të më tregonte dhe komentonte suplementin special kushtuar problemeve shëndetësore të kritikut të madh francez Sen Bevi, ku dokumentohej se ai vuante nga ekzema e organeve gjenitale. Gratë e salloneve të Parisit, që linin mendjen pas inteligjencës dhe mendjes së tij të mprehtë, nuk e dinin këtë gjë. E vetmja që ishte në dijeni, qe Adela, gruaja e V. Hugoit dhe dashnoija e kritikut të madh. Komentet e Nondës do të bëheshin në mes habisë e humorit dhe veç ta dëgjoje kur fliste. Aq shumë i jepte kënaqësi shtypi i huaj, sa në një moment entuziazmi më pyeti: “Ore, ç’të keqe do të kishte që disa nga gazetat dhe revistat e huaja letrare’kulturore të shiteshin te “Libri ndërkombëtar?” Unë i buzëqesha dhe s’fola. Ai u përgjigj për vete: “Rri, o Nonda, mos Hap kot. Ku i di ti punët e ngatërruara të politikës!” dhe nuk vazhdoi më tej. Në këto raste thoshte: “Mos e teprova?” ose “Mos e qelba?” Në tonin e zërit të tij ndjehej keqardhja, druajtja e pasiguria, por dhe një pakënaqësi e mllef i brendshëm.
Kosova do të ishte nga dashuritë e tij të mëdha. Thoshte: “Gjysma e trupit na ka mbetur jashtë,” ndaj dhe tregonte një interesim e vëmendje të posaçme. Donte të dinte çdo gjë që ndodhte andej, veçanërisht për kulturën dhe letërsinë. Burim informacioni për të u bë riatdhesimi nga Kosova në Shqipëri i Zeqirja Rexhës, shokut të Liceut të Korçës. Ardhja e tij e gëzoi pamasë. Zeqirjai ishte burrë patriot dhe njeri fisnik. Ai do të përkthente dhe botonte “Zonjën Bovari” të Floberit dhe Nonda, si frankofon që ishte, do ta shijonte e lavdëronte përkthimin, ndonëse ishte shqipëruar në gegërisht.
Prej Zeqirjait Nonda do të lexonte librat e parë që botoheshin në Kosovë. Më pas, kur filluam të shkojmë ne pedagogët e Universitetit për të dhënë leksione e do të sillnim libra, unë do t’i jepja herë pas here, bile dhe ndonjë gazetë letrare. I bëhej shumë qejfi që më në fund ishte hapur rruga e komunikimit, po akoma më tepër gëzohej që atje ishte krijuar inteligjencia kosovare, që krijonte vepra me vlerë dhe prodhonte kulturë të vërtetë. Ëndrra e tij ishte të shkelte një ditë atje, por nuk e arriti. Në fillim të viteve 70 Nonda u nda nga jeta./ ObserverKult