Lazar Siljani për shqiptarët dhe gjuhën shqipe

Nga Salajdin Salihi

Në kohën kur për shqiptarët flitej si për një popull pa kulturë e histori dhe kur Shqipëria për shumëkënd ishte vend i panjohur, publicisti dhe përkthyesi Llazar Siljani punonte për lartësimin e kombit, gjuhës, kulturës dhe historisë shqiptare. Për këtë qëllim e botoi librin në bullgarisht Kush janë shqiptarët e sotëm dhe gjuha e tyre? (Sofje, 1910), ku e glorifikon racën shqiptare dhe gjuhën shqipe.

Llazar Siljani lindi në vitin 1878 në Krokornicë të Rekës. Pasi kreu disa klasë në Dibër, në gjuhën bullgare, e vazhdoi gjimnazin në Plovdiv. Anëtari i shoqatës shqiptare “Dëshira” të Sofjes botoi librat: Besa a fea e shqiptarëve të vjetër (Sofje, 1907); Kush janë shqiptarët e sotëm dhe gjuha e tyre (bullgarisht, Sofje, 1910); Afrimi i bullgarishtes së sotme me gjuhën shqipe (Sofje, 1911), ndërkaq në vitin 1902 e përktheu në bullgarisht veprën Besa nga Sami Frashëri.

Në vitin 1910, sipas profesor Avzi Mustafës, Siljani u angazhua për themelimin e një kishe shqiptare në Sofje, ku mesha do të mbahej në gjuhën shqipe dhe prej një prifti shqiptar. Kërkesa iu refuzua nga Sinodi i kishës bullgare. Siljani donte t’i kundërvihej përçarjes fetare, që e pamundësonte afrimin e shqiptarëve rreth idealit të përbashkët kombëtar.

Llazar Siljani në librin e tij shkruan për origjinën e shqiptarëve, për fenë e lashtë, për emrat e ditëve të javës, për origjinën e grekëve, për Epirin, Toskërinë, Maqedoninë, Ilirinë, për romakët dhe luftërat e Skënderbeut. Në libër ka vizatime të perëndive greke e romake, një fjalorth shqip – greqisht – latinisht – bullgarisht dhe disa fjalë të përbashkëta në gjuhën shqipe dhe bullgare.

Shqiptarët, sipas Siljanit, nuk i ngjanin askujt dhe “ishin pasardhës të drejtpërdrejtë të arianëve”.

Në kreun e parë (“Cilët janë banorët e parë të Gadishullit Ballkanit?”) ai shkruan se shqiptarët ishin ndër popujt më të vjetër të Ballkanit dhe pasardhës të pellazgëve e ilirëve.
Si pjesëtar i shkollës romantike, shumicën e fjalëve i nxjerr nga shqipja, sikurse: arian = ar-injë për arëbërës, bujk; Azi = nga zi; Memfis = mëmë; Faraon = far-e-jon; Pellg-as = pellazg; Epir = epër; Maqedonia = E Madheja; Arbanas = ar-bënës; Brigjës = brigje; Trakë = trashë; Mezi = mizë; Likur = lëkurë; I-ilir = të lirë; Besët (fis) = të besës; Argolida = Ark-lidha; Arkadia = Ark-di-ja; Korint = Korinjë; Megara = Me – gura; Elada = E – lidha; Lesbos = Leshbërës; Atria = At-ri-ja; Mikena = Mi-qeni; Arnica = për tokë e braktisur; Mikdon = miq-don; Mesena = Mes-anë; Shkarpanto = Shkarpa; Delos = Delës; Paros apo Parid = I pari; Lakonia = Lukë-nia; Tarenti = Të – rrënjët (më vonë, sipas autorit, këtë emër e mori edhe Tirana); Brindisi = Brinjës etj.

Në kreun e dytë (“Feja pellazgjike”) e mbron tezën se pellazgët ishin banorët e parë të Greqisë antike dhe themelues së fesë që quhej greke, kurse emrat e shumë perëndive dhe figurave mitologjike sërish i nxjerr me rrënjë nga gjuha shqipe, sikurse: Saturn = Shtynë, e shtunë; Zeus = Zot; Dios = Diell; Jupiter = Ju – At; Dodona = Do – dhëna (adhuroj); Nimfa = njih-fat; Hera = Her – ajri; Diana = Hana; Hekata = heq – shumë; Mars = Mi – armës; Temida = Të-lidha; Athina = E-thëna; Afrodita = Afron-dita, Aurora = afër-or; Plutos = Plotë-si; Pomena = Pemë-na; Tartar = Të ertëra; Pluton = Plak-on; Flegeona = Flagë-dhëna; Vullkani=Val-kan; Eoli = E-holl; Afrora = Afror; Aqulla = akull; Kupidoni = Kupi-dhen; Olimp = lum etj.

Në kreun e tretë (“Emrat e ditëve”) shënon ditët: e Diell, e Hanë, e Marsë, e Mërkurë, e Ente, e Premte, e Shtynë dhe shënon se pse quheshin kështu.

Në kreun e katërt (“Origjina e grekëve dhe historia e tyre”) autori e mbron tezën se gjuha homerike ishte gjuha shqipe. Duke iu referuar Pandeli Llazarit dhe Markut, dy mësues dhe njohës të greqishtes së vjetër, Siljani shpreh bindjen se “baza e gjuhës së vjetër greke ishte gjuha e Homerit, kurse gjuha homerike është shqipja e sotme” dhe pasi nga lufta e Trojës kishin kaluar nëntë shekuj, gjuha greke ishte larguar nga gjuha pellazge.

Homeri, sipas Siljanit, ishte poet i verbër dhe prej këtu rridhte emri i tij “I mjerë”. Edhe sot, shkruan ai, shqiptarët thonë: “Un’ i mejeri që s’shoh drit’”. Ose: “Hesh o i – mjer! Mos vajto!”.

Autori i nxjerr nga shqipja edhe disa emra personazhesh nga veprat e Homerit, sikurse: Helena = E – lënë; Paros apo Paris = I parë; Hektor = Heq – tor (udhëheqës) etj.

Në kreun e pestë (“Epiri dhe Toskëria”) vazhdon me të njëjtën qasje. Shkruan se deri në vitin 1529 p.e.s. ky vend ishte quajtur Peligasi (Pellazgu); se në luftën e Trojës epirotët luftuan përkrah grekëve, kurse më i njohuri ishte Akil këmbëshpejti; se Akil rridhte nga fjala Aq-i-lehtë; se këmbëshpejtë ishin quajtur trakët; se Gegëria ishte Iliri dhe Toskëria ishte Epir; se emri Pirro rridhte nga fjala burrë; Molosi nga malësor; Pela nga pjellë etj.

Në kreun e gjashtë (“E madhe – ja (Maqedonia) do të thotë e madhja”) jep të dhëna për perandorët maqedonas; shpreh mendimin se ishin paraardhës të shqiptarëve; se fjala “Maqedoni” vinte nga fjala shqipe “E madhja”; se Vardari rrjedh nga Bardhari; Veria nga Veriu; Erion nga Erëton; Elimia nga Luma, E-Lumës etj.

Në kreun e shtatë (“Iliria”) shkruan për perandorët e njohur ilirë. Sipas tij perandori i parë quhej Iliri, biri i të cilit kishte luftuar përkrah grekëve në luftën e Trojës. Më pas shkruan për Daunin, Bardhylin, Klitin, Glaukun, Agronin, Teutën etj.

Në kreun e tetë (“Romakët dhe shqiptarët”) shkruan për luftërat iliro – romake dhe zgjerohet te historia e mesjetës dhe luftërat e Skënderbeut.

Nuk dimë nëse Siljani e përfundoi dorëshkrimin e plotësuar. Këtë e premton në parathënien e librit. Thotë se në botimin e ardhshëm do të shkruante më gjerësisht edhe për jetën, organizimin shoqëror, të drejtën fisnore, traditat dhe kulturën shqiptare.

*Libri “Kush janë shqiptarët e sotëm dhe gjuha e tyre?”,  është botuar para disa ditësh edhe në gjuhën shqipe dhe është përkthyer nga Elvi Sidheri.