“La Traviata” ndez emocionet e Tiranës: katër net të jashtëzakonshme në TKOBAP

Teatri Kombëtar i Operës, Baletit dhe Ansamblit Popullor u kthye këto ditë në epiqendrën e artit dhe kulturës shqiptare, duke sjellë një nga kryeveprat më të dashura të Giuseppe Verdit, La Traviata. Për katër net me radhë, salla e madhe e TKOBAP ishte e mbushur plot e përplot me mbi 3200 artdashës, ku entuziazmi i publikut tejkaloi çdo parashikim.

Një produksion madhështor

Një sukses i ndërtuar mbi vizionin e mjeshtrit Hugo de Ana, regjisor i njohur ndërkombëtarisht, i cili solli në Tiranë një skenografi dhe kostumografi të mbushur me elegancë dhe simbolikë. Nën drejtimin muzikor të Maestros Francesco Ommassini, Orkestra Simfonike e TKOBAP dhuroi një interpretim të fuqishëm, që bashkoi delikatesën me pasionin që e karakterizon këtë vepër.

Kori i TKOBAP-së, përgatitur me mjeshtëri nga maestro Dritan Lumshi, si dhe baleti me koreografi nga Michele Cosentino, që i dha veprës dimension të ri vizual, e ngritën produksionin në një nivel të jashtëzakonshëm artistik.

Salla e mbushur, kërkesat e vazhdueshme për bileta deri në ditën e fundit, si dhe duartrokitjet e gjata në fund të çdo akti, janë dëshmia më e mirë e suksesit të “La Traviata”-s në Tiranë. Publiku përjetoi jo vetëm një opera, por një udhëtim të thellë emocional, nga gëzimi e dashuria tek sakrifica dhe tragjedia.

Një kapitull i ri për TKOBAP

Ky produksion shënon një tjetër gur themeli në historinë e TKOBAP, duke provuar edhe njëherë se teatri është i aftë të sjellë shfaqje që qëndrojnë në një nivel me skenat më prestigjioze ndërkombëtare. “La Traviata” jo vetëm që u mirëprit me sukses, por vulosi edhe një fillim të shkëlqyer të sezonit artistik.

ObserverKult


Lexo edhe:

DOSTOJEVSKI: JA PSE VEPRËN TUAJ DUHET TA SHIHNI ME SYRIN E SHKENCËTARIT…