Është përcjellë me duartrokitje për në banesën e fundit regjisori i njohur, Kristaq Dhamo i cili vdiq ditë më parë.
Kineastë, aktorë dhe studentë të dikurshëm e nderuan në homazhet e mbajtura pranë Akademisë së Arteve.
Vetëm pak ditë më parë, ai la porosi që filmi i tij i restauruar “Tana” të shfaqej ne Korçë ku është xhiruar.
Dhamo kujtohet si regjisori që zbuloi e punoi me emra të njohur të skenës. Ikonat e ekranit të madh e kujtojnë për anën njerëzore e profesionale.
Dhamo shprehte gjithnjë shqetësimin për kinemanë e ndjeshmërinë për filmat e xhiruar.
Ndonëse prodhimet e ish-Kinostudios kanë qasje të fortë ideologjike, ai ishte kundër ndalimit të tyre ndërsa theksonte se historia duhet respektuar e kritikuar. Dhamo që u nda nga jeta në moshën 89-vjeçare në një spital në Itali, pas një situate të vështirë shëndetësore ndërsa trupi u soll në atdhe me ndihmën e qeverisë, siç ishte amaneti i tij.
Dhamo ka qenë regjisor i filmave “Detyrë e posaçme”, “Tana”, “Brazdat, “Mëngjese lufte”, “Vitet e para” etj.
Si drejtues artistik i Kinostudios, mbahet mend nga artistët si protektiv dhe i kujdesshëm. Ai mban titujt Nderi i Kombit, Artist i merituar dhe artist i popullit./BalkanWeb
Lexo edhe: