Kur xhelozia “të detyron” ta ndjekësh dashurinë…

agim baçi: dashurisë
Agim Baçi

(Shënime për romanin “Me syrin e një klouni” të Hanjrih Bël)

Nga Agim Baçi

Mund ta shohësh dashurinë nga shumë “dritare” shpirtërore. Por padyshim ta ndjekësh përmes xhelozisë është ndoshta misioni më i vështirë, pasi është vështrimi ndaj gjërave që i ndjekim përmes hapave jo kur jemi duke u afruar, por duke u larguar nga dikush. Është ai momenti kur e dimë se nuk jemi në ëndërr, por shpresojmë ende. Këtë e sjell Henjrih Bël përmes “syrit” të Klounit, duke na dhënë tingullin e fortë të një rrëzimi nga braktisja e dashurisë.

Hansi, personazhi me profesion kloun, por i mbetur me kokën nga Maria, e dashura e tij për pesë vite, e ka të vështirë të besojë se po e humb atë. Si për ironi, është pikërisht një mik i përbashkët, Zyphneri – një person që kurrë nuk e ka honepsur, që ai nuk e ka parë si interesant-, por që po i rrëmben pikërisht atë që ai e ka dashur aq shumë.

Hansi, është një njeri që nuk i pëlqen formalitetet. Sapo ka mbaruar Lufta e Dytë botërore dhe ai është kundër hipokrizisë së të afërmeve të tij me atë që ka ndodhur në çmendurinë naziste. Nuk dëshiron as të drejtohet nga ata që besojnë e që të dielave lënë takimin në Kishë.

Ka braktisur njerëzit e pasur të familjes dhe është bashkuar me Marian që vjen nga një familje jo e pasur. Por protesta e tij, kundërshtimi ndaj gjithçkaje të gënjeshtërt, e ka bërë Marian që të mos ketë shumë fuqi që ta ndjekë.

Këtu nis drama e cila më pas është e gjitha për vështrimin nga errësira, nga atje ku nuk kemi shumë dritë e ku pak e nga pak nis vetëm të mbetemi përballë mendimeve, përballë hijeve.

Por kur mund të dorëzohemi dhe të kuptojmë se nuk ka më asnjë shpresë ta kemi sërish dashurinë tonë? Hansi beson se do të ndjehet i tradhëtuar përfundimisht kur ajo do të bëjë të njëjtat veprime siç bënte kur ishte e dashuruar me të.

Sidomos po të prekë hundën kur flet më të – një veprim që dukej si të ishte fjalëkalimi i historisë së tyre.

Është ndoshta nga ato çastet e qarta kur kuptojmë se e kemi humbur tërësisht tjetrin,- pikërisht atëherë kur nis të lëvizësh me gjestet që kanë qenë domethënie dashurie, siç mund të jetë prekja e hundës, lëvizja e shpejtë e qerpikëve, prekja e qafës, të shkuarit në të njëtat vende.

Janë lexime për së prapthi të atyre veprimeve që janë pjesë e dashurisë, por që fatkeqësisht i lexojmë kaq qartë kur jemi duke humbur, kur ka rënë nata në pjesën tonë dhe kur takat kanë “thembrat” nga ne dhe “majat” në drejtimin tjetër.  

Shumë dashuri mund të kenë kaluar prova nga një kurth i tillë me një trekëndësh gjestesh që nënkuptojnë humbjen e tjetrit.

Por Bël vjen dhe hedh në telajon e ndjesive pikërisht atë pjesë të rëndësishme që nga shumë njerëz nuk arrin do të artikulohet, edhe pse u ndodh. Nuk ka të bëjë as me gjendjen ekonomike, as me kulturën, as me gjuhën.

Është thjesht një gjuhë njerëzore që i përket njeriut kudoqoftë ai, pa përcaktuar as vendin, madje as moshën. Është thjesht një poezi e trishtë për dashurinë, por e nga ato përshkrime kur nisin të shkëputen edhe “vidat” më të fundit, që janë gjestet që lidhnin më parë një dashuri.

I ardhur në shqip përmes një përkthimi mjeshtëror të Ardian Klosit dhe i ribotuar nga “Dudaj” me çdo pjesë të censuruar në periudhën e diktaturës, romani “Me syrin e një klouni” është një guidë e rrugës që duhet të bëjmë çmos ta shmangim, ose që më së paku, të arrijmë “ta lexojmë” përpara se të na e sjellë fati e ta shohim se si po na çmontohet nga dikush tjetër.

* Titulli i origjinalit: “Të shohësh dashurinë nga xhelozia!”

ObserverKult

———–

agim baçi

Lexo edhe:

AGIM BAÇI: PREMTIMI I VETËM MBETET ….DASHURIA

(Shënime për romanin “Rrethimi” të Tom Kukës)

Nga Agim Baçi

Cilit rrethim duhet t’i druhemi më shumë-atij nga armiku, atij nga hasmi, atij nga varfëria apo atij nga dashuria?

Tom Kuka këtë herë është “i zhvendosur” në Shkodër në rrëfimin ku shumëçka është nën rrethim, por jo edhe për rrahjet e duhura të zemrës.

Kolë Laca dhe Trina janë dy shinat ku rrëfimi nis të udhëtojë, duke kaluar herë në trokitjen e armikut që kërkon të rrëmbejë Shkodrën, në atë rrethim të vitit 1912, herë nga hasmi që kërkon të mbahet premtimi, herë nga varfëria që mban shumë koka ulur, e nga pikëpyetjet e pandalshme të zemrës.

Tekstin e plotë mund ta lexoni KËTU:

ObserverKult