Skena e teatrit, filmit kanë marrë një goditje të madhe në ditën e parë të këtij viti.
Aktori i mirënjohur korçar Dhimitër Orgocka është ndarë nga jeta në moshën 84-vjeçare, mesditën e 1 janarit.
Orgocka ka lënë përgjithmonë, skenën e Teatrit dhe sheshxhirimet e filmave, pas një hemoragjie cerebrale dhe ndodhej prej së enjtes i shtruar në spital.
Aktori numëron qindra premiera që ka vënë në skenë në teatrot e Shqipërisë, Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut.
Ai gjithashtu numëron rreth 82 role, ndërsa ka qenë protagonist në filmat që kanë lënë gjurmë në kinematografinë shqiptare, si ‘Yjet e netëve të gjata’, ‘Horizonte të hapura’, ‘Përsëri pranverë’, ‘Pas gjurmëve’ e shumë të tjerë, transmeton ‘urbannews.al’.
Amaneti i fundit i aktorit, që ka lënë në intervistat mediatike është rregullimi i Pallatit të Kulturës në Maliq, që mban emrin e tij por në 2016 ai u dogj, dhe nuk u rregullua kurrë më.