Armine Harutynyan nuk është një modele profesioniste, por ka marrë pjesë në shfaqjet e Gucci.
Ajo është 23 vjeç, me origjinë nga Armenia. Ka flokë të errët, një fytyrë të mprehtë dhe vetulla të trasha. Që prej pjesëmarrjes në prezantimin e koleksionit pranverë-verë 2020 nga Gucci, Armine mori tepër vëmendje. U duartrokit nga disa dhe u komentua nga të tjerë në mënyrë denigruese për pamjen e saj fizike.
Historia e Armine, tregon edhe njëherë për stereotipet e vendosura për gratë në shoqëri dhe për standardet që vënë në dyshim karakteristikat fizike dhe etnike të secilit prej nesh. Shumë prej komenteve drejtuar Armine, kanë edhe një përmbajtje seksiste:
“Pse duhet të ishte grua kjo?”, “A do dilnit ju me këtë?” etj.
Të tjerë e kritikuan duke shkruar se nuk ishte tërheqëse dhe se nuk ka vend për të në industrinë e modës.
Armine u bë pjesë e Gucci-t krejt rastësisht. Siç raporton faqja theartgorgeous.com, ajo u pa nga një zbulues talentesh në Berlin, i cili i kërkoi të shkëmbenin numrat e kontaktit. Armine ishte në Berlin për të dëgjuar bandën e saj të preferuar. Një muaj më vonë, ajo informohet se ishte zgjedhur për të qenë pjesë e shfaqjes së Gucci. Është modelja e parë armene që sfilon për brand-in luksoz.
Armine vjen nga një famlje artistësh, prandaj thotë se preferon të pikturojë shpesh apo të merret me ilustrime dixhitale dhe dizajne grafike, të cilat janë edhe pjesë e punës së saj. Gjithsesi, ajo është e hapur për të gjitha llojet e mediave dhe për modeling, të cilin nuk e ka braktisur edhe pas sfilatës së Gucci./anabel