Për botën e shqetësuar nga përhapja e virusit, si dhe domosdoshmërinë e përgjegjësisë së shtetit ka folur filozofi më i madh gjerman, Jürgen Habermas.
Jürgen Habermas, i lindur më 18 qershor 1929 në Düsseldorf, i rritur në Gummersbach, ka ligjëruar në Universitetin e Frankfurtit dhe jeton në Starnberg të Bavarisë. Në një intervistë me gazetën “Frankfurter Rundschau”, Habermas ka folur edhe mbi krizën e koronavirusit. Mes të tjerash, po sjellim disa pikëpamje të filozofit 90-vjeçar.
Si e përjeton filozofi personalisht, krizën e koronës?
Habermas: “Mund të them vetëm, çfarë më vjen ndër mend këto ditë. Siç dihet, shoqëritë tona komplekse vazhdimisht përballen me pasiguri të mëdha, por ato shfaqen në nivel lokal, jo njëkohësisht dhe pak a shumë, trajtohen padukshëm nga ekspertët kompetentë në njërin apo tjetrin sistem të pjesshëm të shoqërisë. Nga ana tjetër, tani po përhapet në nivel global dhe njëkohësisht, një pasiguri ekzistenciale dhe kjo po ndodh edhe në kokat e njerëzve të ndërlidhur përmes medieve”.
Pasojat e paparashikueshme
Habermas thotë, se çdo individ po informohet mbi rreziqet e pandemisë, duke u këshilluar që të vetizolohet, sepse vetizolimi është mundësia e vetme thelbësore përballë sistemeve shëndetësore të mbingarkuara. Pasiguria, sipas Habermasit, buron jo vetëm sa i përket ballafaqimit me rreziqet epidemike, por edhe nga pasojat e paparashikueshme ekonomike dhe sociale. Andaj, sipas tij, për dallim nga virusi, lidhur me pasojat ekonomike dhe sociale, nuk ka ekspert që mund të bëjë vlerësim të sigurt. Rrjedhimisht, ekspertët e ekonomisë dhe ata të çështjeve sociale do të duhej të jenë të rezervuar me parashikime të pakujdesshme. “Një gjë mund të thuhet: Kurrë nuk ka pasur më shumë dituri për paditurinë tonë”, – tha Habermas.
Për të shpëtuar çdo jetë
Jürgen Habermas mendon se, në disa shtete po shihen politikanë që po kanë vështirësi në aplikimin e një strategjie, që nga ana se saj i jep përparësi absolute shpëtimit të çdo jete njeriu, sepse në përllogaritjet utilitariste po merren me pasojat e padëshirueshme ekonomike. Po qe se shteti e lë epideminë të shtrihet pa pengesë, në mënyrë që, sa më shpejt të arrihet imuniteti i mbarë popullsisë, atëherë ai merr mbi vete rrezikun e shmangshëm të kolapsimit të parashikueshëm të sistemit shëndetësor dhe vdekjen e një pjese të madhe të njerëzve./konica