Afro 7 dekada krijimtari, zemra e artistit që aq shumë e deshi frymën kombëtare në veprën e tij, piktorit-grafist Bujar Zajmi, u ndal më 27 gusht, në moshën 83-vjeçare.
‘Ai pas ekspozitës, dhe siç më rrëfeu e bija, u ndie shumë i gëzuar, i respektuar, sepse kuptoi që vepra e tij vlen. Dhe kur një artist ikën nga jeta me mendimin se vepra e tij vërtet vlera është një lumturi e madhe. Kërkesa e tij, që largimi fizik i tij të kalojë në heshtje, është diçka shumë njerëzore, që tregon akoma më shumë për vlerat e një artisti të vërtetë’, thotë drejtori i Galerisë së Arteve të Tiranës, artisti Abaz Hado.
Me një koleksion të pasur, me mbi 7 mijë vepra, e punë ende të pazbuluara që ruhen në shtëpinë-studio të tij, Bujar Zajmi do të mund të kishte ekspozuar më shumë, por siç rrëfente në të gjallë askush s’ia pat kërkuar. Deri në të fundit ekspozitë kur Galeria e Tiranës një muaj më parë krijoi një pikë takimi për të zbuluar 100 vepra të tij.
‘Në tërësinë e madhe të artit pamor do të mbahet mend për veprat me vlerë, sepse ndonjëherë ne shohim tablo të mëdha, zhurmë, projektor, po ka disa punë, që janë si gurë të çmuar e kur zbulohen janë shumë sfidues’, thotë Hado.
Ky portret elegant i 2003-shit mban firmën e Zajmit. Përqafon figurën e gruas, që e pati si protagoniste në qindra vepra të tij, e i vesh ngjyrat e format e etnografisë. Artisti ia ka dhuruar Galerisë së Tiranës gjatë ekspozitës më të fundit, ku zgjodhi sërish të “Bzaj me diellin”, me dritën që karakterizonte veprën e tij e një sërë teknikash nga grafika, kolazhe, piktura në vaj e akrilik e të tjerë.
“Ai e fali me shumë dëshirë për muzeun që ne po ngremë. Pra, është një rast i mirë me linjë të bukur ai vizatonte dhe tregonte shumë“.
Nga Kinostudio ku la gjurmët e tij si piktor, kontributi me pullat postare e ilustrimet e librave dhe gazetave, tek koleksioni i tij në shtëpinë-studio, krijimtaria e Zajmit ka gjetur shtigjet për të shkuar tek publiku. Vepra të tij ruhen në Galerinë e Arteve në Shqipëri, Galerinë e Kosovës së tij, por edhe Gjermani ku ishte specializuar për poligrafi.
“Ai ishte një kosovar-tirons. Ne tani po mbërrijmë në atë moshë, ku vendlindjet tona ose gjenetizmi familjar, baltohet tek krijimtaria jonë”.
Artisti përcillet këtë të martë për Tufinë, ndërsa krijimtaria e tij pret ende të zbulohet e të krijojë të tjera pika ekspozimi./shqiptarja.com
Lexo edhe: