Fjala teatër ka kuptimin e fjalës “shikim” – vend ku shikohet se si zhvillohet veprimi, pra, drama, dhe jo ku ushtrohet veprimi përmes lëvizjes fizike, si forcë. Teatri është hapësirë mikrokozmike ku si “satelitë” gravitojnë arte të ndryshëm që janë pjesë përbërëse të shpirtërores, të kulturës së një etnikumi.
Nga Shkëlzen Halimi
Prandaj, popujt e botës së civilizuar, me asnjë institucion kulturor nuk krenohen më shumë sesa me Teatrin, ku në kuadër të një shfaqje është i domosdoshëm gërshetimi i artit letrar, muzikor, skenik, i konstumografisë dhe arti i aktrimit, të cilët mbindërtojnë konceptin regjisorial si krijimtari e art më vete.
Në botë sot kemi shoqëri të cilëve teatri u është bërë si frymëmarrje, prandaj janë themelues të dhjetëra e qindra teatrove privatë. Shteti, për hir të peshës dhe rëndësisë të pakontstueshme që e ka teatri si institucion nacional, i mbanë dhe i subvencionon një-dy-tri teatro, funksionojnë edhe teatrot lokalë, por më të vizituar janë teatrot që tashmë kanë krijuar komunitetet e veta (publikun), prej të cilëve vetëmbahen, vetëruhen dhe përkrahen duke rendur pas epitetit “më i miri nga më të mirët”! Vetëm në Qytetin e Parisit funksionojnë mbi 300 teatro privatë, të cilët zhvillojnë politika të pavarura që mëtojnë përthithjen e shikueshmërisë, krijimin dhe shtimin e publiku.
Edhe ne, shqiptarët e Maqedonisë, tashmë kemi një Institucion Nacional, një Teatër Kombëtar në Shkup, një tjetër pa objekt adekuat, në Tetovë, së fundmi edhe një në Gostivar, si dhe disa njësi teatrale nëpër shtëpitë kulturore në disa qendra.
Politikat e pushtetit ndaj Teatrit si institucion nacional
Në Teatrin e Shkupit që dikur njihej si “Teatri i nacionaliteteve”, kanë defiluar një plejadë e tërë aktorësh shqiptarë që vërtet na kanë bërë krenar. Në skenën e këtij Teatri kanë luajtur aktorë të mëdhenj, të krahasueshëm me aktorë skenik ndërkombëtarë. Një popull me taban kulturor e shpirtëror gjithnjë synon të ketë institucione nacionale, sepse ato janë vula të kulturës etnike, janë shkallë për ngjitjen në sheshet e garave kulturore për të dëshmuar përkushtimin, nivelin kulturor dhe përkujdesin nacional politik për vlerat e mirëfillta dhe profesionale të Kombit.
Sot, Teatri i Shkupit ka disa vite që fare pak punon, për shkak të rekonstruimit që po i bëhet! Komuniteti artistik i Teatrit është tërhequr në një qendër tjetër, me një shkëputje gati totale të komunikimit me publikun shqiptar! Fjala teatër do me thënë “shikim”! Nëse ngelë pa shikueshmëri, pa publik, atëherë ai ka dështuar!
Gjurmimet arkeologjike nëpër vendbanimet iliro-shqiptare kanë zbuluar Teatro antikë, të cilat, për kohën tonë, edhe më tej mbeten si “fenomene mitike”! Për shembull, Teatri antik i Bylisit ka kapacitet për mbi 7500 shikues! Shfaqjet që janë luajtur në këtë Teatër janë ndjekur prej një publiku me mbi 7 mijë shikuesish?! Është urdhër perandorak që tërë vendbanimi të zbresë në shkallët e Teatrit apo kjo dëshmon për një traditë të hershme dhe për një adhurim kulturor që kanë pasur ndaj Teatrit! Ka qenë megalomani e perandorëve apo nevojë e domosdoshme e ndërtimit të Teatrove të tilla me përmasa epike!
Natyrisht, as që mund të krahason shfaqet dhe nevojat financiare për shfaqjet e sotshme me ato antiket! Sot shfaqjet janë shumë të kushtueshme. Pa dyshim, kushtueshmëria po diktohet nga politikat naive për kulturë, si të subjekteve politike ashtu edhe të të deleguarve të tyre nëpër qendra kulturore. Sot nuk kemi gara kulturore, sot kemi gara partiake se kush po ndanë më shumë financa për kulturë nacionale. Në rastin konkret, kuadrot partiake po dëshmohen “të suksesshëm” varësisht nga afiniteti i tyre politik dhe nga afërsia partiake për t’i bindur për subvencione shtetërore për sa më shumë premiera!
Sukseset dhe dështimet e një teatri
Në botë sukseset e një teatri maten me numrin e ripërsëritjes së një shfaqje (reprizimit), si dhe me numrin e publikut që i përcjell ato repriza. Premiera është shfaqje për kritikën teatrale, për gazetarët, për një elitë kulturo-politike, e cila do të informohet se me çfarë shfaqje do të prezantohet në një kompeticion ndërkombëtar Teatri Nacional. Ky është synimi i premierave dhe jo për t’u shfaqur para një publiku të ngushtë, gjithnjë para të njëjtit publik, i cili përpiqet të vetëkënaqet për kontributin që e paskësh dhënë në një aktivitet kulturor.
Ka teatro shekullore në botë që e shfaqin gjithnjë vetëm një pjesë teatrale, madje çdo natë, vetëm një dramaturg, madje vetëm dramaturgët nacionalë. Të mos flasim për teatrot që në mënyrë konservatore mundohen t’i përkushtohen vetëm rrymave përkatëse teatrale. Pra, në të tilla teatro nuk shfaqen premiera!
Në Teatrin Nacional të Shkupit (fatkeqësisht edhe në teatrot e tjera shqiptare) suksesi i politikave drejtuese, i menaxhimit, varet nga sasia e premierave. Të gjithë insistojnë që mos të ngelin nën 5-6 shfaqje-premierë. Nëse llogarisim se një shfaqe për të dalë në skenë i duhen minimum dy muaj, atëherë, i bie që, sapo të përfundojë shfaqja premierë, të nesërmen, menjëherë aktorët duhet t’i rreken punës për premierën e ardhshme, me qëllim që ta mbyllin vitin si të suksesshëm!
Me këtë politikë mbytet aktori, me këtë politikë vritet regjisori, me këtë politikë rrudhet “memoria teatrale” e Institucionit si dhe e publikut, me këtë politikë i gëzohemi vetëm “publikut elitar” prej nja 100-200 vetëve. Me këtë politikë nuk arrihet të seleksionohet aktori i mirë, as regjisori, as kostumografi, as punëtorët e skenës, as kompozitori, asgjë! Hapësira e gardërobës dhe e elementeve të mizanskenës ngushtohet, rrudhet, kalbet në mungesë të frymës dhe dritës. Ç’kemi bërë pra me këtë numër premierash që politikisht përkthehen si “përkushtim ndaj kulturës kombëtare”, në ndërkohë që po ngulfasim arte të tjera nga kompleksiteti artistik i Teatrit! Arkivi është problem më vete! Teatroteka është “veprimtari abstrakte” për teatrot tona.
Ana tjetër e medaljes
Ndjekja e politikës së ripërsëritjes së shfaqjeve do të mundësonte që të kemi shfaqje të çdonatshme, të krijohet publiku, të jenë aktivë të gjithë aktorët që marrin pjesë nëpër shfaqje të ndryshme, të jetojnë më gjatë në skenë shfaqjet që janë vepra të regjisorëve të ndryshëm kombëtar, që janë vepra të dramaturgëve kombëtarë, të krijohen opinionet për secilën shfaqje, të dihet se kush është aktori kombëtar, kush është regjisori kombëtar, kush është dramaturgu kombëtar…Pra, duhet të ndiqen politikat e ripërsëritjes së shfaqjeve dhe angazhimi subvencionues duhet të jetë në këtë drejtim dhe, jo në sigurim të mjeteve për premiera të cilat po e tkurrin Teatrin në etiketë të sukseseve partiake! Premierat po i absorbojnë dhe po i amortizojnë aktorët kryesorë, të tjerët, “më pak të rëndësishmit”, po margjinalizohen e po fishken në pritje të ndonjë regjisori të mëshirueshëm! Aktorët linden, rriten dhe bëhen për skenë e jo për matje të korridoreve të teatrit.
Një teatër i cili nuk arrin që të paktën brenda javës të luajë një shfaqe, ka dështuar në misionin e vet, ka humbur rëndësinë e vet historike si institucion kulturor, ka ngacmuar mallkimin e rëndë të Talias…/ ObserverKult