Kush ishte Arben Shaka, aktori që ndërroi jetë

Është ndarë nga jeta në moshën 70-vjeçare, aktori i njohur i humorit Arben Shaka.

Lajmi i trishtë është konfirmuar për mediet nga vetë familjarët e aktorit, i cili, nuk arriti të fitonte betejën me Covid-19.

Shaka e ka filluar karrierën artistike në vitin 1966, ku interpreton në rolin e shoferit në pantomimën “Shoferi dhe Pasagjeri”, autor i së cilës është Agim Nallbani dhe partneri në rolin e pasagjerit ishte Astrit Ferizaj.

Po atë vit, Arben Shaka kishte filluar punë si elektro-auto në Parkun e Kamionëve dhe këtë pantomimë e paraqitën në festivalin e estradave amatore. Ishte 16 vjeç dhe u befasua krejtësisht për suksesin absolut të kësaj pantomime dhe kryesisht në suksesin që arriti në rolin e shoferit.

Në moshën 17-vjecare, në muajin prill të vitit 1968 nis karrierën profesioniste në skenën e teatrit të Estradës së Tiranës, duke e filluar me këtë pantomimë “…. nuk më harrohet në kulmin e suksesit të saj në skenën e estradës, kur unë interpretoja duke u dhënë i tëri pas rolit, rastësisht hodha vështrimin nga spektatorët dhe për çudinë time të gjithë hidheshin nga karriget duke më imituar mua, në ato çaste magjike interpretonin së bashku me mua gjashtëqind spektatorë…”

Arben Shaka ka patur një fat që e ka ndjekur gjatë 30-vjetëve të karrierës se tij .

Pjesëmarrja në filma ishte shkas i daljes në skenë me sukses dhe as që e mendonte që do ta merrnin kaq shpejt për të xhiruar në ndonjë film.

Prirjet e artistit Shaka ishin kryesisht për pantomimën aktoriale dhe kupletet muzikore dhe këtu ka një të përbashkët me artin e bukur të cirkut. Ai në fillim, dëshironte që të luante vetëm në skenën e Estradës, por këmbëngulja e ”Artistit të Popullit” dhe njëherazi krijuesi i cirkut shqiptar, Telat Agolli, në atë kohë ishte udhëheqës artistik i cirkut, e detyroi që te merrte pjese edhe në Cirk edhe në Estradë, pasi ishin në një drejtori.

Ustai i cirkut e kishte nuhatur që kishte perspektivë në këtë art të bukur dhe ashtu doli… Me punë të lodhshme, shumë djersë dhe pasion, Arben Shaka arriti të jete i suksesshëm në Cirkun dhe Estradën e Tiranës.

Në shtator të vitit 1998, si shumë shqiptarë edhe ai largohet së bashku me familjen për të emigruar në Greqi. Arsyeja e largimit në një mënyrë pak të papritur, ishte gjendja e rëndë ekonomike.

Arbeni, gruaja dhe nëna jetuan pesëmbëdhjetë vjet në Greqi, ndërsa dy vajzat dhe djali do të vazhdojnë të jetojnë dhe të punojnë normalisht. Pesëmbëdhjetë vjet në një qytezë bregdetare turistike me bukurinë dhe pastërtinë e saj dhe me banorë të respektueshëm të Lutrakit.

Në muajin e parë në Greqi, mendja i sugjeronte se do të aktivizohej si aktor komik dhe në fakt, fillon të pyesë e të kërkojë me seriozitet, por pa pasur informacionin e duhur për kolegët grekë, ëndrra dhe pasioni iu venitën menjëherë. Për herë të parë dhe të fundit, në Greqi ai ka dhënë një program me pantomima me muzikë të sinkronizuar, së bashku me Herionin (djali) dhe Joridën (vajza e dytë). Shfaqja u dha në një lagje të Athinës në ”Kifisia”, në shtëpinë e një arkitekti ku ishin të pranishëm familja, të afërm dhe miq, rreth gjashtëdhjetë persona. Programi prej një orë e pesëmbëdhjetë minutash doli me sukses dhe të gjithë u shkrinë së qeshuri.

Gjatë karrieres artistike ka pasur shumë shokë dhe miq, por më pranë ka pasur Skënder Plasarin, Xhemal Myftiu (Kacja), Enver Dauti, këta dy të fundit, fatkeqësisht, nuk jetojnë më. Ndërsa më afër në skenën e Estradës së Tiranës bashkinterpretuesit e tij kanë qenë Skendër Sallaku, Xhemal Myftiu, Vasillaq Vangjeli, Maxhide Pici (PUPI), Vegim Xhani, Dario Llukaci etj. Ka pasur fatin që të luajë në skenën e Estradës dhe me të madhin Mihal Popi dhe më vonë me Melpomeni Çobanin, një aktore e shkëlqyer karakteri. Ndërsa, për sa i përket Cirkut, partneri i tij kryesor ka qenë Met Selimi, mjeshtër i kllounatës akrobatike dhe aktoreske, ku për shumë vjet me radhë kane qenë pranë njëri-tjetrit, në mes të duartrokitjeve të shumta të artdashësve.

Pas aktrimit, pasioni i Arbenit është piktura dhe më pas, fotografia.

Në Cirk, duke pasur pozicionin e kllounit-aktor dhe bazament në elementet akrobatike, me një vokal të këndshëm, kishte krijuar një sukses të përhershëm. Filmi “Cirku në fshat” (1977), ku luante Arben Shaka në rolin e Agronit, ishte një sukses, por ka pasur shumë role të tjerë si në varietete televizive dhe në estradë, me sukses të plotë. Për herë të parë merr pjesë në një film në vitin 1969: “Përse bie kjo daulle”. Më pas, në filmin e dyte të vitit 1972, “Odiseja e tifozëve”.

Arben Shaka njihet për një repertor të bollshëm në Televizionin Shqiptar, që nga emisionet për fëmijë, varietetë dhe telefilma për fëmijë, ato për të rritur, si dhe telekomedi. Me një karrierë plot tridhjetë e trevjeçare në cirk, skenë dhe ekran./konica.al


Lexo edhe:

NDËRRON JETË AKTORI I NJOHUR SHQIPTAR, ARBEN SHAKA