Nata e katërt, e parafundit e Festivalit të Dramës Shqipe “Talia e Flakës” solli para artdashësve gjilanas shfaqjen “Kush e solli Doruntinën”, të dramatizuar nga Agron Gërguri, i cili ishte edhe bashkëregjisor me Emin Emini, prodhim i Teatrit të Podujevës.
Njëra nga legjendat më të bukura të letërsisë sonë, romani i Kadaresë “Kush e solli Doruntinën” në vazhdimësi ka “nxitë kureshtjen” e krijueseve për ta trajtuar në mënyra të ndryshme artistike, e teatri “Avdush Hasani” nga Podujeva e ka sjellë të përpunuar e dramatizuar, premiera e së cilës ishte në dhjetor të vitit që lamë pas.
Sipas rrjedhës së legjendës në vetë romanin e Kadaresë, drama fillon natën kur Doruntina kthehet në shtëpi. Legjenda thotë që, vëllai i saj Konstandini, i premtoi asaj dhe së ëmës që do ta jetë pikërisht ai që do ta sjellë në gjini, nga shtëpia e burrit nga “përtej shtatë maleve e kodrave”, ku do të martohej.
Ngjarja fillon natën kur Doruntina kthehet në gjini pas një kohe relativisht të gjatë, dhe pas shumë ngjarjesh e të papriturash që kishin ndodhur. Personazhi kryesor, kapiten Stresi, përpiqet të zbulojë kush e ka sjellë në të vërtetë Doruntinën, pasi nuk mund të besonte që Konstantini është ngritur prej varri për ta mbajtur besën.
Linja e rrëfimit të shfaqjes është e ndërtuar mbi bazën konstante të rrjedhës së legjendës, e sjellë në atë mënyrë në skenë, për ta mbajtur në pritje të vazhdueshme publikun, nga situata në situatë, nga momenti në moment, herë-herë duke ngritur dilema alternative, porse, në funksion të tërësisë së strukturës së saj.
Ndonëse në situata veprimi skenik si “domosdo e natyrës së teatrit” zëvendësohej me narracion të ekzagjeruar, shfaqja si e tërë përmbante aq elemente të realizuara në mënyrë pothuajse të jashtëzakonshme, sa s’kishte sesi të mos bënte për vete e të mishëronte me të publikun e kultivuar gjilanas.
Skenografia e shfaqjes me elemente të nevojshme, tërësisht funksionale, muzika e jashtëzakonshme “live” që shtonte deri në “delir” kërshërinë e spektatorit, krahas domosdosë së harmonisë së situatave skenike, ishin disa nga veçoritë që e dallonin këtë shfaqje, ndërsa loja e aktorëve ishte relative, ndërsa impresionuese ishte paraqitja e Ryva Kajtazi, (Doruntina), përvoja e së cilës bëri që të “fashitet e heshtur” përkohësisht salla e teatrit të Gjilanit.
Shfaqja e Trupës Teatrore “Avdush Hasani” nga Podujeva ishte edhe një argument i radhës se Skena Teatrale në Kosovë po qëndron në këmbë të forta, dhe se kjo trupë teatrale është rrëfim në vete, në kuadër të rrëfimit të gjerë për tërësinë e skenës Kosovare e Kombëtare.
Në shfaqje kanë luajtur aktorë rezidentë të teatrit “Avdush Hasani”, si Ryva Kajtazi, Besart Zeneli, Sindi Citaku, Muhamet Zeka, Valire Haxhijaj e Gani Morina, thuhet në komunikatë për media.