Artur Shopenhaueri ishte një nga filozofët më të njohur gjermanë, i spikatur për pesimizmin ateist deri në kufijtë e reales, por njëherazi edhe për qartësinë filozofike. Tolstoi e konsideronte Shopenhauerin si mendimtarin më të madh të botës, duke e gjykuar deri diku Niçen si “superuesin” e Shopenhauerit.
Nëse lexon disa pasazhe të veprës së Shopenhauerit “Bota si vullnet dhe përfaqësim”, kushtuar metafizikës, vëren se ai e vendos njeriun në një realitet që nuk ndryshon nga e përditshmja, por e këshillon të bëhet zotërues i asaj që dëshiron. Për Shopenhauerin bota është veçse vullnet dhe paraqitje, nirvana është hiçi i përkryer.
Po ashtu, ai e favorizon jetesën duke mohuar kryekëput dëshirat njerëzore: ato emocionale, fizike dhe seksuale Për Shopenhauerin nuk ka metafizikë të mirëfilltë, thuajse të gjitha filozofitë autentike kufizohen në kuadrin strikt të botës që na rrethon: “pra [Metafizika] mbetet imanente, jo transhendente.
Në të vërtetë, ajo nuk shkëputet kurrë tërësisht nga përvoja; ajo presupozon thjesht shpjegimin dhe interpretimin e saj, sepse flet për gjënë në vetvete, veçse për marrëdhëniet e saj me këtë dukuri”. “Në thelb filozofia është shkenca e botës; problemi i saj është bota; ajo ka të bëjë vetëm me botën; perënditë i le të prehen në paqe, por njëherazi pret që, gjithashtu, edhe perënditë ta lënë atë në paqe”. (“Bota si vullnet dhe përfaqësim”, kapitulli 17).
Këto pak thënie përçojnë gjithë shpjegimet e karakterit vërtet të dëmshëm të filozofisë së Shopenhauerit. E vetmja absolute për autorin është absolutja; në vend që t’i hapë perspektiva të reja njeriut (drejt përparimit, përsosmërisë, së ardhmes, etj.) ai e burgos atë në qerthullin hermetik të botës, së bashku me mjerimet dhe të përditshmet e tij. Prandaj, nuk ka rrugëdalje, përveç mosqenies, vetëvrasjes, vdekjes. Dhe, në të vërtetë, nëse e vërejmë më nga afër ndikimin e Shopenhauerit, do gjenim veçse raste tragjike:
Niçe e lexoi shumë Shopenhauerin. Para se të zhytej në marrinë e tij, në janar 1889, gjatë gjithë jetës ai vuajti nga bipolariteti akut.
Mopasani e lexoi shumë Shopenhauerin. Në janar të vitit 1892 tentoi të vetëvritej, përpara se të zhytej në botën e tij të çmendurisë.
Hitleri e lexoi shumë Shopenhauerin. Në llogoret e Luftës së Madhe, para dështimit mbante gjithmonë mbi tryezën e tij gazetën “Le Monde”. Pas njëfarë kohe në politikë, u vetëvra në prill të vitit 1945.
Siorani e lexoi shumë Shopenhauerin. Gjatë gjithë jetës së tij jetoi si një njeri i padobishëm, pa punuar, me probleme të mëdha pagjumësie, madje vetëvrasjen e shndërroi në temë kryesore të veprës së tij.
Hullebek e lexoi shumë Shopenhauerin. Gjithë jetën vuajti nga depresioni, duke e shndërruar atë në temë qendrore të punës së tij.
Pra, në njëfarë mënyre leximi i zgjatur dhe i kujdesshëm i punës së Shopenhauerit është një nga përvojat më shkatërruese. Ajo minon shpresën, besimin në veçantinë e çdo individi, sa i përket dobishmërisë së veprimit, sa i përket realitetit të vlerave morale dhe shpirtërore, duke lënë pas vragat e një morie rrënojash.
ObserverKult