Largohuni nga bota virtuale, takohuni e duajeni njëri-tjetrin “live”

Largohuni nga virtualiteti

Jemi në shekullin e 21-të, kohë kur teknologjia ka kapur majat e ka zaptuar çdo gjë. Mund të thuash se ka ndërhyrë në çdo sjellje e në gjithfarë funksionesh njerëzore, duke zbehur konceptin dhe vetë jetën aktive sociale. Ka një gjuhë, dhe ajo kalon përmes teknologjisë. Dëmtuese deri aty sa të ndryshojë katërcipërisht komunikimin, të vetmen gjuhë ndërlidhëse të drejtpërdrejtë që na ka mbetur.

Nga Orjona Tresa

Gjithkund flet përmes komunikacionit si shkencë, ndërsa zhbëjmë njëherësh anën njerëzore. Kjo është ajo që më vret më shumë tek raportet në fjalë, se me komunikacionin elektronik nuk kam asgjë, të kuptohemi. Është një e mirë e pafund që të zgjidh punë në mënyrë të menjëhershme, dhe këtë të mirë ia vlerësojmë gjithashtu. Por vetëm për punë ama, se për të tjerat të merr lumi pastaj!

Dhe kur kthehemi te lidhja, e kam fjalën për kontaktin e drejtpërdrejtë, human, i cili ndodh të cenohet, pikërisht nga futja në mes e keqkuptimeve. Nis si një lojë, por shndërrohet në një valle ku të përfshin të gjithën. Sepse nga nevoja a dëshira për t’u vetëofruar në ide e gjykime, ndodh të lëshosh broçkulla e të ngatërrohesh, duke i prishur në fund punë vetes. Të gjithë priren të japin mendime gjithfarëlloj, të mos vënë në kandar peshën e fjalës, e të shkojnë deri aty sa të fyejnë e të prishin marrëdhënie delikate.

Kjo ndodh pikërisht sepse një gjë të tillë e lejon teknologjia e ftohtë dhe pa ndjenja, interneti, ofertat budallaqe, që pavarësisht se sa të shtrenjta janë krahasuar me perëndimin, na tutin si popull që të mos kursehemi.

Por sa vlerë ka e gjithë kjo, kur nuk gjen forcën që gjithë mllefin që ke me vete, të mos arrish t’ia thuash në sy atij që e meriton. Pse, a thua se marazi i përcjellë elektronikisht do të të lehtësojë shpirtërisht? Do të të zgjidhë ndonjë gjë? Përkundrazi, do të të fusë në një qerthull që gjithnjë e më shumë do të kesh nevojë të shfryhesh. Dhe e gjithë kjo nuk bën gjë tjetër, veçse të ngatërron mendërisht qëndrimet, e të nxjerr zbuluar në dhjetëra chat-e të tjera me të cilët mund të qash telashe po kaq të ngjashme sipas interesit që ju lidh. Sepse ndodh të ngatërrosh portat e të bësh lëmsh veten dhe palët. Dhe në fund, plot armiqësi, qejfmbetje, e deri marrëdhënie të këputura në mes. Ja kaq ishte! Çfarë fitove? Humbe një tjetër! Humbe dhe veten!

Njerëzit duket se nuk kanë më besim te kontakti i drejtpërdrejtë, të liria dhe e të thënit gjërave troç, ballë në sy. Ka një maskë që i pengon të jenë të vërtetë, gjë që pas teknologjisë duket se gjejnë më shumë besim. Ndodh që pas ekranit je i mbrojtur dhe gjen më shumë guxim të thuash ose të vërtetën e madhe, ose budallallëkun e radhës, atë që stepesh ta thuash në mënyrë të drejtpërdrejtë.

Por artificialja mbetet artificiale, dhe asnjëherë nuk ka për të përcjellë ndjesinë reale. E çfarë tregon e gjithë kjo? Mungesë lirie, dashurie. Reflekton ftohtësi njerëzore. Një mur që ngrihet pak nga pak, dhe kur të merr pamjen thua pse ndodhi? A mund ta heshtësh veten, dashurinë kështu? Por nuk mund ta shtosh as përmes kësaj gjetjeje të shkencës. Sepse nuk ka asnjë të vërtetë që të lidh. Është e shtirë. Betejë e humbur.

Të gjithë jemi përdorues interneti. Nuk i shpëtojmë dot. Ka një shpejtësi marramendëse dhe hipnotizuese që të përfshin.

Nuk ke ç’i bën. E gjithë bota kështu funksionon paralel. Tundim është, por shiheni mirë në kuptimin që bart, sepse dëmtoni veten. Ruajuni, largojuni teknologjisë kur vjen puna për marrëdhënien intime, dhe do të ndiheni më mirë pas kësaj./revistapsikologjia


Silvana Kola-Loka

Lexo edhe:

SILVANA KOLA-LOKA: DASHURIA MUND TË MËSOHET

Nga Silvana Kola-Loka

Po! Dashuria mund të mësohet.

Kur e kam thënë për herë të parë, shumë prej jush janë çuditur; të tjerë keni qenë mosbesues dhe disa prej jush (ndoshta) keni menduar “Këta psikologët nuk dinë ç’flasin ndonjë herë!”

Dashuria mund të mësohet; dashuria për veten mbi të gjitha.

Janë disa, momentet kyçe në të cilat ne mund të mësojmë të duam veten dhe, si rrjedhojë, edhe tjetrin.

Tekstin e plotë mund ta lexoni KËTU:

ObserverKult