Nga Prof.Dr.Naser Ferri
Jakup Ferri, i biri i Ferr Durit, u lind në vitin 1832 në Plavë, në veri të Bjeshkëve të Nemura buzë Liqenit të Plavës prej të cilit buron lumi Lim, që në atë kohë ishte pjesë e Shqipërisë nën sundimin e Perandorisë Osmane, sot e Malit të Zi. Për shkak të pozitës së vetë gjeografike dhe rëndësisë strategjike Plava njihej si “mburojë e Rrafshit të Dukagjinit” e madje edhe e tërë shqiptarisë.
Familja Ferri i takon fisit Kuçi ndërsa rrjedhë nga Luhari i Malsisë së Shkodrës, prej nga kishte dalë i pari i familjes, Gjergj Prentashi me një vëlla dhe ishin vendosur në Podgoricë , ndërkaq prej aty Gjergj Prentashi kishte kaluar në Plavë (Shqipëria nën pushtimin e Perandorisë Osmane), ku sipas gjasave ishte konvertuar në islam. Gjergj Prentashi e kishte djalë Shabin e Shabi i kishte dy djem: Halilin e Durin, ndërsa Duri i kishte poashtu dy djem: Ferrin (Ferr Duri-babai i Jakupit) e Hajron., prej të cilëve rrjedhë familja Ferri e Plavës.
Thuhet se Jakup Ferri që nga rinia e hershme dallohej për shkathtësi, force fizike e bukuri por edhe për atdhedashuri, burrëri, zemërgjerësi, drejtësi, sinqeritet e shkathtësi në përdorimin e armëve. Trimërinë thuhet se e kishte trashëguar nga e ëma Zyl Rexha, e njohur në tërë Malësi si grua trimëreshë e cila kishte bartur kobure në brez, madje në një rast i kishte vrarë dy bejlerë duke i mbrojtur vajzat plavjane nga ngacmimet e tyre. Në aspektin fizik Jakupi ishte i gjatë, me mustaqe të zeza, hundë shkabë e shikim të mprehtë.
Jakupi i kishte tre vëllezër: Zeqon, i cili kishte qenë mjeshtër i dueleve dhe kishte vra me dhjetëra malazezë në duele ballë për ballë dhe ishte vrarë në Betejën e Moraçës 1876, Shaqirin, i cili ishte vra në një nga betejat e shumta kundër malazezëve dhe Beqirin i cili kishte rënë në Luftën e Nokshiqit.
Në moshën 25 vjeçare Jakupi ishte martuar me Pembën, kushërirën e Ali Pashë Gucisë dhe me të i kishin lindur tetë fëmijë (pesë djem Hasani, Mehmedi, Omeri, Agani e Emini dhe tri vajza: Kusha, Bardhokja dhe Zadeja).
Jakup Ferri kishte filluar veprimtarinë e tij patriotike e luftarake kudër malazezëve e turqëve në vitet e pesëdhjeta të shekullit XIX, që pasuan pas reformave të Tanzimatit, kishte marrë pjesë në shumë beteja, ndërsa në vitet e shtatëdhjeta ai ishte bërë njëri nga trimat më të shquar të Malësise së Plavës e Gucisë dhe kishte marrë pjesë në kuvende burrash. Kulla e Ferrajve ishte bërë qendër e kuvendeve ku vinin burra jo vetëm nga Plava e Gucia por edhe nga Kosovë e trojet tjera shqiptare. Në këtë kohë Jakupi ishte njoftuar me Sylejman Vokshin, Haxhi Zekën, Ali Ibër Nezën e shumë prijës të tjerë të popullit shqiptar.
Në vitin 1875 në disa vende të Ballkanit ishin bërë kryengritje kundër Perandorisë Osmane, e po në këtë kohë edhe në Mirditë e Dukagjin ishte ngrit popullsia. Në vitin 1876 Serbia e Mali i Zi i kishin shpallë luftë Turqisë, por meqë u thyen ato në vitin 1877 edhe Rusia i shpalli luftë Turqisë e cila e humbi luftën dhe si pasojë nënshkroi paqën në Shën Stefan 1878. Sipas Traktatit të Shën Stefanit Mali i Zi, Serbia e Rumania ishin bërë shtete të pavarura, Bullgaria kishte fituar autoniminë ndërsa Shqipëria kishte mbetur nën Turqi, e madje disa pjesë të saj iu kishin dhënë Bullgarisë (Kumanova,Kaçaniku, Tetova, Gostivari, Dibra, Kërçova, Struga, Pogradeci, Korça), Serbisë (një pjesë e sanxhakut të Prishtinës deri në afërsi të Gjilanit e Mitrovicës) e Malit të Zi (Plava, Gucia, Vermoshi, Hoti, Gruda, Kelmendi, Kraja, Anamali, Tivari, Ulqini) gjë me të cilën shqiptarët nuk u pajtuan dhe u bënë rezistencë të armatosur sipas vendimeve të “Komitetit Qendror për Mbrojtjen e të Drejtave të Kombësisë Shqiptare” e cila më 10. qershor 1878 (tri ditë para mbajtjes se Kongresit të Berlinit) formoi “Lidhjen Shqiptare të Prizrenit” me kërkesë të njohjes së kombit shqiptar me një gjuhë dhe një kryeqendër. Një ndër pjesëmarrësit të Lidhjes së Prizrenit ishte Jakup Ferri bashkë me Abdyl Frashërin, Iliaz Pashë Dibrën, Ymer Prizrenin e shumë prijës të tjerë shqiptarë.
Në Kongresin e Berlinit fuqitë e mëdha: Gjermania, Austro-Hungaria, Franca, Italia e Rusia kishin vendosur ta rishikojnë Traktatin e Shën Stefanit, ti copëtojnë tokat shqiptare dhe t’ua ndajnë ato Malit të Zi, Serbisë, Bullgarisë e Greqisë (Çameria).
Vendimet e padrejta të Traktatit të Shën Stefanit dhe të Kongresit të Berlinit kishin tronditur mbarë shqiptarinë. Gjatë verës së vitit 1878 të gjithë shqiptarët ishin ngritur në mbrojtje të trojeve të veta kundër vendimeve të sulltanit e të fuqive të mëdha. Pikat kryesore të mbrojtjes i kishin organizuar Ali Pashë Gucia e Jakup Ferri në Plavë e Guci me ndihmën e vullnetarëve nga Peja, Gjakova, Tropoja e viset tjera shqiptare.
Në gusht të vitit 1879 Turqia kishte dërguar forca të mëdha në drejtim të Plavës për ti përmbushur vendimet e Kongresit të Berlinit, por në shtator të atij viti Jakup Ferri udhëhoqi betejën në Gjakovë me ç’rast bashkë me Ali Pashë Gucinë, Ali Ibrën me bashkëluftëtarët të tjerë nga Plava, Gucia, Peja, Gjakova, Hasi, Reka, Tropoja etj. rrethuan forcat turke në Gjakovë, dhe në një betejë të përgjakshme e vranë Mehmet Ali Pashë Maxharin të cilin e kishte dërguar sulltani për t’ua dorëzuar Plavën e Gucinë malazezëve kundër dëshirës së shqiptarëve. Pas fitores së shqiptarëve në Gjakovë, kishte filluar shturrja e administratës turke në viset shqiptare dhe gjykatat shqiptare punonin paralelisht me ato turke apo edhe punonin vetëm gjykatat shqiptare, ndërsa Jakup Ferri, Ali Pashë Gucia e Ali Ibra kishin organizuar tubimet mbarëpopullore tek Verrat e Llukës dhe tek Lisat e Zogjëve në Prizren, ku u forcua besa dhe u bënë përgatitjet për qëndresë kundër armiqëve.
Pas përgatitjeve e marrëveshjeve me krerët e krahinave të ndryshme (Sylejman Vokshin, Hoxhë Koronicën, Hamëz Batushën, Musë Tahirin e me bajraktarin e Junikut), Jakup Ferri ishte nisur në Plavë për ta organizuar mbrojtjen ndërkohë që Kryesia e Lidhjes së Prizrenit i kishte emëruar Ali Pashë Gucinë dhe Jakup Ferrin komandantë të mbrojtjes së kufijve të Shqipërisë së veriut. Të gjithë shqiptarët “nga Prizreni deri në Dibër” e madje edhe nga viset e tjera (Tetova, Tropoja, Shkodra, Kurveleshi) ishin mobilizuar dhe kishin dërguar ndihma (vullnetarë, armë, ushqim, municione e tjera) në Plavë. Jakup Ferri udhëhiqte mbrojtjen e katër rajoneve rreth Plavës: në Qafë të Çakorrit, në Qafë të Diellit, në Arzhanicë-Pepaj dhe Brezovicë-Visitor si dhe tek Qafa e Previsë dhe nga ana e Gërçarit në rajonin e Gucisë.
Në tetor të vitit 1879 Mali i Zi kishte kërkuar nga Turqia dhe fuqitë e mëdha evropiane dorëzimin e Plavës e Gucisë, por meqë shqiptarët nuk lejuan një gjë të tillë Mali i Zi kishte filluar operacionet ushtarake nën komandën e Mark Milanit e Todor Milanit.
Mali i Zi kishte angazhuar 28 batalone me këmbësori, kalorësi e artileri të armatosura deri në dhëmbë me armë austriake (revole “Gaser”, pushkë “Vergel” e topa “Sferger”) dhe ruse (revole e pushkë “Nagant”), ndërsa vullnetarët shqiptarë ishin më pak në numër dhe dobët të pajisur e të armatosur (me jataganë, sakica, kosa, me pak pushkë kapsollaqe e kobure).
Betejat madhështore u zhvilluan në Qafë të Previsë (nëntor 1879), në Velikë, Nokshiq (dhjetor 1879), ndërsa beteja vendimtare në janar të vitit 1880 në fushën e Nokshiqit, kur mbrojtësit shqiptarë fal taktikës së Jakup Ferrit, edhe pse më të dobët ushtarakisht (12000 malazezë mire të armatosur kundër 8000 vullnetarëve të armatosur e të pajisur dobtë), i shpartalluan njësitet e ushtrisë malaziase nën komandën e Todor Milanit e Bllazho Petroviqit. Në betejën e fundit në breg të Limit më 4 janar 1880 ishte plagosur rëndë edhe Jakup Ferri (me shtatë plagë dhe me tridhjetë koka të prera të armikut rreth veti) bashkë me 103 udhëheqës të tjerë popullor shqiptar. Jakupi kishte ndërruar jetë në Plavë më 11 janar nga plagët e marra në betejë. Sipas disa informatave Jakupin e kishte plagosur Grujo Radosheviq Bratonozhiq, ndërsa duke e mbrojtur Jakup Ferrin e plagosur që mos ti bie malazezëve në duar, ishin vra tetë bashkëluftëtarë të tij nga Plava. Mark Milani kishte pësuar disfatë të tmerrshme dhe i kishte 2500 ushtarë të vrarë në betejë apo të mbytur në Lim gjatë ikjes nga shqiptarët ndërsa 1200 malazezë ishin zënë robër. Nga ana shqiptare ishin 1000 të vrarë e 600 të plagosur.
Jakup Ferri ishte varrosur në varrezat e Plavës, jo larg nga Lagjja e Ferrajve, në të cilën, afër kullave të veta, bijtë e Jakupit: Hasani, Mehmedi, Omeri, Agani e Emini e kishin ngritur edhe xhaminë për shpirt të te atit në vitin 1901/1902, gjë të cilën e dëshmon mbishkrimi i shkruar në gjuhën osmane mbi derë në hyrje të xhamisë, i cili ekziston edhe sot.
Mbrojtja e kufijve shqiptarë në Plavë e Guci ishte rast i jashtëzakonshëm i gatishmërisë së popullit shqiptarë që ti kundërvihen vendimeve të fuqive të mëdha e të Turqisë, e njëkohësisht është edhe fitorja më e madhe ushtarake e shqiptarëve në histori të re, të cilën e kishin arritur me forca vetjake, pa kurrfarë ndihme nga jashtë. Fal kësaj fitoreje dhe luftës së vazhdueshme të shqiptarëve edhe pas saj, rajoni i Plavës e Gucisë deri në vitin 1912 kishin mbetur “territori neutral”.
Pas vrasjës e të atit, i biri më i madh i Jakupit, Hasani ishte bërë kryefamiljar dhe e kishte trashëguar autoritetin e babait, kështu që e gëzonte respektin e tërë Malësisë së Plavës e Gucisë por edhe të Dukagjinit, Shqipërisë Veriore e më gjerë.
Edhe Hasan Ferri, duke e vazhduar misionin e Jakupit kishte vazhduar, bashkë me vëllezër e bashkëluftëtarë, luftën për mbrojtjen e Shqipërisë etnike deri në vitin 1919 në Plavë, e pas pushtimit e Plavës kishte kaluar në Shqipëri prej nga e kishte organizuar rezistencën kundër armikut dhe kishte marrë pjesë në ngjarje të rëndësishme si: pjesëmarrja aktive në Luftën e Koplikut 1920, përkrahja e Revolucionit të qershorit 1924, pjesëmarrja në Kongresin e Lushnjës 1929 e tjera, ndërsa në vitin 1938 për shkak të mospajtimeve me mbretin Zog u shpërngul ne Turqi ku edhe vdiq në vitin 1946. Pas vitit 1919 pjesa më e madhe e familjës Ferri ishte detyruar të shpërngulet nga Plava, por përkundër këtij fakti traditën patriotike e luftarake të familjes Ferri pas tij e kishin vazhduar edhe nipat e Jakupit Shémsi (prefekt i Plavës në 1941) dhe Riza Ferri (prefekt i Dibrës) si pjesëtarë të Ballit Kombëtar.
Për merita të tyre patriotike më 26.janar 1993 presidenti i Shqipërisë dr. Sali Berisha i dekoroi post mortem Jakup Ferrin me “Urdhër të lirisë të klasit të parë”, e po ashtu e dekoroi edhe Hasan Ferrin me “Urdhër të lirisë të klasit të parë”.
Sot pasardhësit e Jakup Ferri jetojnë e veprojnë të shpërndarë në Plavë, Prishtinë, Pejë, Mitrovicë, Tiranë, Durrës, Shkodër, Stamboll, në Gjermani, Holandë, Finlandë e disa vende të tjera (në mesin e tyre ka akademikë, profesorë universitarë, arkeologë, inxhinierë, mjekë, ekonomistë, juristë, kostumografë, piktorë, muzicistë etj.) dhe e ruajnë traditën dhe gjuhën e Jakup Ferrit.
ObserverKult