Largimi nga kjo botë i një margaritari

U dëshpërova, se u largua një margaritar i madh e i çmuar i artit e kulturës tonë kombëtare.

Nga Tefta Cami

Ajo lindi si margaritar i çmuar! Jetoi e kontribuoi si një margaritar i rrallë, e papërsëritshme! Ndërroi jetë si një margaritar misionare e artit dhe kulturës tonë kombëtare.

Margaritën e kam ndjekur në shfaqjet që jepte Teatri Popullor, kur isha studente. Ajo në ato vite ishte pjesëmarrëse e Paradës së Modës dhe spektaklit “Miss Shqipëria”, me sa më kujtohet, këto dy aktivitetet e fundit vazhduan deri në vitet 1965. Aktivitetet e artit, kam pas fatin t’i ndjek në vitet, që kam qenë ministre e Arsimit dhe Kulturës, si dhe t’i njoh nga afër e gjatë shfaqjeve dhe veprimtarive krijuese të aktorëve e regjisorëve.

Qe me fat se jetoi e krijoi në një periudhë, që u bë misionare e artit dhe kulturës tonë kombëtare dhe i takon brezit të artistëve të shquar, që hodhën themelet e Teatrit Kombëtarë e të Kinematografisë Shqiptare, si dhe me talentin e përkushtimin e sakrificat e tyre të pafund, i rritën këto dy institucione kryesore të artit tonë kombëtarë, duke i shndërruar në kala të përjetshme e të paharruara!

E ndiera Margaritë i takon atij brezi pedagogësh, që ishin e mbeten brezi i kualifikuar fillestarë, që përgatitën për shumë vite dhjetëra e qindra aktorë e regjisorë të rinj dhe u takoi të hartojnë planet e programet dhe tekstet, si dhe metodikat e mësimdhënies të degëve të artit skenik e kinematografik shqiptarë.

Margarita si dhe brezi i saj i aktorëve dhe regjisorëve kanë mbjellë përjetësinë me vazhdimësinë e vënies në skenë të teatrove dhe të prodhimeve kinematografike, që t’i shërbejnë mëmëdheut dhe interesave të shqiptarëve!

E ndiera Margaritë e brezi i saj do të jenë të gjallë midis popullit shqiptarë, sepse do të mbeten modele dhe pika e qendra referencash për brezat e ardhshëm të artistëve!

U prehtë në paqe!

Tefta Cami

Tiranë, e enjte, 3 prill, 2025

ObserverKult