Gjuhëtarja Ledi Shamku-Shkreli rrëfen shqipërimin e librit “Gjuhët e Parajsës” së historianit Maurice Olender. Shamku sugjeron që libri mund të lexohet nga të gjithë ata që hedhin tezën për purizëm të shqipes, pasi sipas saj, kjo është teza më antikombëtare për gjuhën.
Gjuhëtarja Ledi Shamku Shkreli rrëfen shqipërimin e librit “Gjuhët e parajsës” së historianit Maurice Olender. Dy dekada pas takimit me autorin në një konferencë shkencore në Shqipëri mbi “Gjuhë e identitet kombëtar”, Shamku shpjegon arsyet se përse ky botim hedh dritë mbi aktualitetin politik të ligjërimeve tona gjuhësore. Historiani Maurice Olender gjurmon zhvillimet e katër shekujve përmes punës së J. G. Herder, Ernest Renan, Friedrich Max Müller, Adolphe Pictet, Rudolph Grau dhe Ignaz Goldziher.
“Në këtë libër merren në shqyrtim tre-katër shekujt e fundit të mendimit shkencor, sa i përket trekëndëshit gjuhë, histori, besim edhe identitet. Dihet që me shfaqjen e monoteizmit semitët kishin gjuhën e vet, besimin e vet monoteist. Arianët ishin popull që u krishtëruan vonë, kaluan një kohë të gjatë në politeizëm… Të kuptosh vërtetësinë është që të kuptosh se ç’lloj procesi është përdorur për të arritur deri aty. Nëse në gjuhën time gjej procese të ngjashme, kemi qenë fqinj, jo doemos gjeografik, por kulturor. Gjurmimi i këtyre përkatësive bëhet i rastësishëm, por bëhet i tmerrshëm nëse ndez një luftë midis arianëve edhe semitëve në tre shekujt e fundit, kush ishte i pari? Kush e shpërndau gjuhën e Zotit? Arianët kishin shpirtin kreativë edhe ushtarak, por jo aftësinë për t’u nënshtruar ndaj një Zoti të vetëm… E gjitha kjo është një përplasje shumë e fortë për të vendosur hegjemonin e një grushti të vogël njerëzish ndaj gjithë njerëzimit”, shprehet gjuhëtarja Ledi Shamku.
Ku ndodhej vallë Parajsa? Çfarë gjuhe është fol në Parajsë? A janë këto pyetje që shqetësojnë një gjuhëtar sot?
“Sot edhe kësaj dite unë as nuk e di edhe as nuk është e nevojshme ta dijë se ç’gjuhë është fol në Parajsë. Se di çfarë gjuhe ka fol Adami dhe Eva. Por me siguri e di se ç’gjuhë është fol në ferrë. Çdo mendim, që t’i shpallësh luftë kulturës së tjetrit, kjo lloj gjuhe sigurisht që flitet në ferrë. Për arsyen se është i vetmi që nuk bie pre ndaj këtij revanshi”, tregon Shamku.
Vendi i gjuhës shqipe për Shamkun tanimë është i qartë falë Franz Bopp, por tezat që hidhen për purizmin e saj, janë teza më antikombëtare momentalisht
“Sot kemi të gjithë qartësinë që është një gjuhë indoevropiane në trung të gjuhëve, që nuk ka pas bija, që nuk është shndërruar, po ka dhënë tre degët e veta të lëvrimit; gegë, toskë dhe arbëreshë. Por, që ka marrë e ka dhënë me gjuhët e tjera. Kjo shqetëson mendjen e ngushta, sepse kur gjuhëtarët vënë re huazime nga greqishtja, sllavishtja janë të kënaqur. Këto tregojnë zhvillim. Ndërsa, teza për purizmin dhe zhveshjen e shqipes dhe asnjë lloj marrje edhe dhënie me gjuhët përreth është teza më antikombëtare për gjuhën”, vijon Shamku./shqiptarja.com