Disa prej të vetmëve fakte për të cilët ekspertët bien dakord në lidhje me Sfinskin e Madh të Gizës është se ajo është një prej statujave më të mëdha dhe më të lashta në botë dhe që ka trup luani dhe kokën e një faraoni egjiptian. Pjesa tjetër është e mbushur me spekulime dhe legjenda.
Një prej legjendave të thëna e rithëna për Sfinksin është ajo në lidhje me princin e Egjiptit, i njohur si Princi Tutmos. Gjyshi i princit ishte Tutmosi III, i cili e kish prejardhjen nga Mbretëresha Hatshepsut. Sipas legjendës, Ptinci Tutmos ishte i preferuari i babait, gjë që e bënte objekt të xhelozisë së madhe të vëllezërve dhe motrave. Disa madje komplotuan për ta vrarë. Për shkak të trazirës së madhe në jetën e tij personale, Tutmosi preferoi të qëndrojë larg shtëpisë dhe nisi të shpenzojë shumë kohë në Egjiptin e epërm dhe në shkretëtirë. Duke qenë një njeri i fortë dhe i aftë, ai shijonte shumë gjuetinë. Një ditë gjatë gjuetisë, Tutmosi la dy shërbëtorët e tij në nxehtësinë e ditës dhe shkoi të lutet pranë piramidave. U ndal para Sfinksit, që në ato ditë njihej si Harmakis – zoti i Diellit që lind. Statuja gjigande ishte e mbuluar me rërë deri në supe. Tutmosi i nguli sytë Sfinksit, duke u lutur që ai t’i largojë gjithë problemet. Krejt papritur, u duk se statuja e madhe erdhi në jetë dhe një zë i fortë u dëgjua nga brenda saj. Sfinksi i kërkoi Tutmosit ta çlironte nga pesha e rëndë e rërës që e mbante poshtë. Ndërkohë që fliste, sytë e Sfinksit u bënë kaq të shndritshëm, saqë Tutmosi nuk i përballoi dot dhe i ra të fikët.
Kur u zgjua, dita kish nisur të perëndonte. Tutmosi u ngrit ngadalë dhe më pas iu betua Sfinksit se nëse do të bëhej Faraon, ai do ta hiqte të gjithë rërën që e kish mbuluar dhe do ta përjetësonte këtë ngjarje në gur. Pikërisht këtë bëri. Siç e do legjenda, Tutmosi u bë sundimtar i ardhshëm i Egjiptit dhe i la pas problemet e tij. Kjo histori fitoi famë afro 150 vjet më parë kur një arkeolog pastroi rërën nga sfinksi dhe gjeti një tabletë guri mes putrave të tij, ku ishte shkruar historia e Princit Tutmos dhe betimi që ai i kish bërë Sfinksit të madh të Gizës./Horizonti.al