Kush ishte shkencëtari i parë në botë?

Përgjatë 2500 vjetëve të shkuara, njerëz të panumërt kanë çuar përpara shkencën. Sipas vlerësimit të UNESCO-s, rreth 8 milionë prej tyre ishin aktivë në vitin 2013. Ata janë gjenerata e fundit në një linjë të gjatë kërkuesish. Por a ekziston dikush të cilin mund ta quajmë paraardhësin e tyre të përbashkët?

Pra me fjalë të tjera, a ka një shkencëtar që ka qenë i pari? Në një farë mase kjo varet nga ajo se çfarë kuptoni me termin “shkencëtar”. Vetë kjo fjalë përmendet për herë të parë në vitin 1834, nga filozofi Uillaim Uiuell si një term për praktikuesit e një morie shkencash gjithnjë e në zgjerim.

Aulat akademike ishin plot kimistë, fizikantë, natyralistë dhe matematikanë (për të mos përmendur nëngrupet e tyre të shumta), dhe Uiuell u përpoq që t’i bashkonte ata me këtë emër të ri. Në kuptimin që ai kishte parasysh, dhe kuptimin në të cilin ne e kuptojmë atë sot, titulli i shkencëtarit të parë mund të shkojë pa dyshim për disa nga paraardhësit modernë të disiplinës shkencore.

Dy kandidatë të rëndësishëm janë Roger Bejkën, filozofi mesjetar anglez që mbrojti eksperimentimin dhe Frensis Bejkën (pa lidhje më të parin), që kodifikoi metodën shkencore 300 vjet më vonë. Për shumë historianë, studimet e famshme të lëvizjes dhe kozmosit të Galileo Galileit, plus gatishmëria e tij për të kundërshtuar dogmën fetare, e bëjnë atë shkencëtarin tipik.

Ai ndërtoi atë që ishte atëherë teleskopi më i fuqishëm i njohur, dhe e përdori për të konfirmuar modelin heliocentrik të sistemit diellor, duke konfirmuar revolucionin ndoshta më të madh shkencor të të gjitha kohërave. Dikur Albert Ajnshtajni e quajti Galilein si “babai i fizikës moderne”.

Të tjerët mendojnë se ky nder u përket figurave të mëparshme historike. Qindra vjet më parë një prej evropianëve të lartpërmendur, rreth fillimit të shekullit I Pas Krishtit, Ibn al-Hajtham ndërmori një studim të gjerë të dritës dhe shikimit.

Një mysliman i lindur në Irakun e sotëm, shpiku parimin e kameras së sotme, dhe siç shkruan Bredli Stefens në “Ibn al-Hajtham:Shkencëtari i Parë”, ai ishte i pari që i provoi hipotezat e tij me eksperimente të verifikueshme”. Gjithashtu, ai kishte një ndikim të qartë tek Roxher Bejkën.

Megjithatë, askush nga këta burra nuk e quan veten shkencëtar. Përkundrazi, ata ishin filozofë të natyrës, dhe jo pionierë të ndonjë okupimi në thelb të ri, dhe në këndvështrimin e tyre, ato mishëruan një traditë me origjinë në Greqinë e Lashtë.

Duke zgjeruar paksa konceptin e shkencës, disa e konsiderojnë Aristotelin si ithtarin e saj origjinal. Ai nuk ishte shumë eksperimentues, dhe shumë prej përfundimeve të tij ishin të gabuara. Për shembull, ai besonte se gratë kishin më pak dhëmbë sesa burrat, dhe se e gjithë materia përbëhej nga 4 elementë, dhe që secili prej tyre fundosej apo ngrihej lart sipas nevojës për të arritur në vendin e duhur.

Por në librin e tij “Si e shpiku Aristoteli shkencën”, biologu Armand Lerua argumenton se Aristoteli ilustroi shembullin e empirizmit, metodë që ka prodhuar që nga ajo kohë shumë zbulime të mrekullueshme. Vetë Aristoteli e tregon origjinën e shkencës edhe më larg në kohë, tek paraardhësit e tij grekë.

Njëri prej tyre, Anaksimandri, vlerësohet shumë nga fizikanti teorik Karlo Roveli. Në librin e tij “Shkencëtari i parë:Anaksimandri dhe trashëgimia e tij”, e vendos fillimin e shkencës tek “revolucioni i Anaksimaderit”. Sipas tij Toka nuk mbështetet mbi kolona kozmike apo mbi një mori zhguallësh breshkash gjigante, siç supozuan ata para tij, apo se qiejt vazhdojnë nën këmbët e njerëzve ashtu siç ekzistojnë sipër tyre.

Për Rovelin, kjo arritje nuk është më pak domethënëse sesa revolucioni Kopernikan 2 mijë vite më vonë dhe e meriton epitetin që libri i tij i jep Anaksimandrit. Por është e mundur të bëhet një hap i fundit pas në historinë e shkencës, tek vetë mësuesi i Anaksimandrit: Talesi i Miletit, një nga të ashtuquajturit Shtatë të Urtët e Greqisë antike.

Ai është njohur më shpesh si filozofi i parë, por filozofia dhe shkenca kanë lindur nga e njëjta kërkesë. Duket se Talesi ishte i interesuar për gjithçka, nga gjeografia, matematika, politika dhe historia. Sipas Aristotelit, ai ishte personi i parë që hetoi parimet themelore të materies dhe historiani Herodot, shkruan se ai parashikoi një eklips në vitin 585 Para Erës Sonë.

Por ai e përdorte intelektin e tij për qëllime më tokësore, siç e dëshmon Aristoteli në një anekdotë zbavitëse. Talesi jetoi në varfëri dhe njerëzit e Miletit e cilësuan këtë element si provë të mungesës  së dobisë së filozofisë. Për t’i mësuar ndryshe, ai përdori “aftësinë e tij për të parashikuar yjet”, për të parashikuar një vjelje të bollshme të ullirit vitin pasardhës.

Ai më pas bleu të gjitha ullishtat në rajon dhe kur erdhi koha e vjeljes“i shiti ​​me çfarëdo çmimi që ai vendoste duke grumbulluar kështu shumë para”. Kështu, shkruan Aristoteli, “ai i tregoi botës se filozofët mund të bëhen lehtësisht të pasur nëse u pëlqen, por ambicia e tyre është e një lloji tjetër”.

Ashtu si Aristoteli, Talesi nuk e kuptoi gjithçka si duhej. Për shembull, ai pretendoi se “gjithçka është ujë”. Por ai është i rëndësishëm, pasi shënoi një zhvendosje nga shpjegimet e mbinatyrshme në ato natyrore. Pas disa viteve të ndërhyrjes hyjnore, të rrufeve të Zeusit dhe dallgëve të Poseidonit, Tales ishte i pari që propozoi një teori rreth mënyrës se si funksionon bota bazuar tek vëzhgimi dhe arsyeja, ashtu siç bëjnë shkencëtarët sot. / Discover – Bota.al

—————–

LEXO EDHE:

DËSHMIA E RRALLË E GRUAS POLAKE TË ISH-DIPLOMATIT SHQIPTAR: TAKIMI I FUNDIT ME SHKENCËTARIN QË VDIQ NË QELITË E SIGURIMIT, KUR E FTOVA NË SHTËPI…