Kur Ernest Heminguej provoi për herë të parë rendjen me demat, u dashurua me këtë festival të përvitshëm, për të cilin shkroi në librin e tij “Dhe dielli lind përsëri”, duke e bërë të njohur botërisht, traditën që vazhdon ende sot e kësaj dite
Nga Ernest Heminguej
Vrapimi me dema
Për nga largësia, vrapimi me demat në Pamplona është i shkurtër: vetëm 850 metra. Por, me gjashtë dema që peshojnë gjysmë toni dhe me brinjët e tyre që afrohen shpejt, vrapimi mund duket përjetësi. Një përjetësi tërheqëse, guximtare dhe ndonjëherë edhe tragjike.
Tradita e demave në këtë qytet verior të Spanjës, daton 400 vjet më parë dhe u bë e njohur botërisht, nga shkrimtari Ernest Heminguej, kur e bëri pjesë të romanit të viteve njëzetë: “Dhe dielli lind përsëri” – publikuar edhe nën titullin “Festivali”.
Sot, festivali i përvitshëm i Shën Ferminit është shumë i njohur për 200 mijë banorët e Pamplonas, shifër që trefishohet nga vizitorët gjatë ditëve të vrapimit. Festivali mbahet nga 7 deri më 14 korrik. Turistët, shumë prej tyre të rinj, mblidhen për të parë nga barrikadat ose ballkonet. Madje, shumë prej tyre e provojnë fatin me demat.
Disa vjet më parë, unë isha një ndër ta. Vrapova për të vetmen herë me demat dhe si shumica e atyre që ishin aty, nuk vrapova shumë larg.
Demat janë më të shpejtë dhe vrapuesit, tani më shumë se njëqind mijë vetë, madje edhe më tepër gjatë fundjavave.
Mbetur në kurth
E fillova pranë demave, në majë të Cuesta de Santo Domingo-s, kodrës nga ku merrej tatëpjeta për në vathën e demave, që më pas, zbriste në qendrën e qytetit.
Barrikadat prej druri në të djathtën time, ishin aq të populluara me vrapues të tjerë, saqë nuk mund as t’i afrohesha pikës së sigurisë. Për fat të mirë, demat vazhduan të ecnin drejt dhe nuk u kthyen në të djathtë, ku ndodhesha unë.
Të tjerë vazhduan edhe më gjatë atë ditë, së bashku me ta edhe miku im spanjoll, Chema. Ndoshta, se ai është nga një fshat fermerësh dhe di më shumë rreth demave. Por, për ata që nuk dinë mjaftueshëm, ka ndihmë.
Disa ditë më parë, një grup vrapuesish veteranë amerikanë, britanikë dhe spanjollë publikuan një libër elektronik: “Festivali: Si t’u mbijetosh demave të Pamplonas”. Kishin dhënë ndihmën e tyre Xhon Heminguej, nipi i shkrimtarit, Xhim Hollander, një fotograf izraelit që punonte për agjencinë europiane të fotografisë, i cili kishte fotografuar vrapimin për vite; dhe Aleksandër Fiske-Harrison, një britanik që kishte luftuar me demat.
Këshilla e tyre e përbashkët ishte që nëse rrëzoheshe teksa vrapoje, duhej të qëndroje shtrirë dhe të mos lëvizje, në këtë mënyrë demat do të kapërcenin.
Nuk e dija këtë rregull, kur vrapova
Me shumë gjasa, edhe të tjerë që ishin vrarë më parë, nuk e kishin ditur si rregull. Instinkti për t’u ngritur dhe për t’u larguar nga rruga, mund të vijë në një çast të vështirë, pikërisht kur ke pranë brirët e demave.
Ka pasur 15 viktima që kur filloi, në vitin 1924 – më e fundit në vitin 2009, kur një 27-vjeçar spanjoll u ça nga brirët, në qafë. Mijëra të tjerë janë lënduar, shpesh prej rrëzimeve, apo nga shtyrja e vrapuesve fanatikë.
Në tri ditët e para të vrapimit të këtij viti, 13 persona u dërguan në spital, tre prej plagëve nga brirët dhe pjesa tjetër, për dëmtime nga rrëzimet.
Nga këta, tre nuk ishin spanjollë, përfshirë një 32-vjeçar nga Çikago, i cili u ça nga brirët në kofshën e djathtë, një 23-vjeçar japonez dhe një 23-vjeçar tjetër, nga Britania.
Ambulancat dhe stafi mjekësor tani rreshtohen përgjatë trajektores së vrapimit dhe të dëmtuarit e kanë më të thjeshtë të marrin ndihmën e parë dhe pse jo, të operohen prej plagëve të brirëve të demave.
Kundërshtimi
Policia përpiqet ta bëjë vrapimin më të sigurt, duke pakësuar numrin e personave në rrugën ku do të kryhet vrapimi. Ajo gjithashtu ndalon pjesëmarrjen e atyre që janë të dehur, apo që mbajnë me vete objekte a kamera.
Megjithatë, disave nuk u pëlqen ky spektakël
Këtë vit, grupet që mbrojnë të drejtat e kafshëve planifikuan përsëri demonstrata duke dënuar vrapimin me dema dhe ndeshjen me dema ku kafshët vriteshin.
Fushata ishte e suksesshme në Barcelonë, ku Parlamenti rajonal katalan votoi në vitin 2010 për ndalimin e ndeshjeve me dema në atë rajon, por kundërshtimi i tyre nuk ka ndikuar në eventin e Pamplonas.
Festivali është një burim i pakonkurrueshëm të ardhurash për qytetin, një javë turistike që prodhon miliona dollarë dhe vrapimi i demave është vetëm një pjesë e vogël e tij.
Në qendër të qytetit të Pamplonas bëhen qindra koncerte, parada, kremtime fetare dhe aktivitete për fëmijë, ku marrin pjesë afërsisht 1.5 milionë njerëz. Tetë ditët kur vrapojnë 17,813 persona kanë pjesëmarrës të vazhdueshëm.
Që prej vrapit tim të shkurtër, jam rikthyer disa herë si korrespondent, për ngjarjen e madhe të Pamplonas.
Dhe një nga pyetjet e mia ka marrë një përgjigje intriguese: disa nga pjesëmarrësit e huaj, thonë se nuk kanë lexuar asgjë nga Hemingueji.
As edhe një libër të vetëm, aq më tepër romanin e Heminguejit, që e bëri të famshëm këtë qytet. E përsërisin këtë vazhdimisht përgjatë viteve nën hijen e statujës së Heminguejit, që rri krenare pranë vendit ku mbahet vrapimi.
Për disa, detajet e shkrimit të tij emocionues janë zhdukur. Por, vizitorët dinë diçka me siguri: Pamplona, është një vend ku duhet parë ky festival dhe vrapimi i rrezikshëm me demat.
Historia: Si lindi vrapimi me demat?
Vrapimi me demat është një praktikë që përfshin rendjen përpara një grupi të vogël demash, që lihen të lirë në një rrugë të caktuar të qytetit. Më i njohuri prej tyre, është festivali 8-ditor i Sanferminos, që mbahet për nder të Shën Ferminit, në Pamplona. Festivale të ngjashme mbahen në Spanjë, Portugali, Meksikë, Peru, Nevada dhe Francë.
Kjo praktikë ka ardhur prej nevojës së transportimit të demave nga vathët ku kalonin natën, në arenën ku do të vriteshin gjatë ditës. Të rinjtë u dilnin përpara, për të treguar guximin e tyre. Në Pamplona dhe vende të tjera, gjashtë demat që vrapojnë, do të jenë të ndeshjes me dema të pasdites.
Tradita spanjolle tregon se origjina e vërtetë e vrapimit filloi në verilindje të Spanjës gjatë shekullit 14. Teksa demat transportoheshin për t’u shitur në treg, burrat përpiqeshin ta përshpejtonin procesin, duke i nxitur me taktika të frikës dhe ekzaltimit.
Pas vitesh praktike, transportimi dhe nxitja u kthye në garë, teksa të rinjtë vraponin përpara demave dhe arrinin në vathët e tyre shëndoshë e mirë, më shpejt se ata. Kur popullariteti i kësaj praktike u përhap në shumë qytete të Spanjës, u bë tradita që vazhdon ende sot e kësaj dite.
Përpara se të nisë vrapimi, gjatë rrugës vendosen shumë barrikada, për të shënjuar drejtimin dhe mbrojtur pjesëmarrësit.
Vrapimi me dema i Pamplonas
Vrapimi me dema i Pamplonas, praktika më e njohur në Spanjë, është transmetuar drejpërdrejt nga televizioni publik spanjoll, prej më shumë se 30 vjetësh. Festivali i përvitshëm, zgjat tetë ditë, nga 6 deri më 14 korrik. Vrapimi i parë me dema, fillon më datë 7, në orën 8:00 të mëngjesit. Mes rregullave të vendosura për pjesëmarrjen, është: mosha mbi 18 vjeç, vrapimi në të njëjtin drejtim me demat dhe pa i ngacmuar kafshët. Po ashtu, pjesëmarrësit nuk duhet të jenë të dehur.
Në fillim, këndohet tri herë himni në gjuhën spanjolle dhe baske: “I kërkojmë Shën Ferminit, si padron i yni, të na udhëheqë në vrapimin me dema dhe të na japë bekimin e tij”. Vargu përmbyllës është “Rroftë Shën Fermini!”.
Shumica e vrapuesve vishen me kostumin tradicional të festivalit: një këmishë me një palë pantallona të bardha dhe një shall i kuq, i lidhur në qafë dhe në brez. Disa prej tyre, mbajnë një gazetë për të larguar vëmendjen e demave, nëse është e nevojshme.
Al Goodman, CNN– Konica.al
——————
Lexo edhe:
ERNEST HEMINGUEJ: EDHE UNË E KAM DASHUR SHUMË…
ObserverKult