Kryeministri Kurti priti shkrimtarët shqiptarë nga Mali i Zi, pjesëmarrës në Festivalin Poetik të Prishtinës

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka pritur sot një grup krijuesish shqiptarë nga Mali i Zi, të cilët po marrin pjesë në edicionin e IV të Festivalit Poetik të Prishtinës (21–25 janar 2026), të organizuar nga ObserverKult.

Në takim, ku ishte e pranishme edhe deputetja Arbëreshë Kryeziu-Hyseni, morën pjesë krijuesit Ali Daci, Nikollë Berishaj, Ismet Kallaba, Mark Lucgjonaj, Flutur Mustafa-Pllana dhe Ardita Rexha. Bashkëbisedimi u përqendrua në rëndësinë e bashkëpunimeve kulturore dhe në rolin e letërsisë si lidhje e qëndrueshme ndërmjet hapësirave shqiptare.

Në vazhdim njoftimi nga zyra e kryeministrit:

Së bashku me deputeten Arbëreshë Kryeziu-Hyseni, kisha kënaqësinë të takoja një grup krijuesish shqiptarë nga Mali i Zi, të përbërë nga Ali Daci, Nikollë Berishaj, Ismet Kallaba, Mark Lucgjonaj, Flutur Mustafa-Pllana dhe Ardita Rexha.

Ata po marrin pjesë në edicionin IV të Festivalit Poetik të Prishtinës (21–25 janar 2026), të organizuar nga ObserverKult. Biseduam për bashkëpunimet kulturore dhe për lidhjet që letërsia i mban të gjalla mes hapësirave tona, si dhe për rolin e festivalit në forcimin e komunikimit përmes fjalës artistike, me theks të veçantë në prezantimin e letërsisë shqipe në Malin e Zi brenda programit të festivalit.

Poezia shqipe nga Plava e Gucia, Ana e Malit dhe Kraja, Tuzi e Ulqini, është dëshmi e qëndrueshmërisë së gjuhës dhe e dinjitetit kulturor, një mënyrë për ta ruajtur kujtesën dhe për ta shtrirë praninë tonë shpirtërore ndër breza, duke e bërë vargun urë nga një vendbanim te tjetri, nga një kujtim te një e ardhme e përbashkët.”

ObserverKult