Lamtumira me duartrokitje për aktoren Leze Qena

Jehona e tingujve të saksofonit kumbonte më shumë sesa që do të kumbonte në rrethana të tjera. Në qetësinë pllakosëse që ka mbërthyer Prishtinën, prejse institucionet shtetërore kanë kufizuar lëvizjet, heshtja sikur u mbante iso tingujve përballë fytyrave të pikëlluara të njerëzve.

Homazhet për aktoren që ndërroi jetë mëngjesin e së mërkurës në moshën 85-vjeçare, Leze Qena, ishin krejt të pazakonta.

Familjarë, miq e qytetarë të shumtë u mblodhën pasditen e së enjtes për t’ia dhënë lamtumirën e fundit aktores së dashur.

Qirinj e kurora lulesh të bardha janë vënë përballë një fotografie me përmasa të mëdha të Qenës, që kishte fiksuar buzagazin e saj të njohur prej zonje në moshë. Pa uturimë e gati pa u ndier, vetura e zezë e funeraleve zuri vend para shkallëve të Teatrit. Mbi arkivolin e bardhë, familjarët mes ngashërimit e mërzisë kanë vunë lule të bardha.

Pas tyre edhe ministrja në detyrë e Kulturës, Vlora Dumoshi. Nga ndërtesa e Qeverisë u pa të vinte edhe kryeministri në detyrë, Albin Kurti, bashkë me zëvendëskryeministrin Haki Abazi. Pasi vuri një kurorë lulesh e bëri një përkulje para fotografisë së aktores, ai ngushëlloi në distancë familjen Qena. Ndërsa tingujt e saksofonit përcillnin dhimbjen e të gjithëve, makina funerale mori me ngadalë drejt varrezave të qytetit në lagjen “Arbëria”.

Duartrokitjet e gjata ishin lamtumira e fundit e të pranishmëve për aktoren që kishte hyrë në botën e aktrimit qysh prej vitit 1954. Ministrja në detyrë e Kulturës, Vlora Dumoshi, ka thënë se rrethanat e pazakonta në përballje me pandeminë e virusit kanë bërë që përcjellja e fundit të bëhej në këtë mënyrë.

“Megjithatë, ne arritëm sado pak ta respektojmë dhe nderojmë aktoren tonë të madhe. Është vërtet humbje e madhe”, ka thënë Dumoshi .

Ndërsa ka premtuar angazhimin e institucioneve të kulturës për nderimin e njerëzve që dhanë shumë për kulturën, ajo ka bërë me dije se do të ketë organizime sapo të kalojë pandemia. “Uroj që ky virus të kalojë sa më shpejt dhe të organizohet ndonjë akademi apo çfarëdo që komuniteti artistik mendon se duhet të organizohet”, ka theksuar Dumoshi./Koha.net