Kushtrim Sheremeti: Nuk dihet kur do të përfundojë renovimi i Teatrit, shfaqjet vazhdojnë në amfiteatrin e Pallatit të Rinisë

Para një viti Ministria e Kulturës pati angazhuar ekspertë nga Fakulteti i Ndërtimtarisë së UP-së për të bërë vlerësimin e gjendjes aktuale të ndërtesës së Teatrit Kombëtar të Kosovës (TKK-së). E gjendja e sigurisë së objektit, aty ku kanë punuar për vite me radhë punëtorët e Teatrit Kombëtar të Kosovës, pas vlerësimit që doli ishte “alarmante”.

Lidhur me renovimin, përmirësimin e gjendjes së objektit së TKK-së, është premtuar kaherë se do të punohet por nuk është bërë asgjë, deri vitin që e lamë pas kur edhe nisën punët për projektin ideor.

Si po shkojnë punimet në objektin e TKK-së, kur pritet të përfundojnë në tërësi punimet, ku po mbahen shfaqjet teatrale, cili do të jetë reportuari i shfaqjeve këtë sezon në një intervistë për ObserverKult ka folur drejtori i Teatrit Kombëtar të Kosovës, Kushtrim Sheremeti.

Punët për restaurimin e objektit të Teatrit, kanë nisur kohë më parë. Deri ku kanë arritur punët dhe kur pritet të përfundojnë?

Kushtrim Sheremeti: Deri tash krejt çka është punuar është se është realizuar projekti ideor edhe jemi në pritje të realizimit të projektit të detajizuar për të cilin po shpresojmë se do të kryhet sa më parë që është e mundur.

Kjo në mënyrë që Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit t’i filloj procedurat e intervenimit brenda objektit prej profesionistëve të caktuar për këtë projekt. Pra, vetëm për projektin ideor është punuar deri më tash.  

Afati për projektin ideor, puna e profesorëve dhe arkitektëve ka kaluar shumë moti. Por për shkak të disa procedurave është vonuar. Sipas deklaratave të përgjegjësve po synohet që në fund të tetorit të përfundoj në tërësi projekti ideor i detajizuar.

Ndërsa Objekti i TKK-së do të hapet atëherë kur të përfundojnë të gjitha punët e renovimit, nuk ka ndonjë afat të caktuar kohor.

-Për çfarë procedurash bëhet fjalë. Pra arsyeja që vonuar realizimi i punëve për projektin ideor?

Kushtrim Sheremeti: Nuk i kam këto informata  për shkak se kjo është një marrëveshje në mes të profesorëve të Universitetit të Prishtinës dhe Ministrisë së Kulturës…pra, nuk i kam gjitha detajet por ajo që dihet është se kanë qenë disa arsye procedurale që e kanë zvarritur këtë proces.

Me këto punime që do të bëhen për renovimin e objektit të TKK-së, a mendoni se do të krijohen kushte normale për punë?

Kushtrim Sheremeti: Prej asaj që kemi punuar në projekt deri më tash, besoj se do të jetë një hapësirë shumë funksionale për publikun por sidomos për stafin krijues, aktorët e punonjësit e teatrit.

-A kanë ndikuar punët për realizimin e projektit ideor në mbarëvajtjen e shfaqjeve?

Kushtrim Sheremeti: Jo, nuk e kanë penguar punën tonë. Deri më tash kemi punuar dhe po vazhdojmë të punojmë në amfiteatrin e Pallatit të Rinisë. Hapësira është bukur e kufizuar, por që ka qenë e vetmja që ka qenë e mundshme më së shpejti të realizohet. Normalisht e kemi marrë këtë hapësirë me mbështetje të Ministrisë së Kulturës, si alternativë dhe aty jemi duke e mbajtur repertuarin tonë të rregulltë.

Në ndërkohë ne e kemi marrë një hapësirë të re në ish-objektin e Rilindjes. Aty kanë filluar procedurat për hartimin e projektit, me shpresë se në një të ardhme të afërt, gjatë vitit të ardhshëm, në të dy sallat dhe objektin e ri të punohet dhe të jenë funksionale.

Pra, edhe salla te ish-objekti i Rilindjes me qenë sallë me një funksionalitet multifunksional.

Cilat janë risitë, shfaqjet që do të jenë, projektet më të reja?

Kushtrim Sheremeti: Jemi duke punuar në vazhdimësi. Duke filluar nga data 30 shtator do të kemi tri premiera. Bëhet fjalë për “1984”, Best Europian Show”(JK Teatro Opole & Teatro Due Parma) dhe “Ditë vere”.

Konkretisht në Amfiteatrin e Teatrit Kombëtar të Kosovës, në Pallatin e Rinisë në Prishtinë, gjatë tetorit do të jepen shfaqje premierë dhe repriza të ndryshme, nga regjisorë vendorë dhe të huaj. Shfaqja “Best Europian Show” do të ketë premierën e saj në Poloni e Itali.

Programi fillon më 30 shtator kur do të shfaqet premiera “1984” dhe ditët tjera do të vazhdojnë me shfaqjet “Udhëtimi i gjatë i drejt natës”, “Best Europian Show”(JK Teatro Opole & Teatro Due Parma), “Molly”, “Ditë Vere”, dhe “Club Albania”. Të gjitha shfaqjet do të fillojnë nga ora 20:00./ ObserverKult


Lexo edhe:

TEATRI KOMBËTAR I KOSOVËS, PJESË E SKENËS NDËRKOMBËTARE

Aktorët Armend Smajli dhe May-Linda Kosumovic nga Teatri Kombëtar i Kosovës, së bashku me kompozitorin Trimor Dhomi. Këta e plotësojnë produksionin me aftësitë e tyre të jashtëzakonshme artistike po marrin pjesë në shfaqjen “The Best European Show” në Poloni.

Kjo shfaqje do të bashkojë talente nga e gjithë Evropa përfshirë edhe Kosovën, derisa ky shënon një hap të rëndësishëm në projektimin e artit të vendit tonë në skenën globale.

Ko-produksioni, provat e të cilit veçse kanë filluar, ka bërë bashkë Teatrin Kombëtar të Kosovës, Teatro Due – Parma, teatri Kombëtar Slloven – Nova Gorica, Teatrin Opole dhe Teatrin Malta.

Tekstin e plotë mund ta lexoni KËTU:

ObserverKult