Nga Edison Ypi
Kurrë nuk i kuptova. Kurrë nuk i durova. Kurrë nuk i mora seriozisht. Kurrë madje nuk më është dukur se kanë ekzistuar. Kurrë nuk na rrahu e njëjta erë. Kurrë nuk na lagu i njëjti shi. Kurrë nuk na terri e njëjta natë. Kurrë nuk na zbardhi e njëjta ditë. Kurrë nuk na ngrohu i njëjti diell. Kurrë nuk na zbehu e njëjta hënë.
Kurrë nuk flisnin, vetëm pëshpërisnin. Kurrë nuk bisedonin, vetëm brohorisnin. Kurrë nuk punonin, vetëm llapnin. Kurrë nuk hanin, vetëm lëpinin. Kurrë nuk ecnin, vetëm zvarriteshin. Kurrë nuk ndala së ëndërruari si të arratisesha. Kurrë nuk i ndava sytë nga gjallesat dhe mjetet fluturuese dhe lundruese, zogjtë, aeroplanat, harabelat, anijet, gomonet, peshqit.
Kurrë nuk më kuptuan. Kurrë nuk u dhashë rast të më njihnin. Kurrë nuk u ula në bankën e parë në shkollë. Kurrë nuk fola me mësuesit dhe pedagogët. Kurrë nuk më shpëtoi soc-autor dhe soc-libër pa e tallur.
Kurrë nuk fola në ndonjë mbledhje kolektivi. Kurrë nuk vajta në aksion rinie. Kurrë nuk vajta në Teatrin Popullor. Kurrë nuk pashë, dhe ende nuk kam parë, dhe kurrë nuk do shoh, një film shqiptar nga fillimi në fund.
Kurrë nuk kërkova rritje rroge. Kurrë nuk kërkova asnjë privilegj. Kurrë nuk bëra muhabet me asnjë shef, drejtor, apo çfardo epror. Kurrë nuk u bëra problem i ndonjë polici. Kurrë nuk njoha ndonjë sigurimist. Kurrë, për asnjë çast, në asnjë rast, për asnjë arësye, në asnjë rrethanë, nuk kam pasur të bëj me Sigurimin. Përveçse ekzistonte dhe ishte kriminal, kurrë nuk kam ditur më tepër për Sigurimin. Kurrë nuk pata frikë nga Sigurimi. Kurrë nuk u çlirova nga frika e atyre që nga Sigurimi kishin frikë.
Kurrë nuk pashë një edicion të plotë lajmesh në televizor. Emri i diktatorit nuk u shqiptua kurrë prej meje. Kurrë nuk u afruam. Kurrë nuk u takuam. Ata vinin, unë ikja. Ata iknin, unë vija. Ata bërtisnin, unë heshtja. Ata zbrisnin, unë ngjitesha./ObserverKult