Ledi Shamku me shkrim prekës për Bahri Becin: Një lamtumirë që nuk do doja ta shkruaja…

bahri beci
Bahri Beci

Nga Ledi Shamku

I lamë pa kry do biseda, Bahri. I lam pa kry, por jo pa krye, se me ty shestimet dilnin shpesh në rrugë me krye, ndonëse të kandej mos me ja kryesu shtegun fjalëve, por me nigju.

“M’asht ba ves me mbajtë vesh. Me ndi ma s’shumti. Jam dialektolog oj Led” – më the njiherë te nji kafe e vockël ngjatë Lanës, pa shku n’Alidem, ku qemë ulë shpengushëm un, ti e Rita.

Gjuhësia ka me t’qenë detorëse jo veç për pasionin e punën (Kartoteka e Institutit të Gjuhësisë gëlon nga vjeljet e tua), po sidomos e sidomos për dinjitetin dhe t’folmen pa arra në gojë.

Janë do gjona që nuk do donim me i shkru. Ti kët libër tatin, e un kët lamtumirë me ty. Veçse njerëzit që kanë folë bashkë, kanë zhvillu kujtesën e tingujve.

E kur njëri nga bashkëbiseduesit befas mungon, kujtesa e shndërron fill atë në tingull zëri e fjalësh e ndjesish.

Ndoshta kujtesa e tingullit është mënyra që kanë gjetë njerëzit me qenë bashkë edhe kur s’janë më bashkë. Ti e dije ndoshta kët “sekret”, ndaj edhe zgjodhe me studju më së shumti tingujt e Shqipes së Folun lirshëm.

Lamtumirë, fonetikan Bahri Beci! Lamtumirë, dialektolog! Lamtumirë, sociolinguist! Gjithçka ishe, veç “akademiku” jo! Për fat nuk ishe, pavarësisht titujve që të mençmit pranojnë, për me e ndërru sistemin nga brenda.

Kam me t’kujtu e kam me t’përmend. Nji besim i lashtë thotë se njeriu rron si shpirt edhe në tokë e jo veç n’eter, rron në tokë thotë besimi për aq kohë sa të gjallët e kujtojnë dhe e përmendin.

T’qoftë e lehtë lëndina, t’buta të qofshin moti e stina!/ shqiptarja.com

ObserverKult


bahri beci

Lexo edhe:

U NDA NGA JETA GJUHËTARI I NJOHUR, BAHRI BECI

Është ndarë nga jeta gjuhëtari Bahri Beci, anëtar i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë dhe anëtar i jashtëm i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës.

Kryesia e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë njofton me hidhërim të thellë bashkësinë e shkencëtarëve albanologë, shqiptarë e të huaj; miqtë dhe kolegët e tij të shumtë brenda e jashtë vendit, për ndarjen nga jeta të akademikut Bahri Becit, personalitet me veprimtari të shumanshme në disa fusha të gjuhësisë shqiptare historike e bashkëkohore për më shumë se gjashtë dekada; autor i dhjetëra veprave monografike dhe studimore në fushën e dialektologjisë, të fonetikës, të gramatikës, të rrugës së formimit të shqipes së njësuar, të historisë së gjuhës shqipe dhe të statusit të saj në lidhjen gjuhësore ballkanike.

Tekstin e plotë mund ta lexoni KËTU:

ObserverKult