Kush janë 28 gratë që u ndoqën nga Sigurimi/U arrestuan, torturuan, vdiqën…

Autoriteti për Informim mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit ka kujtuar, kohë më parë, disa prej grave që u përndoqën nga Sigurimi i Shtetit, u arrestuan, torturuan, vdiqën në burgje dhe u pushkatuan. Ja disa prej tyre:

Marie Tuçi- Lindur në Mirditë (Orosh). Kryen studimet në shkollën e Motrave Stigmatiane Shkodër. Ka punuar për vite me radhë në arsim. Arrestohet në ngjarjet e vitit 1949 në Mirditë. Torturohet në hetuesi dhe vdes nga torturat në vitin 1950.

Marta Doda–Lindur në Austri 1884, mbesë e princit Preng Bib Doda. Në 1912 krijon në Shkodër “Shoqatën e Gruas Shqipëtare”. Arrestohet në vitin 1947 dhe dënohet me 12 vjet burg. Kundërshtare e vendosur e diktaturës. Lirohet në vitin 1954 në agoni të jetës së saj.

Hava Golemi– Lindur në Golem më 1912. Arrestohet në vitin 1946. Akuzohej për komplot për vrasjen e Shefqet Peçit. Dënohet me 20 vjet burgim politik. E torturuan çnjerëzisht por ajo qëndroi. Lirohet nga burgu në vitin 1957.

Shanisha Dosti- Lindur në Gjirokastër më 1922. Me arsim të mesëm. Internohet familjarisht. Arrestohet në vitin 1962 dhe dënohet me 5 vjet burgim për agjitacion e propagandë. Lirohet në vitin 1966 dhe më pas internohet deri në vitin 1990.

Meshan Çiniu– Lindur në Delvinë 1925. Gjimnaziste. Arrestohet në vitin 1952 dhe dënohet 20 vjet burg për tentativë arratisje. Lirohet në vitin 1962.

Agime Pipe- Lindur në Shkodër 1924. Arrestohet në vitin 1946 dhe dënohet 10 vjet burg për agjitacion propagandë. Lirohet në vitin 1951.

Rita Koçi (Koka)- Lindur në Tiranë 1932. Kryen shkollën e mesme shkëlqyeshëm. I mohohet e drejta për shkollën e lartë. Arrestohet në vitin 1951 dhe dënohet me 10 vjet burg për agjitacion propagandë. Lirohet nga burgu në vitin 1959.

Marie Medicina- Lindur në Korçë në vitin 1925. Kreu studimet në një kolegj mjekësor në Firence, Itali. Arrestohet në vitin 1952 dhe dënohet me vdekje, për krime kundër shtetit. I falet jeta. Dënohet 25 vjet burgim, lirohet në 1966.

Vera Dema- Lindur në Shkodër 1931. Arrestohet në vitin 1947 dhe dënohet 5 vjet burg. Lirohet në vitin 1949, mandej internohet deri në vitin 1990.

Drita Kosturi- Lindur në Lezhë në 1920. Aktiviste në frontin nacional-çlirimtar (partizane, e fejuara e Qemal Stafës). Arrestohet në vitin 1946 dhe dënohet me 20 vjet burgim. Kundërshton vendosjen e diktatures komuniste. Lirohet në vitin 1959.

Bardha Bici (Gjonmarkaj)- Lindur në Mirditë 1920. Arrestohet në vitin 1945 dhe dënohet me 10 vjet burgim si armike e popullit. Lirohet në vitin 1951 dhe internohet familjarisht deri në vitin 1990 (Vajza e Bajraktarit Gjon Marka Gjoni).

Azize Ferati- Lindur më 1930 në Vlorë. Arrestohet në vitin 1968 dhe dënohet 20 vjet burgim si armike e pushtetit. Lirohet në vitin 1982.

Shega Këlcyra- Lindur në Këlcyrë (Përmet) 1922. Burgoset në vitin 1947 dhe dënohet 8 vjet burg për agjitacion dhe propagandë. Lirohet në vitin 1952.

Ana Daja- Lindur në Shkodër 1928. Arrestohet në vitin 1946 dhe dënohet 10 vjet burg për agjitacion e propagandë. Lirohet nga burgu 1952.

Dylbere Zeneli- Lindur në Vlorë 1922. Arrestohet në vitin 1955 dhe dënohet 15 vjet burgim si armike e pushtetit. Lirohet nga burgu në vitin 1962.

Fatime Dega- Lindur në Tiranë në vitin 1938. Arrestohet në vitin 1952 dhe dënohet 7 vjet burgim për agjitacion dhe propagandë. Lirohet në vitin 1957.

Jolanda Katbunara- Lindur në Napoli 1936. Arrestohet në vitin 1952 dhe dënohet 15 vjet burgim për tentativë arratisje. Lirohet nga burgu në vitin 1965.

Makbule Frashëri- Lindur në Korçë 1927. Arrestohet në vitin 1951 dhe dënohet 15 vjet burg si armike e pushtetit. Lirohet në vitin 1965.

Tefta Tasi- Lindur në Athinë në 1933. Arrestohet në vitin 1979, duke qenë e internuar familjarisht në kampet e internimit. Dënohet 5 vjet burg për agjitacion e propagande. Lirohet në vitin 1982.

Zybejte Alizoti- Lindur në Tiranë 1929. Arrestohet në vitin 1960 dhe dënohet 10 vjet për agjitacion dhe propagandë. Lirohet në vitin 1968.

Sanie Doko- Lindur në Kolonjë 1905. Arrestohet në vitin 1946 dhe dënohet 5 vjet burgim. Akuzohej si strehuese e të arratisurve. Lirohet pas 2 vjetësh.

Donika Doko- Lindur në Kolonjë 1930. Arrestohet në moshën 14-vjeçare. Vajza e Sanijes dhe motra e Bujar Dokos. Për arsye moshe lirohet 2 vjet me kusht.

Drita Ahmeti- Lindur në Shijak 1935. Mbaroi të lartën për Histori–Letërsi me korespodencë sepse i përkiste një familjeje “të deklasuar”. Arrestohet dhe dënohet 5 vjet burg për agjitacion e propagandë. Faji i saj ishte sepse nuk pranoi të bëhej spiune.

Fatbardha Qorri- Lindur në 1927 në Gjirokastër. Burgoset në vitin 1978 për agjitacion e propagandë dënohet 8 vjet burg. Lirohet në 1982 me amnisti si nënë me fëmijë.

Afërdita Starja- Lindur në 1937 në Starje, Kolonjë. Arrestohet në vitin 1972 për agjitacion e propagandë. Dënohet 8 vjet burg. Lirohet në 1977.

Bice Pistuli- Lindur në 1918 në Shkodër. Arrestohet në 1951 për agjitacion e propaganda dhe dënohet me 4 vjet burg. Lirohet në 1953.

Beatrice Berati- Lindur në Tiranë më 1943. Arrestohet në vitin 1980 dhe dënohet me 4 vjet burg për agjitacion e propagandë. Lirohet në 1982.

Behije Zdrava- Lindur në Lushnjë në 1895. Arrestohet në 1945 dhe dënohet me 8 vjet burg për agjitacion e propagandë. Lirohet nga burgu në 1949 mandej internohet.

Këto janë vetëm një pjesë e zonjave që vuajtën nga aparati i dhunës së regjimit komunist. Me qindra vajza dhe gra vuajtën internimet e padrejta, izolimin, padrejtësinë dhe mbajtën mbi supe etikën e armikut të klasës. Atio mbeten martire të një kohe që nuk duhet të vijë më./GSH

ObserverKult

Foto ilustrim

Lexo edhe:

EMRAT E INTELEKTUALËVE DHE ARTISTËVE QË ISHIN NËN SURVEJIM NGA SIGURIMI I SHTETIT

SI E PËRNDIQNIN PETRO MARKON, JA ÇFARË SHKRUANTE SIGURIMI I SHTETIT MË 1946