Në kuadër të kurimit të së shkuarës, Autoriteti për Informim mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit deklasifikoi dosjen e klerikut bektashi, Baba Bajram Mahmutaj, dënuar nga diktatura komuniste.
Një ndër dosjet me objekt klerin bektashi është ajo nr. 60, në brendësi të së cilës gjendet informacion rreth historikut të klerit bektashi, rregullores mbi administrimin e brendshëm, reformimin, lista emërore.
Regjimi komunist e survejoi dhe e përndoqi klerin bektashi në vend duke ekzekutuar, burgosur, internuar dhe torturuar.
Baba Bajram Mahmutaj lindi më 18 maj 1906, në fshatin Rabije të Tepelenës. U regjistrua baba në teqenë e Plashnikut të Beratit, në vitin 1943. Gjatë luftës, teqeja e Velabishtit ishte konak për luftëtarët e lirisë.
Me këtë përkushtim dhe vullnet punoi deri në vitin 1945, kur nisi kalvari i vuajtjeve, persekutimi, burgu dhe internimet.
U arrestua dhe u dënua me 15 vite burg nga Gjykata Ushtarake e Beratit, si nacionalist. Më pas u internua në Milot, ku qëndroi deri në vitin 1975.
Pas vitit 1975, qëndroi në familjen e nderuar të Teki Toros, në Durrës. U ribashkua me familjarët e të afërmit, prej të cilëve ishte ndarë që prej vitit 1945.
Në vitin 1991 iu bashkua nismëtarëve për rihapjen e Kryegjyshatës Botërore Bektashiane duke punuar për bektashizmin. Deri në 1997 ka qenë zëvendëskryegjysh Botëror.
Baba Bajrami është vlerësuar me titullin ”Pishtar i Demokracisë”, me motivacionin: “I përkushtuar dhe me besim ndaj zotit duroi burgjet e torturat e diktaturës për një Shqipëri të lirë, fetare dhe demokratike”
“Baba Bajrami ndërroi jetë më 30 prill 1997, në moshën 91-vjeçare. E kujtojmë, 25 vjet pas vdekjes së tij”, thuhet në njoftimin e AIDSSH./ATSH
Lexo edhe:
GRATË E HUAJA QË U DASHURUAN GJATË KOMUNIZMIT, DISA U EKZEKUTUAN E DISA PËRFUNDUAN NË ÇMENDI
ObserverKult