Nga Minella Aleksi
Një vepër arkitekturore si Teatri Kombëtar asnjëherë nuk ka qenë kauza e masave. Përse?
Teatri është momenti kur qenia njerëzore bëri hapin e madh drejt civilizimit, erdhi në skenën e shoqërisë njerëzore për të luajtur rolin e tij emancipues.
Nuk është kërkuar ndonjëherë zëri i popullit mbi arkitekturën e stacionit qendror të trenit në Paris, në Romë, në New York, dhe as në Tiranë gjithashtu, pale më të pyeteshin masat apo aktorët e historianët për teatrin kombëtar.
Në kohën e mbretërive ndërtimi i një ndërtese të denjë për teatër kombëtar ndërmerrej nga Institucioni mbretëror, ishte e drejtë e pashkruar në dokumentat themeltare të mbretërisë, as që mund të kalohej nëpër mend se duhej kërkuar mendimi i aktorve, i punonjësve të skenës, atyre të ndriçimit, madje nuk vendoste as kryetari i bashkisë së kryeqytetit.
Teatri kombëtar përfaqësonte madhështinë e kurorës mbretërore.
Dhe nuk mund të lihej në dëshirë të mendimit të masave. Në shoqërinë e tregut të lirë ndërtimi i një teatri nuk lihet as në dorë të ministrisë së kulturës.
Atë e ndërton Qeveria, e cila shpall konkurse, angazhon ekspertiza me specialistë të fushës, përzgjedh projektin më të mirë dhe menaxhon fondet e nevojshme.
Ndodhi me Operan e Sidneit. Filloi ndërtimi në 1959 dhe si pasojë e kundërshtive e pengesave financiare të Ministrit të Punëve Publike e miqve të tij, autori i projektit, arkitekti danez Jørn Utzon u largua në mënyrë demostrative më 1965. Projekti përfundoi më 1973 me këmbënguljen e Qeverisë.
Arkitekti amerikan Frank Gehry si kryetar i Jurisë së çmimit Pritzker, më të lartit të arkitekturës në vitin 2003 tha: “Jørn Utzon bëri një ndërtesë shumë përpara kohës së saj, shumë përpara teknologjisë së disponueshme… një ndërtesë që ndryshoi imazhin e të gjithë vendit.”
Shtëpia e re e operës së Vjenës nisi të ndërtohej pas një dekreti të perandorit mbi zgjerimin e qytetit të Vjenës. Dekreti fillonte me fjalët: “është urdhëri im” e inauguruar më 1869 në prezencë të perandorit Franz Joseph I dhe perandoreshës Elizabeth nuk i kënaqi fillimisht pritshmëritë e qytetarve vienez.
E vendosur pranë një ndërtese të madhe banimi, vjenezët pohuan se në atë ambient ajo nuk ishte mjaft monumentale dhe nuk përfaqësonte Vjenën si një qytet botëror të muzikës. Mjerisht, thellësisht i dëshpëruar arkitekti i saj Eduard van der Nüll bëri vetvrasje.
Arkitekti bashkëautor August Sicard von sicardsburg, vdiq mbas 78 ditësh. Sot, Opera e Vienës konsiderohet një kryevepër monumentale e arkitekturës vjeneze.
Teatri kombëtar ndërtohet si vepër arti, brenda tij luhet art, dhe më pas pjesa tjetër është histori. Çfarë përfaqsonte ndërtesa e teatrit në Tiranë?
Ndërtesa e Teatrit të kujtonte ndërtesat provizore që bënte shteti komunist në qytezat e reja industriale nëpër Shqipëri.
Ndërtime të përkohëshme ku mbas pune bëheshin aktivitete artistike, ndaheshin fletat e lavdërimit të të dalluarve në punë dhe zhvilloheshin mbrëmjet e vallzimit. Për kaq ishin, për zbavitje, asnjëherë nuk përmbanin e përçonin monumentalitet. Por ne shqiptarët, të parimit me forcat tona e adaptuam pafundësisht atë ndërtesë sipas parimit: të nxjerrim dhjam nga pleshti.
Ajo ndërtesë as nuk u mendua dhe as nuk u ndërtua për gjykatë edhe pse në të u bënë gjyqet e antikomunistëve. Çuditërisht asnjëherë nuk bëmë përpjekje që të konservoheshin si muze burgjet e komunizmit për historinë e errët që përfaqësuan.
Pra u përshtat nga nevoja. Nuk u ndërtua për Institut Kombëtar Historie, Por u adoptua nga nevoja si institut.
Sot nuk kemi Institut historie. Nuk u ndërtua as për Teatër Kombëtar, as për Institut i Lidhjes së shkrimtarëve e artistëve, por thjeshtë një ngrehinë prej pupuliti për zbavitje pas pune. Këtë duhet t’a kemi të qartë që të gjithë.
Nuk ka në botë teatër kombëtar me pishinë brenda ambientit të vet. U adoptua si “Buona per Albania”. Mikelanxhelo në jetëshkrimin e tij i thotë Papës: “Çfarëdo gjëje të mirë që ndërtojmë, përfundon duke na ndërtuar neve vet”. Prandaj ndërtesa e njëllojtë nga i njëti arkitekt me Teatrin tonë ishte prishur prej kohësh në Itali. Këtë e dokumenton edhe i ndjeri, esteti Jusuf Vrioni.
Ndërtesa prej pupuliti në Tiranë kishte paraqitje estetike por aspak strukturë madhështore.
Natyrisht standarti i arkitektit italian kërkonte që edhe pse një ndërtesë provizore për zbavitje pas pune të ishte diçka që estetikisht të paktën të ishte e pranueshme dhe e pëlqyeshme në përkohësinë e saj. Kaq respekt i detyrohej vetes. Pra ishte si diçka tranzitore, nga nevojat e çastit. Nuk ishte pjesë e një zone të studjuar për monumentalitet kryeqyteti.
Atë projekt madhështor Bosio e kishte konceptuar dhe zbatuar me ndërtesat monumentale në Bulevard.
Përndryshe nuk do e vendoste ndërtesën me pupulit jashtë dhe prapa syve të botës së bulevardit!
Ishin 2-3 arkitket dhe 2 historianë që folën disa herë dhe shkruan për konservimin e “Ndërtesës për Zbavitje”, por të linin përshtypjen se këmbëngulja e tyre ishte më shumë shprehje shpirtërore e një racionalizmi romantik profesional sesa koncepti profesional konservues sipas pricipeve të kategorive ndërtimore për atë qëllim. Konservimi i veprës së artit fokusohet në ruajtjen e veprës origjinale.
Ruajtja e veprave të artit përfshin pastrimin, riparimin dhe, shpesh, heqjen e përpjekjeve të vjetra të restaurimit.
Askush nuk thotë dot saktë, një Zot e di numrin e ndërhyrjeve riparuese, përforcuese të ambienteve të brendshme të saj, adaptimeve për nevojat e aktorëve etj etj,. Konservatorët janë të përkushtuar për t’u siguruar që arti të ruhet për brezat që do të vijnë dhe besojnë se pamja e veprës së artit, restaurimi vjen e dyta pas ruajtjes, konservimit të saj.
Një konservator punon pa u lodhur për të siguruar që pjesa origjinale të mbajë formën e saj origjinale dhe të mund të shijohet ashtu siç synonte artisti në krijimin e saj.
Shqetësimi kryesor i një konservuesi arti është të sigurojë që integriteti i pjesës origjinale të mbetet. Një pyetje e thjeshtë: A mund të konservohet për dekadat e ardhëshme një ndërtim me pupulit?.
Një ndërtesë që brenda 30 minutash ishte në tokë. Nuk e di sesa fadroma, sa eksploziv dhe sesa javë do duheshin për të rrafshuar ndërtesën monumentalë përpara ndërtesës prej pupuliti. Ndërsa historia e artit dokumentohet. Ka forma nga më të ndryshmet për të dokumentuar historinë. Për pasionantët konservues.
Arti përçon kumte te njerzit. Është përçimi i një vizioni estetik që shpreh kulturën e një populli. Sinqerisht mendoja se debati për teatrin, protestat, diskutimet me Institucionet do të ishin me estetikë artistike të denja për nivelin kulturor të supozuar të të përfshirëve në këtë ndërmarrje historike.
E gjithë fushata e tejzgjatur, e manipuluar, e shitur, e blerë, etj ishte një zhgënjim në ekstremin e kundërt estetik, për të mos përdorur fjalë tjetër të padenjë. Kauza e teatrit kishte interesa, nuk kishte pasion vetflijues.
Të kesh “Pasion” do të thotë të vuash, të flijohesh. Njeriu nuk mund të falsifikoj pasionin. Me artistët për teatrin kombëtar shqiptar kjo ndodhi.
Nuk u mbajt parasysh parimi se artisti nuk paguhet për punën që bën, paguhet për vizionin dhe pasionin për art. Me sa duket ne shqiptarët nuk jemi material i tillë njerëzor.
Komedia e luajtur nga njerëz që punonin në teatër, por dhe nga intelektualë përfshi analistë e gazetarë sharlatanë ishte aq groteske sa falsifikimi u bë i madh deri në neveri.
Turma nuk ka vizion, por krijon iluzion. Për mjetet e komunikimit qoftë fizik, qoftë shpirtëror popujt ushqehen me legjenda e mite, e kanë nevojë shpirtërore. Legjendat e mitet janë lojra të historisë për të shprehur raporte të jetës me të vërtetën, në emër të jetës dhe lartësimit të saj.
Legjenda e flijimit përçon te populli të cilit i përket një kumt. Mendoj se duhet të jesh dashnor pasionant i Estetikës sipërore për të qenë i denjë për vetflijim.
Nja dy artistë demostruan me fjalë se për kauzën e teatrit do rendnin pas pasionit të tyre deri në flijim. Është detyrë e shpirtit të jetë besnik ndaj dëshirave pasionante. Prandaj te kryeqytetasit ndonjëherë u ngjall një ndjenjë ankthi se për kauzën mund të shkohej deri në flijim.
Akoma më shumë kur si me qëllim ishte vendosur që shembja e pupulitit të bëhej natën. Mundësia për flijim ishte akoma më e mundëshme, pasionantët vetflijues mund t’u fshiheshin lehtësisht syve të policisë dhe të punëtorve shkatërrues. “Tragjedia” e teatrit nuk u luajt nën pluhurin dhe kartonat e pupulitit.
Humbi shanci, nuk kishte flijim. Nuk do të kishim legjendë flijimi për teatrin. Pas shfaqjes të gjithë u kthyen në shtëpi.
Teatri i ri ka nisur. Qeveria po e ndërton./gazetatema.net
ObserverKult
Lexo edhe:
NISIN PUNIMET PËR NDËRTIMIN E TEATRIT KOMBËTAR- JA ÇKA THA ERION VELIAJ
Kanë nisur punimet për ndërtimin e Teatrit të ri Kombëtar në Tiranë. I pranishëm në nisjen e këtyre punimeve ishte edhe kryetari i bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i cili u shpreh në fjalën e tij se kjo vepër do të ndërtohet me paratë e buxhetit dhe jo me partneritet.
Veliaj pohoi se Teatri i ri do të jetë një nga veprat më të bukura në rajonin tonë, ndërsa theksoi se për ndërtimin e tij janë dakordësuar shumica e aktorëve dhe arkitektëve, transmeton ‘lapsi.al’.
Tekstin e plotë mund ta lexoni KËTU:
ObserverKult