Kush ishte Anastas Kristofori, aktori që dje ndërroi jetë

Aktori i njohur, Anastas Kristofori, ndërroi jetë dje në moshën 78-vjeçare.

Kristofori me një karrierë të pasur artistike u bë i njohur veçanërisht për rolin e Perikliut në komedinë “Pallati 176”.

Kristofori lindi më 28 nëntor 1943 në fshatin Vuno të Vlorës. Pas mbarimit të studimeve në Institutin e Lartë të Arteve (Akademia e Arteve) në vitin 1970, filloi punën me Trupën Profesioniste të Teatrit Popullor (Teatri Kombëtar) në vitin 1971. Të shumtë do të ishin interpretimet e tij në skenën e këtij teatri.

Këtu mund të përmendim rolin e zotit Dëllfi në dramën “Arturo Ui” të Bertold Brehtit, roli i sekretarit të prefektit në dramën “Prefekti” e Besim Levonjës, rolin e Apostolit në dramën “Komunistët” e Ruzhdi Pulahës, rolin e Perikliut në komedinë “Pallati 176” e Adelina Balashit, e shumë të tjera.

Roli i tij më i fundit do të jetë në vitin 2009 në teledramën “Burgjet plot, liria në derë”. Në kinematografi roli i tij i parë ishte ai i Stavrit në vitin 1976, ekonomatit të Strehës Vorfnore në filmin “Lulëkuqet mbi mure”.

Më tej do të vazhdonin edhe role të tjera si p.sh.: roli i Ndoc Markut në filmin “Besa e kuqe” në vitin 1982, rolin e Antonios, Kuestorit të Tiranës në filmin “Vendimi” në vitin 1984, rolin e Mavrojanis në filmin “Misioni përtej detit” në vitin 1988 etj.

Roli i tij më i fundit ishte roli i Perikliut në kinodramën “Po vjen Ai” në vitin 1998, një vazhdim televiziv i komedisë së njohur “Pallati 176” i Adelina Balashit.

Për meritat e tij artistike Anastas Kristofori është vlerësuar me titullin e lartë “Artist i Merituar”.

Disa nga pjesët teatrale ku ka interpretuar janë:

“Viti 61”
“Toka jonë”
“Prefekti”
“Pallati 176” – (1985)
“Një dimër i shkurtër”
“Komunistët”
“Familja e peshkatarit”
“Duke gdhirë viti ’45”
“Shënomeni dhe mua”
“Nën dritat e skenës”
“Shkallët”
“Gjenerali i ushtrisë së vdekur”
“Bashkë me agimin”
“Arturo Ui”
“Stinë e mërzitshme në Olimp”
“Rreshajet”
“Burgjet plot, liria në derë”
“Darka e gabuar”

Meta: Anastas Kristofori, një nga ikonat më të shquara të teatrit dhe kinematografisë shqiptare

Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, ka shprehur ngushëllime për ndarjen nga jeta të aktorit Anastas Kristofori, ku thekson se humbëm një artist të madh dhe të dashur për publikun.

“Humbëm sot një artist të madh dhe shumë të dashur për publikun, Anastas Kristoforin, një nga ikonat më të shquara të teatrit dhe kinematografisë shqiptare”, tha Meta.

“Me rolet dhe portretizimet e përkryera, interpretimet origjinale dhe batutat e gjetura, figura dhe e gjithë trashëgimia e tij e vyer artistike do të mbeten të pashlyera në kujtesën e popullit dhe të artdashësve shqiptarë. Duke ndarë dhembjen me familjen dhe kolegët e tij, u shpreh ngushëllimet më të ndjera për këtë humbje të madhe. Të prehet në paqe”, u shpreh Meta.

Basha: Artist që na dhuroi emocione dhe reflektime 

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha në mesazhin e tij për ndarjen nga jeta të “Artistit të Merituar” Anastas Kristofori, e cilëson atë artist që na dhuroi emocione.

“Me keqardhje mora lajmin për ndarjen nga jeta të aktorit të mirënjohur, Anastas Kristofori. Një artist që na dhuroi emocione dhe reflektime të cilat i dedikohen jo vetëm talentit, por mbi të gjitha punës dhe pasionit të tij për teatrin dhe kinematografinë. Ngushëllime të sinqerta për familjen, të afërmit dhe kolegët e tij. U prehtë në paqe!”, tha Basha.

Margariti: Anastas Kristofori, pjesë e plejadës që ndërtuan shkollën e artit të fjalës

Ministrja e Kulturës, Elva Margariti në mesazhin e saj të ngushëllimit e cilëson aktorin Kristofori një artist fisnik.

“Sa herë që një personalitet i artit dhe kulturës ndahet nga ne, ndjejmë një boshllëk të thellë, të cilin e mbush vetëm kujtimi dhe vepra. Anastas Kristofori ishte një aktor karakteri, një artist fisnik, pjesë e asaj plejade që ndërtuan shkollën e artit të fjalës, të cilit edhe pas shumë vitesh do t’i flasë vepra! U prehtë në paqe!”, tha ministrja./ATSH

—————————

Lexo edhe:


NDAHET NGA JETA AKTORI I NJOHUR, ANASTAS KRISTOFORI