Arbër Salihu, i njohur si La Fazani, me këngën “Oj Kosovë” është shpallur fitues i edicionit të parë të Festivalit të Këngës në RTK.
Çmimi është ndarë nga kryeministri Albin Kurti.
“Kaq shumë energji e bukuri për më shumë se dy orë, përjetim i paharrueshëm dhe përvojë e veçantë besoj për secilin prej nesh që ishte këtu”, ka thënë Kurti para se t’i jepte çmimin La Fazanit.
Vendin e dytë e ka zënë “Angus Dei” me “Një zemër për dy”.
Këtë çmim e ndau drejtori i përgjithshëm i RTK-së, Shkumbin Ahmetxhekaj.
“Ky është një çmim – kthim borxhi për të gjithë ata artistë që kanë marrë çmime nga Radio Televizioni i Shqipërisë”, ka thënë Ahmetxhekaj.
Albin Nikprelaj me këngën “Ajo” ka marrë çmimin e tretë të Festivalit të Këngës në RTK në edicionin e tij të parë. Çmimi iu nda nga tre prezantueset e tre netëve të festivalit, Edona Kasapolli, Anjeza Shahini dhe Edona Reshitaj.
La Fazan ka fituar edhe Çmimin e kryeqytetit. Çmimi artistit iu nda nga kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama.
“Mrekulli me qenë këtu në Sallën e Pallatit të Rinisë, e cila ka pësuar nga një zjarr i madh, e nga ai ka dalë një feniks i madh që e keni bërë ju bashkë me stafin e Pallatit të Rinisë dhe Komunës së Prishtinës. Dhe në kë festival kemi artistë të mrekullueshëm si La Fazani”, ka thënë Rama teksa ka ndarë çmimin.
“Ky çmim jepet sepse Prishtina është bërë me festival dhe drejtori i ‘Eurosong’-ut tha se një qytet është më i bukur kur bëhet me festival”, ka thënë Adi Krasta.
Saranda Alija me këngën “Mendoj ku je” është fituese e çmimit të Orkestrës. Ky çmim asaj iu dorëzua nga këngëtarja e njohur Shpresa Gashi.
Juria e festivalit ishte në përbërje të: këngëtares Alma Bektashi, piktores Zake Prelvukaj, kantautorit Alban Nimani, kompozitorit Adi Hila dhe këngëtares suedeze, Ulja Sjostrom.
ObserverKult