Shkupi po ndryshon, këtë e kam parë nga lexuesit. Këtij ndryshimi – që në vijim, do të vijnë të tjerë ta kultivojnë – i gëzohem personalisht, ngaqë i kam hedhur tharm edhe unë. Shkupi do të ketë librari, jo një por shumë të tjera. Për këtë jam i bindur. Dhe mbyllja s’është fare tragjike, por kushdo që e hap pa një koordinim me institucionet ose komunitetin e biznesit, mos ta bëjë. Kontributi im modest ndaj shoqërisë do të vazhdojë me intensitet të njëjtë
Nga Latif Mustafa
– Mirëdita! A jeni ju z. Latif?
– Po, unë jam. Urdhëroni!
– Jemi studentë. Kemi për të bërë një seminar mbi civilizimin grek dhe romak. A keni mundësi të na referoni për literaturë?
– Po! Nuk kemi shumë, por mund t’ua gjej disa libra. Prit, prit…Po ju, nuk keni libra në bibliotekën e universitetit për referencë?
– Jo, ne nuk kemi fare bibliotekë, – më thanë në qesëndi, një vajzë e një djalë, të dashur sa s’dihet, e që buzëqeshja u sillte një sharm tamam parajsor.
Unë me fuqitë dhe njohuritë e mia, ngaqë kam bërë një Master në “Studimet Qytetërimore”, i gjeta një sërë librash brenda rafteve të librarisë. Ata fillimisht i panë me dyshim, ngaqë shuma totale e këtyre librave ishte goxha e madhe. Disa libra ishin enciklopedikë.
– Ne s’kemi mundësi financiare t’i blejmë të gjitha këto, – më thanë të habitur e të zhgënjyer. Mua m’u prenë këmbët, më kapi një sëkëlldi dhe thash me vete: “Si s’kam mundësinë tua fal të gjitha”.
– Shihni! Unë mund t’ju dhuroj ndonjë libër, por besoni se vështirë po mbahemi, dhe s’kam mundësi t’ua fal të gjitha, – iu thash me keqardhjen time më të thellë, dhe seç më kaploi një përfytyrim ngaqë në shek. XXI, studenti shqiptar heq ende për libra. Si është e mundur kjo?!
– Jo, jo! Assesi! Nuk duam libra falas. Ne edhe po të merrnin njërin nga këta, s’do na bënte punë.
– Kam një propozim, – u thash – po deshët mund të punoni me orë e ditë të tëra për të nxjerrë referencat kryesore që juve ju ndihmojnë në seminarin tuaj. Madje mund t’i merrni librat, t’i fotokopjoni e shfrytëzoni, por t’i ktheni ama.
– Uh, kjo është si t’na japësh një botë të tërë, – më thanë ashtu vagëllimthi. Dhe s’po e kuptoja se përse! – Mund të punojmë këtu? – më pyeti djaloshi.
– Patjetër që po!Ja, edhe kafe do t’ju bëj, – qesha.
Me orë të tëra shfletuan materialet, fotografuan kapitujt dhe faqet për referencë. Kohë pas kohe merrnin edhe shënime. Në vete po ndjehesha mirë, sikur po ofroja një shërbim. Ndërkohë, nga ana tjetër isha totalisht i dëshpëruar, për arsyen se pse jemi në një gjendje të tillë.
– Mirëdita!
– Mirëdita!- ia ktheva.
Një njeri me fytyrë të regjur e të përvëluar nga brengat jetësore. Nuk dukej si tip librash. Në fakt e paragjykova. Zakonisht kërkojnë shërbim për fotokopje, meqë e kishte një dosje të bardhë në duar. Nga maska, nuk mund t’i i vëreja mozaikun e plotë të mimikës së fytyrës përpos syve.
– Urdhëroni zotëri!
– A e keni librin “Këshilla për jetën” të Schopenhauer-it? – më tha me një precizitet dhe siguri të plotë.
U habita pakëz. “Ç’ne ti me Schopenhauer-in!”mendova me vete.
– Po, e kemi.
– Po librin “Bota si vullnet dhe përfaqësim” të të njëjtit autor, a e keni? – më pyeti më tej.
– Po, e kemi. – I mora të dy, por s’munda të duroja pa e pyetur.
– Zotëri, për vete i merrni këto libra? Pse e lexoni Schopenhauer-in? Me se merreni? – i thash, ashtu paksa me xhelozi të përzier me habi, të them të drejtën.
– Unë? Unë punoj në higjienën komunale, – më tha pa asnjë hezitim. Por kam studiuar filozofi, – shtoi pasi u shpalos apaçik habia ime.
Seç më kaploi një ngrohtësi, e pezëm ndaj vetes dhe fateve të panjohura njerëzore. E përgëzova, e urova. Por tani, gëzimi im kishte eklipsuar çdo grimcë habie.
– Ej, ndoshta s’është e qëlluar që në këto kohëra të lexohet Schopenhauer-i, por ja kam vendosur, – më tha në formë shakaje.
– Jo, jo! Të gjithë filozofët që kanë pasur problem me gratë duhen lexuar. Për gëzim, ose për ngushëllim.
Qeshëm.
-Pra, ti e din seç’ka thënë Sokrati se kur njeriu bëhet filozof, – më tha duke qeshur fort. – Po “Filozofin e paditur” të Volterit e ke? – më pyeti
E mallkova veten që nuk e kisha, ngaqë do ia kisha dhënë për dhuratë.
Sa njerëz të urtë ka kjo botë! Njerëz, të cilët kanë pranuar gurin e tyre sizifian, dhe rrugëtimin e tyre drejt historisë e shohin si vullnet të çashtër pa iu kundërvënë jetës, por ama, pa hequr dorë në asnjë moment nga dija dhe rifreskimi i vetes me dituritë e vjetra. Jetë, o jetë!
– Mirëdita profesor – më përshëndetën tri vajza të bukura e të hareshme, por pakëz edhe të ndrojtura.
– Mirëdita vajza! Si mund t’ ju ndihmoj?
– Kemi ardhur për të blerë një libër, – më thanë ashtu me një shpoti dyshuese.
Tre veta për një libër?! Hajër qoftë!
– Mirë se keni ardhur! – qesha edhe unë.
– A e keni librin “Ditari i Ushkinit”? – foli njëra prej tyre.
– Ndonjë libër të Ukshin Hotit mbase.“Filozofinë”,…
– Jo, jo, nuk është filozofi… është ditar, – kërceu tjetra.
– Atëherë ju kërkoni librin “Bisedë midis hekurash”. Letrat e shkëmbyera të Ukshin Hotit dhe Kadaresë?
– Jo, prof! Nuk është shqiptar, pra! – ma ktheu e zhgënjyer e para.
Unë mendova një çast se për çfarë libri bëhej fjalë. Mirë se autor nuk është Ukshin Hoti këtë e kuptova, por çfarë kërkojnë këto vajza?!
– Aaaa…. Ju kërkoni “Ditari sekret” nga Pushkini, – këtë “i-në” e zgjata në formë qortuese, duke e ngritur vetullën e syrit të majtë… e t’mu dha një e qeshur, jo për Pushkinin, por si e kisha ngatërruar Pushkinin me Ukshinin.
-Të lutemi, mos qeshni!Po na skuqni edhe neve tani,-njëra u bë all e kuqe, e dy të tjerat ishin më të guximshme.
-Jo jo, pa merak!Po qesh me veten dhe Ukshinin. I respektoj shijet tuaja për Ukshinin e Pushkinin. Tani ky libër është shitur dhe s’ka mbetur asnjë kopje. Por ama, unë kam një kopje në shtëpi dhe për hatrin tuaj do ta sjell të hënën.
Ditën e hënë që në mëngjes, gjersa po shkonin në punë, lakuan në librari. Qeshëm me Ukshinin e Pushkinin dhe pasi morën edhe ca libra të tjerë, morën edhe “Sekretet e Pushkinit”.
***
Kaq shumë histori në librarinë “Nobel”. Në çdo libër të shitur kam ndonjë histori diskutimi ose qesëndie, dhe kjo më ka krijuar marrëdhënie të pavdekshme me lexuesin, marrëdhënie që i mbaj sot e kësaj dite. Libraria“Nobel” nuk ishte veç librari, por një klub lirie ku njerëzit vinin dhe shprehnin gëzimet e hidhërimet e tyre përmes titujve të librave, dhe domosdoshmërish futesh në një debat imagjinar midis titujsh, duke diskutuar, në fakt, jetët dhe zemrat e njerëzve. Absolutisht, për çdo libër kam një përvojë të veçantë, saqë mund të nxirret një roman i tërë tregimesh.
Më datë 25 janar 2022, kjo librari bën një vit të plotë. Gjatë këtij viti mora edhe lajmet më të kobshme për vdekjen e tre lexuesve të rregullt të librarisë. Luran Ahmetit, Anesa Sabedinit dhe, tash krejt e njomë, vdekja e Hajrullah Ramizit. Këto janë vdekjet më të rënda të shoqërive më të njoma që kam pasur në jetë. Të rënda, ngaqë libraria kishte një frymë imagjinare në shpalosjen e shpirtrave njerëzorë, dhe këta njerëz kishin shpalosur, në një formë apo tjetër, shpirtrat e tyre në këtë librari. Aty më vizitonin edhe fëmijët e lagjes së Serovës, që një natë më gjuajtën me topa bore, dhe të gjithë i ftova dhe i dhurova libra. Formuam grupet e librit dhe vazhduam me debate të librit. Përkundër protokolleve të pandemisë filluam edhe me promovime libri nga fusha e kritikës së filmit, romanit, filozofisë. Njerëz nga katër anët e botës e gjetën librarinë në hartë dhe erdhën për ta vizituar, nga SHBA e deri në Kinë. Më kujtohet dita kur erdhën dy amerikanë dhe panë një flamur amerikan, që ma kishte sjellë një mik shumë i çmuar nga ambasada. Atam’u drejtuan pa një pa dy:
– Ju me siguri shqiptar jeni.
– E nga e kuptuat? – ia ktheva. – Po veç shqiptari e mban lart flamurin amerikan në këto troje. U përqafuam, ashtu befshëm, e qeshëm e biseduam me ta, krejt natyrshëm.
Tanimë, të gjithë jeni njoftuar se libraria “Nobel” do të mbyllet. Gjegjësisht, do i kalojë një pronari tjetër si lokal. Këtë paralajmërim e ka bërë pronari i librarisë,teksa në Tetovë, ashtu siç ka vepruar me vite, do vazhdojë të veprojë. Një gjë duhet thënë qartë. Proceset progresive të një shoqërie nuk maten me hapjen dhe mbylljen e librarive. Mbase unë kam qenë një menaxher i dobët i saj dhe librin nuk arrita asnjëherë ta shoh si mall tregtar, por veç si një tubë letrash ku përmblidhen margaritarë njerëzorë, margaritarë që duhet të shëmbëllejnë dhe të çelen para zemrave të ndrydhura dhe kërkuese. Unë – më duhet ta pranoj – nuk isha shitës i mirë aq sa isha lexues i mirë. Madje, as diplomat i mirë për të siguruar çfarëdo mbështetje institucionale paçka se morëm premtime. Përkundër faktit që shumë nga miqtë e mi punojnë në organizata të ndryshme ndërkombëtare, unë asnjëherë s’mora guximin që t’u kërkoj ndihmë faktike. Veç për një arsye. Mos të zhgënjehem edhe një herë. Por kam ruajtur çdo miqësi dhe dinjitet ndaj secilit institucion, duke u mbështetur veç në fuqinë blerëse të qytetarit. Por ja që kjo nuk paska mjaftuar!
Megjithatë Shkupi ka lexues. Këtë më ka mësuar libraria. Shkupi madje ka lexues shumë të veçantë. Ka shkrues të mrekullueshëm dhe admirues të pakrahasueshëm libri. Madje jo vetëm Shkupi. Ne kemi pasur blerës të rregullt nga Kumanova e deri në Dibër. Kemi pasur dhurues të shumtë librash e vizita nga shkolla, miq dhe institucione. Nuk mund t’i harroj as deputetët të cilët kanë blerë libra me krah – gjë që është për t’u habitur. Aq më pak nuk mund të harroj shkencëtar si Izaimi, i cili nuk ndodhte asnjëherë të kalonte pranë librarisë e të mos merrte një krah libra. Përbri kësaj blerjeje ne diskutonin për Nietzsche e Foucalut, njeriun e vetëm që e njeh kaq mirë mitin dhe folklorin. Unë i besoj Shkupit. Këtë herë gabimi është i yni dhe jo i lexuesve. Libri është i shtrenjtë, por këtë çmim e përcakton Tirana dhe politikat e transportit, që i kemi diskutuar disa herë.
Shkupi po ndryshon, këtë e kam parë nga lexuesit. Këtij ndryshimi – që në vijim, do të vijnë të tjerë ta kultivojnë – i gëzohem personalisht, ngaqë i kam hedhur tharm edhe unë. Shkupi do të ketë librari, jo një por shumë të tjera. Për këtë jam i bindur. Dhe mbyllja s’është fare tragjike, por kushdo që e hap pa një koordinim me institucionet ose komunitetin e biznesit, mos ta bëjë. Kontributi im modest ndaj shoqërisë do të vazhdojë me intensitet të njëjtë. Gjithçka që na duhet, është empatia dhe durimi për ta lexuar njëri-tjetrin ashtu siç jemi, libra me mijëra faqe. Para se të lexojmë libra, t’i lexojmë zemrat njëri-tjetrit. Lamtumirë “Nobel”!
ObserverKult
Lexo edhe:
RREZIKON TRE VITE BURG, NOBELISTI ORHAN PAMUK AKUZOHET PËR FYERJE NDAJ TURQISË