Kurti: 28 Nëntori bashkoi shqiptarët, këtë herë edhe ndaj tragjedisë

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti ka bërë homazhe në kompleksin memorial “Adem Jashari”, në Prekaz, i cili me këtë rast theksoi se 28 nëntori është data e cila i bashkon Skënderbeun, Ismail Qemalin dhe Adem Jasharin, datë kjo e gjithë shqiptarëve që bënë bashkë flamurin kuq e zi, pavarësinë e Shqipërisë dhe kryengritjen e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Kurti theksoi se festa kombëtare që i bashkon gjithë shqiptarët, këtë herë bashkoi edhe ndaj tragjedisë në zonën e Durrësit, që sipas tij, tronditi mbarë kombin shqiptarë ku do që janë.

“28 nëntori është data, e cila i bashkon Skënderbeun, Ismail Qenmalin dhe Adem Jashari. Pra, kjo datë është gur themel i yni që bën bashkë flamurin kuq e zi, pavarësinë e Shqipërisë dhe kryengritjen e UÇK-së. Është festa jonë kombëtare, e cila na bashkon, e kësaj radhe na bashkoi edhe kundrejt një fatkeqësie tragjike në zonën e Durrësit që tronditi mbarë kombin tonë, jo vetëm në Ballkan, por ku do që janë shqiptarët. Solidariteti që po tregojmë tani për njeri tjetrin është dëshmi se kur është nevoja jemi një popull në këmbë, të gjithë për secilin, secili për të gjithë dhe bashkë do t’ia dalim”, theksoi Kurti.

Ai tha se flijimi i familjes Jashari ia dha hovin vendimtar kryengritjes sonë dhe çlirimit e lirisë sonë. Kurti theksoi se në Prekaz kanë rënë gjithsejtë 59 dëshmorë, në një betejë të pa parë jo vetëm në historinë e popullit shqiptarë kundrejt një rrethimi të hekurt të forcave të Serbisë.

“Pas nderimeve te përmendorja e Ismail Qemalit në Prishtinë erdhëm këtu në Prekaz për të bërë nderime tek Jasharajt. Këtu kanë rënë gjithsejtë 59 dëshmorë prej të cilëve 15 kanë qenë gra e 15 fëmijë, në një betejë të pa parë jo vetëm në historinë tonë kundrejt një rrethimi të hekurt të forcave të Serbisë. Por, ky flijim ia dha hovin vendimtar kryengritjes sonë dhe çlirimit e lirisë sonë. Shaban e Zahide Jashari, Hamëz e Feride Jashari, Adem e Adile Jashari dhe Zarife Jashari me gjithë familjen e farefisin u flijuan për lirinë tonë , për pavarësinë tonë, për bashkimin tonë”, tha ai.

Image

Homazhe në kompleksin memorial “Adem Jashari” në Prekaz, sot po bëjnë edhe shumë qytetarë nga vendi dhe rajoni, si dhe personalitetet të ndryshme.