Dy legjenda
Një bukuri magjepsëse nuk mund të shpëtonte dot pa një legjendë. Duhej të mveshej me pëlhurë magjike, të mitizohej, që të mund të përjetohej madhështia..
Është fjala për Kanionin e Osumit, rreth të cilit sillen disa legjenda, prej të cilave ObserverKult ua sjell dy, legjendën për “Vrimën e Nuses” dhe atë që lidhet me të shenjtin Abaz Aliu.
Legjenda e Nuses flet për fatin e një nuseje që po martohej pa dëshirën e saj, duke qenë e detyruar të zbatonte urdhërat e familjes e fisit që ia kishin gjetur burrin.
Pas një copë rruge, nusja u thotë krushqve se “po e çonin tek burri pa dëshirën e saj”, por ata as që e dëgjuan, ndaj ajo e mendoi vet planin e ikjes.
Duke iu lutur zotit, nusja i drejtohet shkëmbit të kanionit: “Hapu, o shkëmb që të shpëtoj nga sikleti që më ka zënë”. Dhe shkëmbi e dëgjoi, menjëherë hapi një vrimë, zgavër. Nusja u hodh nga kali dhe u fsheh në këtë vrimë.
Krushqit u kthyen në fshat pa të.
Më vonë kjo vrimë nisi të vizitohej nga nuse të reja që kërkonin të bëheshin me fëmijë.
Legjenda e dytë lidhet me format e çuditshme të krijuara nga karsti (tretja) e gëlqerorëve në ujë.
Këto forma janë të ngjashme me gjurmën e një kali dhe të një shkopi. Ato gjenden pranë fshatit Dhores, rreth 5 km larg qytetit të Çorovodës.
Legjenda i cilëson ato si gjurmët e shenjtit Abaz Aliu, i cili erdhi në Tomor nga Qerbelaja, hipur mbi kalin e tij të bardhë. Ai fluturoi dhe e la gjurmën e tij në dërrasën e Kajcës, nga ku përsëri fluturoi në malin e Tomorit.
Besimtarët bektashianë për të qetësuar shpirtin, kërkojnë ndihmën e gjurmës së shenjtit Abaz Aliu.
ObserverKult
———————
Lexo edhe:
Elbasan, legjenda e të dashuruarve që i dha emër Malit të Vashës