Kush ishte Mirush Kabashi, aktori që sot u nda nga jeta?

Aktori i dashur për publikun, Mirush Kabashi këtë të martë u nda nga jeta në moshën 75-vjeçare pasi vuante prej disa vitesh nga një sëmundje e rëndë. I ndjeri Kabashi ka lënë pas vetes gruan dhe dy vajza.

Kabashi ka lindur më 17 prill 1948 në Shkodër dhe është rritur në Durrës, ndërsa origjina e tij është nga Gjakova.

Ai ishte aktor i rreth 100 roleve, në teatër dhe filma. Shpesh ka qenë edhe prezantues i aktiviteteve të shumta artistike. Gjithashtu, Kabashi është cilësuar si një nga interpretuesit më të mëdhenj të poezisë në Shqipëri.

Aktori i ndjerë, Kabashi ka dhënë një kontribut të madh në filmografinë shqiptare. Madje, një pjesë të jetës së tij ia ka kushtuar edhe teatrit me rolet e tij të larmishme, ku ndër to më i veçanti ka mbetur ai i Sokratit tek “Apologjia e fundit e Sokratit”.

Me 1970 u diplomua për Aktrim në Institutin e Lartë të Arteve në Tiranë dhe filloi punë në teatrin “Aleksandër Moisiu” të Durrësit. Aty, vazhdoi deri në vitin 1994, duke pasur edhe rolin e drejtorit, 1991-1993.

Më pas punoi në Televizionin Shqiptar, në departamentin e Programeve Artsitike si ideator dhe prezantues, kurse nga 2002 e në vijim në Teatrin Kombëtar. Nga viti 1985, me periudha të ndërprera, është aktivizuar si pedagog i “Mjeshtërisë së Aktorit” pranë Akademisë së Arteve.

Interpretimi dhe ngjyrimi emocional i roleve, e kanë veçuar Mirush Kabashin. Personazhet e mishëruara nga Kabashi bienin në sy për origjinalitet, për elegancën, duke frymuar karaktere me ndryshime të ndjeshme nga njeri te tjetri, të përzgjedhura me mençuri dhe intuitë. Duhet theksuar se ka spikatur edhe në rolet satirike dhe komike.

Ai është nderuar me titujt e lartë “Nderi i Kombit”, “Artist i Merituar” dhe “Mjeshtër i Madh i Punës”.

Disa nga filmat ku ai ka luajtur janë: Kronikë provinciale, Ne dhe Lenini, Nata, Edhe ashtu edhe kështu, Binarët, Telefoni i një mëngjesi, Shoqja nga fshati, Një ndodhi në port, e shumë pjesë të tjera artistike.

Çmimet dhe nderimet

Në Festivalin Kombëtar të teatrove profesioniste në vitin 1989 u shpall “Aktori më i mirë” me rolin e Sadush Nezirit te komedia ‘Hija e tjetrit’ e Ruzhdi Pulahës. Po me këtë rol, në Festivalin Teatror Ballkanik të zhvilluar në Korinth të Greqisë, u vlerësua si ndër aktorët më të mirë. Në vitin 2002 fitoi çmimin e “Aktorit më të mirë” si protagonist në Festivalin e Aktrimit “Apollon 2002”me rolin e Nokës në komedinë “Sa mirë bëri që vdiq” e Ilir Bezhanit

Më 1997 në edicionin e nëntë të Festivalit Eksperimental të teatrit të organizuar në Kajro të Egjiptit, Mirush Kabashi ishte vlerësuar me “Sfinksin e artë” si interpretuesi më i suksesshëm mes njëmijë aktorëve pjesëmarrës nga 46 vende të botës.

I ndjeri Mirush Kabashi, i cili në fund të vitit 2014 u nderua me titullin e lartë “Nderi i Kombit”, më parë kishte titujt “Artist i Merituar”dhe “Mjeshtër i Madh i Punës”.

Filmografia

Kronikë provinciale (2009)

Ne dhe Lenini (2008)

Nata (1998)

Edhe ashtu edhe kështu (1989)…. Babai i Almës

Binarët (film) (1987)

Telefoni i një mëngjesi (1987)….Kujtimi

Zëvendësi i grave (1987)……… Lisimak Voci

Nxënsit e klasës sime (1984)..Mësues Nardi

Kohë e largët (1983) ………Asketi Lithan

Dora e ngrohtë (1983) ………Brahushi

Shoqja nga fshati (1980) ………Nasi (dajua i Tirkes)

Një ndodhi në port (1980) ……….Calamani

Gëzhoja e Vjeter (1980) ………Bake

Radiostacioni (1979) ……Nje nga tekniket e Radios

Koncert në vitin 1936 (1978)… Toger Shazivari

Zani partizani (1976) (TV)….Partizan-vëlla i zanit

Emblema e dikurshme (1976) ……..Veniamin Papa

ObserverKult


Lexo edhe:

JAIME SABINES: KJO ËSHTË HERA E FUNDIT QË TË DASHUROJ…

Poezi nga Jaime Sabines

Vendi i dashurisë, ai vend ku kam jetuar
së largu, teksa ti, krejtësisht e shpërfillur,
ishe dashuria ime e heshtur, vështrim që nuk pata shikuar,
gënjeshtër e thënë, që nuk kisha besuar:
si atëherë kur ne të dy, kurrsesi jo bashkërisht,
mes lotësh, urrejtje dhe vdekje ishim dashuruar,
akoma sot, nuk jam fort i bindur nëse mirëfilli
ende të dua, në pezmin tim të hidhëruar.

(kjo është hera e fundit që të dashuroj.
Seriozisht ta them, e dashur.)

Gjëra që fare nuk i njoh, që kurrë nuk i pata mësuar,
ndonëse pranë teje, tani, këtu, të gjitha tashmë i mësova.

Zemra ime ishte pjekur në qenien tënde.
Ankthi im në ty ngjizet.
E dashur, je vendi ku unë prehem,
heshtja ku unë dergjem.

(Kur shoh sytë e tu
mendoj birin tim.)

Gjithsesi, nganjëherë, ndonjëherë dukesh aq e largët
saqë gjithçka ta them haptas.

Zemra jote, aq e ndjeshme, duart e tua,
buzëqeshja jote që tretet në qerthull britmash,
sërish kjo zemra jote, kaq e mjerë, kaq e çiltër,
shndërrohet në bredhjet e tua, që më shpien aty ku asnjëherë nuk kam vajtur:

gjithçka që ti bën, gjithçka që nganjëherë nuk bën fare
thuajse më nxisin që me ty të kacafytem.

Poezinë e plotë mund ta lexoni KËTU:

ObserverKult