Ky është qyteti ku njerëzit jetojnë nëntokë (Foto)

Një qytet i jashtëzakonshëm, ku gjithçka ndodhet nëntokë, nga kishat te kampingjet. Ndërsa bota gjithnjë e më shumë po vuan pasojat e ngrohjes globale, a mund të jetë ky qytet një shembull se e ardhmja jonë mund të jetë nëntokë?     

Në rrugën e gjatë drejt Australisë Qendrore, të shoqëron një peizazh krejtësisht i shkretë që ngjason me një hapësirë të pafundme.

Por, papritur, shfaqen disa ndërtime misterioze që ngjasojnë me piramida rëre. Këto janë shenjat e para të Coober Pedy, një qytet i minierave të opalit, me një popullsi prej rreth 2500 banorësh që jetojnë nëntokë.

Në këtë cep të botës, 60% e popullsisë jeton në shtëpi të ndërtuara në shkëmbinj ranor. Në disa lagje, shenjat e vetme se aty ka jetë janë boshtet e ventilimit që ngjiten nga nëntoka lart.

Në dimër, kjo mënyrë jetese mund të duket e çuditshme. Por në një ditë vere, Coober Pedy merr kuptim. Temperaturat janë aq ekstreme saqë zogjtë bien nga qielli dhe pajisjet elektronike duhet të ruhen në frigoriferë.

Coober Pedy nuk është vendbanimi i parë në botë, madje as më i madhi, nëntokësor. Njerëzit janë tërhequr nga nëntoka për të përballuar klimat sfiduese për mijëra vjet. Shembulli më i famshëm është Kapadokia në Turqi.

Rajoni ndodhet në një pllajë të thatë dhe është i famshëm për gjeologjinë mahnitëse, me një peizazh majash të skalitura shkëmbore.

Ashtu si në Coober Pedy, jeta nëntokësore i ndihmoi banorët e rajonit të përballen me klimën kontinentale, e cila luhatet midis verës së nxehtë, të thatë dhe dimrit të ftohtë e me dëborë.

Një zgjidhje efektive

Rruga për në Coober Pedy është krejt normale, plot restorante, bare, supermarkete e pika karburanti. Coober Pedy është komplet e kundërta… çdo gjë mbi sipërfaqe është e shkretë. Mirëpo sa më shumë të hysh nëpër tunelet nëntokësore aq më shumë ndihet jeta e vrullshme e banorëve të këtij vendbanimi.

Ndërtesat nëntokësore duhet të jenë të paktën katër metra të thella, për të parandaluar shembjen e çative të tyre dhe nën këtë sasi shkëmbinjsh, është gjithmonë një temperaturë e butë 23 gradë celsius. Ndërsa banorët mbi tokë duhet të durojnë verën e nxehtë, shtëpitë nëntokësore ruajnë një temperaturë perfekte gjatë gjithë dimrit.

Përveç rehatisë, një avantazh tjetër i jetesës nëntokësore janë paratë. Coober Pedy gjeneron të gjithë energjinë e tij elektrike – 70% e së cilës mundësohet nga era dhe dielli.

Gjatë një ankandi të fundit, një shtëpi mesatare me tri dhoma gjumi u shit për rreth 26.000 dollarë.

Megjithëse shumë nga këto prona janë jashtëzakonisht bazike ose kanë nevojë për rinovim, ka një hendek të madh midis çmimit të këtyre shtëpive dhe atyre në qytetin më të afërt, Adelaide, ku çmimi mesatar i shtëpisë është 457.000 dollarë.

Çuditërisht, stili i jetesës nëntokësore mund të sigurojë gjithashtu njëfarë mbrojtjeje kundër tërmeteve. “Ne kemi përjetuar dy tërmete që kur unë kam jetuar këtu dhe asgjë nuk ndodhi”, thotë një nga banorët.

Gjithashtu, një avantazh tjetër i këtij qyteti është se në të mund të kryesh punime shumë thjesht.

Shkëmbinjtë janë të butë dhe mund të gërvishten madje edhe me thonj. Ju mund të ndërtoni dhoma dhe hapësira të tjera në çdo formë që ju pëlqen, pa materiale shtesë.

Shumë vendas jetojnë në banesa luksoze me pishina nëntokësore, dhoma lojërash dhe banja të gjera. Një vendas e ka përshkruar madje shtëpinë e tij nëntokësore si “si një kështjellë”. /gazetatema.net

ObserverKult


Lexo edhe:

DIKUR STREHIM PËR 20 MIJË NJERËZ, KY ËSHTË QYTETI MË I MADH NËNTOKËSOR NË BOTË

I harruar dhe i rizbuluar rastësisht, një qytet i lashtë nëntokësor në Turqi me 18 nivele të pabesueshme nën tokë dhe me një sistem të mahnitshëm ajrimi dhe furnizimi me ujë, ka mundësuar strehim dhe jetë për rreth 20.000 njerëz.

Misteri mbetet tek fakti se kush e ka ndërtuar dhe kur e ka ndërtuar me saktësi. Në zonën turke Kapadokia, ka më shumë se 30 qytete nëntokësore. Ndërsa më i thelli ndër ta është Derinkuyu.

Kjo strukturë e mrekullueshme shtrihet 85 metra nën nivelin e tokës. Përbëhet nga 18 nivele me tunele të cilat formojnë një rrjet të lidhur.

Tekstin e plotë mund ta lexoni KËTU:

ObserverKult