La Ciudad Blanca, qyteti i humbur i thesareve përrallore

La Ciudad Blanca (Qyteti i Bardhë), është një qytet legjendar që thuhet të jetë fshehur diku në rajonin Moskitia në Honduras. Ngjashëm me El Doradon, La Ciudad Blanca, i njohur gjithashtu si Qyteti i Perëndisë Majmun, mendohet se përmban pasuri të pallogaritshme, dhe evropianët dëgjuan për herë të parë mbi këtë qytet nga konkuistadorët spanjollë.

Interesi mbi La Ciudad Blanca, u përhap në fillim të shekullit XX-të, kur disa njerëz dëshmuan ekzistencën e tij. Më i njohuri mes tyre, aventurieri Teodor Morde, pohoi se kishte gjetur qytetin e humbur në vitin 1940. Ai nuk i tregoi askujt vendndodhjen, çka vetëm sa i shtoi benzinë zjarrit të konspiracionit. Morde vdiq duke u vetëvrarë në rrethana të dyshimta.

Disa dekada më vonë, arkeologët zbuluan një vendbanim të pacënuar, që dikur kishte shtëpia e një qytetërimi ende të paidentifikuar. Ky sit arkeologjik u zbulua për herë të parë në vitin 2012 duke përdorur aparaturën LIDAR (gjurmimin përmes dritës dhe rrezeve), ndërsa gërmimet filluan vitin e ardhshëm. Tashmë janë nxjerrë dhjetëra objekte, të cilat datojnë ndërmjet viteve 1000 -1400 Pas Krishtit.

Arkeologët e tjerë e kanë kritikuar si sensacional mbulimin mediatik të zbulimit. Megjithatë, ekipi ka mbrojtur gjetjet e tij, duke specifikuar se ata nuk kanë pretenduar në asnjë rast se vendi është pikërisht La Ciudad Blanca apo qyteti i humbur, që pretendohej të qe zbuluar nga Morde. Në fakt, duket sikur ka të ngjarë të mos ketë patur një qytet të vetëm mistik në zemër të xhunglës në Honduras, por shumë vendbanime të tilla në të gjithë Moskitan, çka tenton të dëshmojë në diçka më shumë joshëse – një qytetërim të humbur para-kolombian./bota.al