Pas disa muaj mbyllje për shkak të pandemisë, “Walt Disney World”, në Orlando, Florida do të rihapet në muajin korrik.
Walt Disney World do të rihapet në bazë të një sistemi rezervimi. Mysafirët do të duhet të sigurojnë një rezervim paraprakisht përmes një sistemi të ri. Më shumë detaje se si të sigurohet një rezervim do të publikohen në ditët në vijim.
Por gjithçka do të jetë ndryshe këtë verë në parkun e Disney, pasi kërkesat e reja përfshijnë kontrollin e temperaturës, distancën fizike, stacionet e larjes së duarve, mbajtja e maskës gjatë gjithë kohës, kryerja e pagesës pa patur kontakt.
Paradat dhe ‘spektaklet e natës’ si fishekzjarret nuk do të kthehen deri në një datë të mëvonshme.
Takimet dhe “prekja” e personazheve në parkun e lojrave është e ndaluar. Gjithashtu parqet do të funksionojnë me kapacitet të zvogëluar.
Disney është punëdhënësi më i madh i qytetit me rreth 75,000 punëtorë, dhe mbyllja e parkut më 15 mars ka lënë shumë prej tyre pa punë.
Kompania ka lëshuar një paralajmërim të qartë në faqen e saj të internetit, duke thënë se ata nuk do të jenë në gjendje të garantojnë që vizitorët nuk do të infektohen me COVID-19.
“Çdo vend publik, ku njerëzit janë të pranishëm ofron një rrezik të natyrshëm të ekspozimit ndaj COVID-19 dhe ne nuk mund të garantojmë që nuk do të ekspozoheni gjatë vizitës suaj”.