Kushtet e reja të çmimeve Oscar për pranimin e filmave brenda garës së përvitshme

Pesë vjet pasi hashtagu “#OscarsSoWhite” shkaktoi debat, grupi pas çmimeve më të famshme kinematografike ka vendosur disa kushte të reja për pranimin e filmave brenda garës së përvitshme.

Akademia e Arteve dhe Shkencave në SHBA deklaroi së fundi se filmat do të duhet të plotësojnë disa kritere sa i përket përfaqësimit në mënyrë që të lejohen të konkurrojnë, duke filluar nga viti 2024.

Nisma, e quajtur “Aperture 2025”-“Hapja 2025”, kërkon që filmat të kenë të paktën 30% të kastit të aktorëve nga kategoritë e nënpërfaqësuara. Kritere të ngjashme duhen plotësuar edhe sa i përket punonjësve që punojnë për realizimin e filmit dhe gjithë skuadrës që merret me promovimin e prodhimit kinematografik. Siç transmeton Koha Jonë, ndryshimet janë përshtatur nga rregullorja e re e Institutit Britanik të Filmit.

Akademia ka bërë disa ndryshime në radhët e saj, duke shtuar në qershor të këtij viti 819 anëtarë të rinj, 45% e të cilëve ishin femra dhe 36% persona me ngjyrë.