“Le Moniteur Universel” ka botuar, të premten e 13 gushtit 1880, në faqen n°3, një shkrim në lidhje me themeluesit e vërtetë të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, të cilin, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar:
“Lidhja Shqiptare i detyrohet origjinës së saj dy burrave që zënë sot në kabinet (qeveri) dy postet më të rëndësishme. Abedin Pasha (Abedin pashë Dino ose Abedin pashë Preveza), ministër i Punëve të Jashtme dhe Hysen Hysni Pasha, ministër i Luftës.
Një ambasador më tha së fundmi se kur pa këta dy burra vdekjeprurës të vinin në pushtet, ai ishte dëshpëruar për zgjidhjen paqësore të çështjeve në pritje dhe kishte filluar të frikësohej për ndërlikimet më të rënda.
Dyshimet e tij, pikëpamjet e tij u ushqyen nga marrëdhëniet e ngushta dhe të vazhdueshme të cilat kurrë nuk pushuan së ekzistuari mes pallatit perandorak dhe drejtuesve të Lidhjes, marrëdhënie që u mbajtën të fshehta sa më shumë që qe e mundur, por që nuk u shpëtuan asnjë diplomati largpamës.
Anëtarët e familjes së Abedin Pashës kanë qenë, që nga ardhja e këtij të fundit në pushtet, ndërmjetës të zgjedhur natyrshëm për të bërë të ditur qëllimet, për të kryer udhëzimet sekrete nga pallati tek drejtuesit e Lidhjes Shqiptare.
Babai i Abedin Pashës, lbrahim Aga, vëllai i tij Vesel beu, një vëlla tjetër, emri i të cilit më shpëton, kunati i tij Qazim Beu, u panë disa herë në anijet e Lloyd-it, duke shkuar nga Preveza në Stamboll dhe nga Stambolli në Prevezë.
Në këtë qytet jeton nëna e Abedin Pashës, shtëpia e të cilës është bërë vend takimi për pjesëtarët më të rëndësishëm në Epir dhe në Shqipërinë e Epërme të Lidhjes.
Kjo shqiptare patriote ka marrë më parë dhe me siguri akoma merr letrat dhe komunikimet, si nga pallati ashtu edhe nga Porta, të dërguara për pjesëtarët e Lidhjes. Pa dyshim që ajo i komenton dhe i shpërndan ato sipas udhëzimeve gojore që i vijnë prej Stambolli nga burri, djemtë ose dhëndri i saj.
Ky i fundit, Qazim Beu, është një puro shqiptar nga Gjirokastra, i cili ishte zëvendës i ministrit të policisë për disa vjet. Ky i fundit kurrë nuk pati ndoshta ndihmës më energjik, dhe pretendohet se brenda një dite, Qazimi i tmerrshëm bëri që të zhdukeshin rreth 200 fetarë (softas), të cilët kishin guxuar të protestonin me zë të lartë kundër ministrit të Luftës, Redif Pasha.
ObserverKult
———————-