Le ta dëgjojmë fëmijën e ndryrë brenda zemrës sonë….

Nga Paolo Coelho:
    

     Nganjëherë jemi preja e një ndjesie trishtimi që nuk mbërrijmë ta kontrollojmë.
     Kuptojmë që çasti magjik i ditës ka kaluar dhe ne nuk kemi bërë asgjë. Jeta e fsheh magjinë dhe artin e vet.
     Duhet ta bëjmë të flasë fëmijën e dikurshëm që ende ekziston brenda nesh. Ky vogëlush është në gjendje t’i kuptojë momentet magjike. Ne dimë si ta mbysim të qarën e tij, por nuk dimë të bëjmë të heshtë zërin.
      Fëmija i dikurshëm është gjithmonë brenda nesh. Lum fëmijët, sepse e tyre është mbretëria e qiejve.
     Nëse nuk rilindim, nëse nuk arrijmë ta shohim jetën me pafajësinë dhe entuziazmin fëminor, jeta nuk ka kuptim.
     Ka shumë mënyra për t’u vetëvrarë. Ata që provojnë të asgjësojnë trupin e tyre, shkelin ligjin e Zotit. Por edhe ata që përpiqen të vrasin shpirtin, thyejnë ligjin hyjnor, edhe pse krimi i tyre është më pak i dukshëm për sytë e njeriut.
     Le të tregohemi të vëmendshëm ndaj asaj që thotë fëmija i ndryrë në zemrën tonë. Të mos kemi turp. Të mos e lëmë të ketë frikë, sepse ai vogëlush ndihet i vetmuar se ne nuk e dëgjojmë thuajse kurrë.
     Le t’ia lëmë atij për pak frerët e ekzistencës sonë. Ky fëmijë, e di mirë se çdo ditë është e ndryshme.
     Le të përpiqemi që ai ta ndiejë se e duam prapë. Le t’i japim gëzim duke u sjellë në mënyrë të pazakontë për ne, apo të dukemi të marrë në sytë e të tjerëve.
    Është mirë të kujtojmë që mençuria e njerëzve është marrëzi përpara Zotit. Nëse dëgjojmë fëmijën që kemi në shpirt, sytë tanë do të rigjejnë shkëlqimin. Dhe nëse nuk e humbim komunikimin me këtë fëmijë, ne nuk e humbim as lidhjen tonë me jetën.

*Shkëputur nga Paulo Coelho: “Buzë Lumit Piedra u ula dhe qava“, Toena, Tiranë, 2009

Përktheu: Durim Taçe

Përgatiti: ObserverKult