Ndarja e poetit Bardhyl Londo nga jeta është një humbje e madhe për bashkësinë e shkrimtarëve dhe artistëve, botën akademike, për familjen dhe te afërmit.
Kryesia e Akademisë së Shkencave të Shqipërisëshprehu ngushëllimet dhe mbajti një minutë zi në sallën “Aleks Buda” para nisjes së veprimtarive të saj.
Bardhyl Londo është një ndër personazhet më me ndikim në historinë e poezisë shqipe. I lindur në Përmet në vitin 1948, ai do të zbulonte herët pasionin për letrat. Pas studimeve për Gjuhë dhe Letërsi shqipe, Londo do të niste fillimisht të punonte si mësues në qytetin e lindjes, për t’u zhvendosur më pas në Tiranë, pranë redaksisë së gazetës “Drita”. Që me botimin e librit të parë me poezi “Krisma dhe trëndafila” më 1975-n, Londo do të spikaste për ndjeshmërinë e vargut.
Në vitin 1981 ai boton librin “Hapa në rrugë”, ndërsa tre vjet më vonë, “Emrin e ka dashuri”. Londo është autor i shumë vargjeve për dashurinë në letërsinë shqipe, e kjo, ndoshta e bëri shumë shpejt një emër të dashur për lexuesin. Një tjetër poezi e njohur e tij është “Ura dhe brigjet”.
Përvoja në gazetën “Drita” një nga gazetat më me ndikim në botën letrare gjatë komunizmit, duket se ka mundur të shmangë keqkuptimet në të cilat u përfshinë këto vite në debate publike shumë personazhe të kohës. Duke ruajtur një profil neutral, Londo arriti të krijonte profilin e një poeti dhe intelektuali të shkëputur nga koha.
Ai ka qenë kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve pikërisht në vitet e ndryshimit të sistemeve në vend, duke bërë kalimin nga një kohë në tjetrën, të një institucioni, që për gati gjysmë shekulli kishte qenë zëri i propagandës së komunizmit. Për gati një dekadë pas rënies së komunizmit, ai do t’i mungonte lexuesit, duke u rikthyer në vitin 2010 me librin me poezi “Shën shiu”.
Duket se liria e kishte bërë më të plotë poezinë e Londos, i cili rikthehej në dimensionin e plotë të tij. Megjithëse Londo hyn tek ata poetë që e kanë pranuar se “e kanë pasur jo të lehtë të punojnë pa censurën”.
“Censura është futur aq thellë te ne sa është e pamundur ta shohim jashtë vetes”, do të shprehej ai.
Në vitin 2013 ai befason lexuesin duke ardhur për herë të parë me një libër në gjininë e prozës. Që me titullin “Jeta që na dhanë”, romani duket se paralajmëron një lloj reflektimi të shkrimtarit mbi kohën ku jetoi. Një roman gati autobiografik, sjell të gjitha shqetësimet e një shkrimtari mbi jetën në një sistem jo të lehtë siç ishte komunizmi, përpjekjet për të mbetur njeri, dhe sfidat e një kohe tjetër siç ishte pluralizmi. Londo ka rrëfyer gjithçka i veshur me lëkurën e një personazhi tjetër, duke lënë dëshminë e tij për kohën.
Londo u përket intelektualëve që ndanë gjatë jetës së tyre dhe angazhimin në politikë.
Për shumë vite ai ka qenë deputet në Kuvendin e Shqipërisë. Shpesh politika ndihet dhe në vargjet e tij të vona, të fokusuara më shumë te sfidat me të cilat është përballur vendi.
Kritik ndaj qëndrimeve që mbahen sot ndaj letërsisë së sociorealizmit, ai ka bërë shpesh thirrje se duhet ndarë figura e artistit nga qëndrimi i tij politik dhe për ta gjykuar letërsinë pa qëndrimet politike. Është fitues i çmimit “Migjeni”./(ASHA)
Lexo edhe: