Bamirësi i madh Vangjel Zhapa nga Labova e Madhe, i cili vdiq në vitin 1865, ishte njëkohësisht edhe një figurë pararendëse kombëtare, atëherë kur nuk ekzistonte lëvizja e organizuar shqiptare.
Ai përmbushi vegimin e madh dhe realizoi ëndrrën e ideologut të Rilindjes Shqiptare, Naum Bredhit-Veqilharxhit, duke bërë të mundur shtypjen e dy abetareve të para në gjuhën shqipe.
Në vazhdim, ai ndihmoi për shpërndarjen e librave shqip në atdhe, ekonomikisht dhe politikisht, duke siguruar lejet e posaçme perandorake (fermanet).
Duke qenë në kontakt dhe bashkëpunim me figurat e botës shqiptare atëherë, Vangjel Zhapa, tok me kushëriun e tij Kostandin Zhapa, hapi mbi 170 shkolla në jug të Shqipërisë.
Ai ndërtoi rrugë dhe kisha në atdhe, dhe la një testament që garantonte vazhdimësinë e veprës së tij filantropike në Shqipëri, transmeton ‘konica.al.
Edhe pse kishin bërë emër e famë gjetkë, duke ndërtuar pallate dhe institucione të shumta në Greqi, Rumani dhe Turqi, Zhapajt dëshiruan të prehen në Atdhe.
Shtëpitë e Zhapajve u dogjën nga gjermanët në vitin 1944.
Qysh atëherë ato mbetën gërmadhë. Gjatë diktaturës komuniste një pjesë u përdor si depo, por nuk u vu dorë për rindërtim.
Në oborrin e kishës në qendër të fshatit, në një dhomë në thellësi rreth dy metra, u gjetën eshtrat e bamirësve. Sipas testamentit, koka është në Athinë, ndërsa trupi në Labovë.
Mbi varrin e tyre para kishës dikur kishte një përmendore të bukur, e rrethuar me pllaka mermeri të skalitura në relief. Në krye kishte kokën e gdhendur të Vangjel Zhapës. Kjo fatkeqësisht u thye nga një fshatar dritëshkurtër, gjatë periudhës së shkatërrimit të kishave, mbas ndalimit të fesë nga diktatura komuniste në vitin 1967.
Shtepitë e Zhapajve janë shpallur sot Monument Kulture, gjë që ndërlikon gjendjen dhe e bën më të vështirë restaurimin e tyre.
Testamenti i dy bamirësive të mëdhenj mbetet ende i pazbatuar.
Shpërblimi i Shtetit, i Kishës dhe i Labovës për një vepër të madhe filantropike dhe kombëtare, është shtëpia pa çati e Zhapës, në rrënim të pashmangshëm, atje ku vajtojnë sot kukuvajat!
Ky është fati dhe çmimi i punës për shqiptarët!
I përjetshëm kujtimi i tyre! /Marrë nga faqja ‘Albanian Orthodox’