“Le Figaro” shkruan për Shqipërinë: Vendi i shqiponjave… duhet patjetër ta vizitoni!

Me 300 ditët e saj me diell në vit, ujërat bruz të detit Jon dhe ishujt e saj shkëmborë, Riviera Shqiptare është shtëpia e disa prej plazheve më të bukura në Evropë, shkruan Thibault Petit në të përditshmen franceze “Le Figaro”.

Një plejadë limanesh dhe ishujsh shkëmborë me ujëra bruz, duket si një pikturë e Van Gogh. Greqia, Italia?

Jo, një vend mesdhetar në zemër të Evropës: Shqipëria.

Vija bregdetare e saj nuk ka asgjë për t’u pasur zili nga vendet e tjera të Mesdheut.

Vendi i shqiponjave ndodhet në veri të Greqisë përballë Italisë. Në perëndim kufizohet nga detet Adriatik dhe Jon.

Moti? 300 ditë me diell në vit.

Në jug të vendit ndodhet një bregdet i mrekullueshëm me ujëra të kristalta, shkëmbinj dhe kodra të gjelbëruara, kjo është Riviera Shqiptare.

Vija bregdetare është e përbërë nga kështjella antike, kanione, limane dhe plazhe të izoluara.

Plazhet më të njohura apo trendi, shkëmbore apo të fshehura, ja cilat janë më të bukurat:

Plazhi i Porto Palermos, ishulli i thesarit

I parë nga lart, duket si një ishull thesari, i rrumbullakët dhe i rrethuar me ujëra të pastra kristal, me shkëmbinj, kodra – mes blusë dhe smeraldit të detin Jon.

Plazhi i Porto Palermos është i fshehur në një nga gjiret në jug të vendit.

Duket si një përrallë: ishulli është shtëpia e një kështjelle të lashtë në formë trekëndore dhe tre kullave gëlqerore.

Kështjella u ndërtua në vitin 1804 nga Ali Pasha, ish-guvernator i Perandorisë Osmane.

Sot, vendi ka ruajtur një thjeshtësi të caktuar: pa bare, pa shezlongë. Ju mund të notoni në rripin e ngushtë me rërë që lidh ishullin me tokën, në plazhin e Palermos.

Plazhi i Ksamilit, atmosferë greke

Përballë Plazhit të Ksamilit ngrihen si tym malet. Është Korfuzi, ishulli grek, më pak se pesë kilometra larg, në anën tjetër të detit.

Plazhi i Ksamilit ofron një atmosferë helene: kudo ka ishuj me ujëra blu në të gjitha nuancat e tyre.

Ksamili konsiderohet si resorti bregdetar më i bukur, me plazhe private, shezlongë dhe restorante.

Para disa vitesh këtë fshat e njihnin vetëm vendasit, të cilët vinin për t’u çlodhur në fundjavë. Sot Ksamili është shndërruar në një destinacion në trend.

Ju mund të vizitoni ishujt e shumtë duke notuar ose duke marrë me qira një varkë ose një skaf.

Plazhi i Gjipesë

Me të mbërritur këtu, ju do të keni ndjesinë sikur jeni në fund të botës.

Plazhi i Gjipesë është i izoluar, i fshehur pas një kanioni 800 metra të gjatë.

Ky vend është një nga plazhet më magjepsëse në Rivierën Shqiptare, me një sipërfaqe prej 400 metrash me guralecë dhe limane të vegjël të rrethuar nga shkëmbinj të lartë 50 metra.

Në jug të vendit ndodhet Himara, ku uji është më i pastër.

Kur deti përshkon murin shkëmbor dhe shpellat mbushen me shkumë kristalore, përpara jush do të shfaqet një spektakël.

Këto shpella mund të eksplorohen falë motit të ngrohtë dhe të favorshëm.

Parkoni në manastirin Shën Theodori midis qytetit të Iljasit dhe Dhërmiut, më pas ecni 2,5 kilometra deri në plazh. Ose merrni me qira një kajak në plazhin e Jalës aty pranë.

Gjiri i Gramës

Më shumë se 2000 vjet më parë, në kohët e lashta, lundruesit që udhëtonin përgjatë bregdetit ndaluan këtu, në Gjirin e Gramës.

Këtu mund të zbuloni mijëra gdhendje në greqishten e vjetër dhe latinisht në muret shkëmbore të këtij lokaliteti arkeologjik: Gjiri i Gramës, në Gadishullin e Karaburunit.

Shpellat janë një mister i këtij vendi idilik me ujërat bruz, guraleca të bardha dhe bimësi të dendur.

Me pak fjalë, të jep idenë e një Parajse: një restorant i vetëm, pa rrjet telefonik dhe akses i rezervuar për më të motivuarit.

Për të arritur në Gjirin e Gramës duhet të ecni 13 kilometra në një shteg bregdetar nga Palasa. Përndryshe, merrni një varkë nga Dhermiu dhe udhëtoni 40 minuta.

Shumë shpella mund të eksplorohen me varkë.

Plazhi i Llamanit

I vendosur mes dy gërmadhave shkëmbore, Plazhi i Llamanit ka një sipërfaqe prej 200 metrash me guralecë të imët.

I vogël në përmasa, plazhi i Llamanit nuk është më pak i popullarizuar. Shumë vizitorë marrin me qira çadra dhe shezlongë, shijojnë mbrëmjet me shkumë dhe muzikën elektronike në verë.

Gjithashtu ju do të keni mundësi të hapni peshqirin tuaj në shkëmbinjtë aty pranë dhe të zhyteni në ujin e pastër.

I vendosur pak kilometra larg Himarës, plazhi i Llamanit është gjithashtu një vend i famshëm për zhytje.

Plazhi i Dhërmiut

Nga Dhërmiu, një fshat i vendosur 200 metra mbi nivelin e detit në shpatin e malit, vija bregdetare shtrihet si një shirit i gjatë me nuanca blu.

Plazhi i Dhërmiut është një nga plazhet më të bukura të vendit me guralecë të imët që zënë një sipërfaqe prej më shumë se një kilometër, ujëra bruz dhe çadra me qira për rreth 10 euro.

Pak më në veri, ndodhet Plazhi i Drimadhës me rërë të imët, pyje pishe, limane të izoluar dhe gjire të fshehur.

/atagov.al

ObserverKult


Lexo edhe:

JA CILAT ISHIN PLAZHET E PREFERUARA TË SHQIPTARËVE PARA VITEVE ’90

Cilat kanë qenë plazhet e preferuara dhe si bënin shqiptarët pushimet para dhe pas viteve 50-të?

Nga Uvil Zajmi

Durrësi ai më kryesori, në tre muajt e verës, i frekuentuar nga aristokracia, pasanikët, por dhe nga vetë Mbreti Zog. Pastaj periudha e viteve 1960-‘70-‘80-të kanë qenë të veçanta për shqiptarët, individë apo familje që pëlqenin detin.

Në ato fillime plazhet ishin të pakta dhe Durrësi, Vlora, Saranda ishin ato më kryesorët. Shëngjini filloi të preferohej me vonë, si dhe Divjaka, ndërsa Dhërmiu, apo bregdeti jonian, ndonëse pëlqehej ishte i kufizuar nga udhëtimi i largët, i vështirë dhe mundësia e pakët për sistemim.

Tekstin e plotë mund ta lexoni KËTU:

ObserverKult