Kush ishte gruaja që “fliste keq” për Enver Hoxhën… tmerret që i përjetoi

asamble hatipi

Asamble Hatibi ishte një rast tipik, kur intelektualja e persekutuar, së cilës i shkatërruan familjen, mund të dënohej sepse kishte zënë me gojë ato që përfliteshin për diktatorin Enver Hoxha.

Diktatura i rrëmbeu dhe vrau në mënyrë kriminale bashkëshortin, antifashistin Galip Hatibi. Asambleja me bashkëshortin ishte njohur në vitin 1940 dhe jetoi me të, deri sa e rrëmbyen, në vitin 1946. Ajo jetoi e vetme me djalin e saj por gjithnjë me brengën për të ditur historinë e plotë dhe vendin ku preheshin eshtrat e të shoqit.

Asambleja ishte në tri periudha në kontrollin e Sigurimit të Shtetit. Para arrestimit, në burg dhe pas lirimit. Ndjekja e saj u drejtua nga 7 punëtorë operativë të Sigurimit.

Asambleja me emër të vënë për asamblenë e kohës, bijë e Rexhep Kondit, u lind më 5.1.1924. Në vitet 1924-1932 jetoi në Itali ku kish bërë arsimin fillor. Më 1943 mbaroi Institutin e Lartë Femëror në Tiranë. Në dhjetor 1946 deri në tetor 1946, punoi redaktore në Sekretariatin e Gruas në Tiranë. Pushohet dhe lihet pa punë.

Gjatë viteve 1951-1953 korrektore letrare reviste, 1953-1959 laborante në Institutin e Kërkimeve, 1959-1974 laborante dhe punonjëse biblioteke në Institutin e Lartë Bujqësor në Kamëz . Ndërsa në vitet 1974-1978 punëtore në Ndërmarrjen Artistike “Migjeni” në Tiranë.

Historia e dënimit të saj nisi kur agjentja “Shigjeta” e kallëzoi në Sigurim më 26.6.1978. Në thelb të dënimit ishte se Asambleja fliste keq kundër Enver Hoxhës. Atë e konsideronte “vrasës e kriminel”.Burim të të këqijave dhe se me vdekjen e tij situata do ndryshonte.

Për këtë arsye, pasi u organizuan kombinacione me teknika operative, me propozim të operativit Arif Selmanhako, shefit të seksionit të 5-të, Shefqet Metaj dhe miratim të zëvendësdrejtorit të Punëve të Brendshme Tiranë, Zef Loka, më 18.7.1978 u vendos marrja e saj në përpunim 2A.

Për veprimtarinë e kësaj kohe, hartohet relacioni nr.3672, datë 11.9.1978 i Drejtorisë së Punëve të Brendshme Tiranë “Mbi aktivitetin armiqësor të Asamble Hatibit”. U drejtua nga sekretari I i Komitetit të PPSH-së Tiranë, Simon Stefani dhe Degës së 8-të të Drejtorisë së Parë të Sigurimit të Shtetit.

Këtu përmendet fakti se Enver Hoxha ishte njësoj përgjegjës si Koçi Xoxe për krimet e kryera në atë kohë dhe të tjera. Në këtë raport implikoheshin 9 persona të tjerë. Çështja ndiqej edhe si problemi i centralizuar “Shtriga”. Orvatej të thyehej rrethini i afërt miqësor i Asamblesë.

Zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Feçor Shehu, miratoi arrestimin e saj, duke shënuar fjalët: “Asambleja të arrestohet shpejt”.

Arrestimi

U arrestua më 19.10.1978. Vendimi i arrestit ishte nënshkruar nga hetuesi Llambi Gegeni dhe prokurori i përgjithshëm Rrapi Mino. Akuzohet në bazë të nenit 55/1 të Kodit Penal. Një ditë pas arrestimit pyetet nga hetuesi Dilaver Bengasi në prani të hetueses tjetër, Dolores Velaj. Deklaroi në hetuesi se në vitin 1946 bashkëshorti i saj, drejtor i Komitetit të Fizkulturës në Ministrinë e Arsimit ishte zhdukur e nuk u kthye në shtëpi.

Nuk i thanë shkakun, por më vonë i nxorën akuza se kish qenë në shërbim të amerikanëve. Ajo kërkonte prej vitesh arsyen e nuk e besonte atë që pëshpëritej. Po ashtu ishte e pakënaqur për mosnxjerrjen e së drejtës së shkollës së lartë për djalin. Deklaronte se ishte lexuese (në shtëpi iu gjetën shumë libra italisht) dhe pëlqente muzikën e lehtë.

Për t’i shërbyer çështjes, hetuesi Dilaver Bengasi në konsultim me drejtuesit e organizatës bazë të partisë dhe të ndërmarrjes, mendoi të bënte një “hetim popullor” në Ndërmarrjen Artistike “Migjeni”. Synimi ishte tërheqja e mendimit të kolektivit mbi qëndrimin e të arrestuarës, pikëpamjet që pasqyronte, karakterin, etj.. Problem i madh vlerësohej fakti se ajo duke punuar si daktilografiste ishte njohur me informacione të ndryshme që mund t’i shërbenin “armikut”.

Në mënyrë të përmbledhur, kërkohej që:

-Të njihej kolektivi me biografinë e shkurtër të Asamblesë.

-Të trajtohej si ishte lejuar të daktilografonte në zyrat e ndërmarrjes dhe gjatë kësaj kohe edhe të Komitetit Ekzekutiv të Rrethit dhe Ministrinë e Industrisë (ku e kishin marrë përkohësisht).

-Analizohej në kishte lexuar materiale të brendshme.

-Analizohej pse ishte lejuar të daktilografonte.

Aktakuza u përgatit nga hetuesi Dilaver Bengasi. Miratohet nga prokurori i Rrethit Tiranë, Isamedin Resnja. Cilësohej se ajo kishte “degraduar gradualisht politikisht”.

Për shkak të përmendjes së emrit të Enver Hoxhës, procesi u zhvillua me dyer të mbyllura. Sigurisht vendimi nuk citonte emrin e Enver Hoxhës. Vinte theksin te agjitacioni e propaganda kundër pushtetit, bisedat me karakter politiko-ideologjik, komentet mbi artin e letërsinë. “pikëpamjet armiqësore kundër partisë e të shtetit”. Veprimtaria sipas gjykatës kish filluar në vitin 1964, kur “pakënaqësia e mëparshme” për dënimin e Galipit si “agjent i imperializmit amerikan”, ishte shndërruar në vepra konkrete me karakter armiqësor”, se gjatë punës si laborante në Institutin e Lartë Bujqësor, kishte shpërndarë një revistë të huaj ku ishte portreti i Hrushovit (një gjë e vjetër kjo dhe krejt pa lidhje).

Gjykata Popullore e Rrethit Tiranë, e drejtuar nga Jani Vasili, me pjesëmarrjen e prokurorit Andon Pano, me vendimin nr.109, datë 27.3.1979, e deklaroi fajtore dhe e dënoi me 7 vjet heqje lirie.

Asambleja u lirua më 15.11.1982 nga Reparti nr.318 Kosovë në bazë të dekretit të Presidiumit të Kuvendit Popullor.

Rimarrja në përpunim

Proceset agjenturiale-operative prodhuan dy probleme të centralizuara dhe dy dosje hetimore-gjyqësore. Asambleja u gjykua e veçuar. Për të flitej edhe në problemin “Shtriga”. Shoqet e saj u vunë nën presion të thellë për të zgjedhur midis burgimit dhe dëshmisë. Inxhinier Tomson Baçi vari veten nga presioni ku u vu. Edhe ata që u përdorën si dëshmitarë e vuajtën shumë këtë çast. Gjithsesi shkaktari i vetëm i gjithë kësaj historie ishte agjentja “Shigjeta”. Gjithsesi, më 5.10.1979, pra në kohën që ishte në burg, Drejtoria e Punëve të Brendshme Tiranë, vendosi arkivimin e dosjes pranë Degës së 4-t të Drejtorisë së Parë, me shënimin e rrallë që pas lirimit nga burgu të saj, të merrej në kontroll operativ 2B.

Kësisoj, vetëm pak ditë pas lirimit nga burgu, më 6.12.1982, me propozim të punëtorit operativ të Sigurimit, Vladimir Bregu, pëlqim të zëvendëskryetarit të degës Elham Kadia dhe me miratim të zëvendësdrejtorit të Punëve të Brendshme të Rrethit Tiranë, Refik Nanaj, dosja u tërhoq dhe u aktivizua, siç ishte lënë shënimi në vitin 1978. Krahas agjitacionit e propagandës ishin shtuar fjalët se ndiqej edhe si “agjente e mundshme e zbulimit jugosllav”, për të cilën nuk kishte asnjë lloj të dhëne, por krejtësisht kot, si edhe në raste të tjera të Sigurimit.

Drejtohen bashkëpunëtorët “Bebe”, “Shpresa”, “Artisti”. Vazhdimisht Asambleja trajtonte rastin e zhdukjes së burrit të saj, për të cilin nuk i jepnin asnjë shpjegim.

Duke qenë e qartë mbi atë që kishte ndodhur, Asambleja i shprehu bashkëpunëtores “Artisti” se e dinte se atë dhe Eqerem Bibën e kishte futur në burg agjentja “Shigjeta”.

Sipas një relacioni të datës 9.11.1989, ishin drejtuar te Asambleja agjentja “Shigjeta”, por ajo nuk i fliste asgjë politike, ndërsa bashkëpunëtorët e tjerë “Arbri” dhe “Manushaqe” nuk kishin mundur të zbulonin asgjë.

Sipas porosive të dhëna, dosja e saj u arkivua në kartotekën e DPB Tiranë me propozim të operativit Vaso Dhano, pëlqim të shefit të seksionit Përparim Xhoxhaj dhe miratim të zëvendësdrejtorit të Punëve të Brendshme, Jorgaq Mihali. Në relacion theksohej se gjatë periudhës pas burgut nuk kishte dalë asnjë material me interes operativ.

Asambleja vdiq në Tiranë më 15.5.1999./kujto.al

enver
Enver dhe Nexhmije Hoxha

ObserverKult

==============================

Lexo edhe:

TRONDITËSE: NANA E LUTI 16-VJEÇARIN TË SHKOJË NË SHKODËR TË MERR MISËR E KRIPË,…