“Laje ti moj goce, laje…” piktura e Bauernfield për gratë e Osumit

Kjo pikturë e Moritz Bauernfield e realizuar në vitin 1927 paraqet larjen e rrobave nga gratë e asaj kohe në lumin Osum.


Moritz Bauernfeind ishte piktor, grafist, ilustrator dhe karikaturist. Lindi në Vjenë në vitin 1870 dhe vdiq në Tirol në vitin1947.

Rridhte nga një familje e shtreses së lartë vjeneze. I ati ishte mjek por dhe piktor.

Bauernfield studioi në akademitë e arteve në Vjenë dhe Karlsruhe, Mynih dhe në Paris. Duke filluar nga viti 1900 ai punoi në Mynih ku edhe ekspozonte veprat e tij.

Pati disa udhëtime studimore në Itali dhe Angli.

Njihet si një ilustrues me famë ndërsa veprat e tij kanë zënë vend në muzeume në Gjermani dhe Austri.

Vizatimet e tij në të shpeshtën janë karikatura politike dhe satirë sociale. Por ka edhe mjaft grafika, kompozime dhe peisazhe impresioniste.

Gjatë vitit 1927 vizitoi Shqipërinë. Nuk kemi shumë të dhëna mbi rrethanat e ardhjes e tij në Shqipëri por vepra “Larja e rrobave në Lumin Osum” e realizuar në vitin 1927, është dëshmi se vizitoi Beratin.

Vepra pasqyron një traditë të vjetër në Berat, ku gratë bëheshin bashkë pranë lumit në një lloj ceremonie të larjes së rrobave.

Autori i ka pikturuar me mjaft elegancë gratë pranë Urës së Goricës, në kontrast me dritën e diellit. Është një vepër tipike impresioniste plot dritë dhe ngjyrë.

Mund të themi që është një vepër nga më të bukurat me motive nga Berati.

Përgatiti: ObserverKult

LEXO EDHE:

MISTERET E FSHEHURA NË PIKTURAT E FAMSHME