Çika që u martua me të vdekurin
Na ishin një plak dhe një plakë që kishin një çikë për hasret. Kujdeseshin shumë për të, e rrisnin për qejfi, e donin shumë.
Një ditë prej ditësh, kur çika po hante bukë te kroi, i ofrohet një zog dhe i thotë:
” Ah, moj çikë, ti ke me u martu me një njeri të vdekur. Dymbëdhjetë vjet do ta ruajsh te koka. Pas dymbëdhjetë vjetësh ke me e marrë për burrë. “
Çika u dëshprua shumë.
Dhe më interesantja, çdo ditë kur shkonte te kroi, i njëjti zog ia thoshte të njëjtat fjalë.
Dikur ju tregoi prindërve e ata të mjerët për ta shpëtuar nga ai fat i zi, mblodhën tesha e çka mundën, lëshuan shtëpinë dhe ia mësyen bashkë me çikën me ikë larg e më larg.
Duke ecë i zuri nata. Larg panë një shtëpi. Thirrën: ,,O i zoti i shpisë!” e krisën n’derë. U hap dera vet. Çika hyri e para. Dyert ishin të hekurit edhe u mbyllën përnjëherë. Çikën e zuri brenda e baba e nana mbetën përjashta.
Kur çka me pa. Një i vdekun, i shtrirë. Ashtu sikurse i kishte thënë zogu, rrinte pranë të vdekunit, se s’kishte ku të shkonte tjetër. Dyert e mbyllura, dritaret e mbylluna, s’kishte si të dilte jashtë.
Pikërisht në ditën që u bën dymbëdhjetë vjet, një dritë e fortë e ndriçoi dhomën. Ishte qu i vdekuni dhe çka me pa, ishte një djalë fort i hijshëm, pika e djalit. Madje kish qëllue edhe njeri me zemër fort t’mirë.
Kur e kuptoi historinë e çikës tha, kështu na paska shkru fatin ai i lumi Zot, dhe u martuan e jetuan të lumtur përgjithmonë.
*Kjo rrëfenjë tregohet në disa variante, në vise të ndryshme të Shqipërisë. Diku është e përfshier edhe një plakë magjistare e cila në momentin kur zgjohet djali, e vë çikën në gjumë dhe martohet vet me të ringjallurin. Tutje pastaj vazhdojnë vuajtjet e vajzës të cilën e detyron të bëhet shërbëtore, derisa kjo e fundit gjen disi mënyrën dhe i tregon të ringjallurit gjithë çka ndodhur, e vrasin plakën dhe martohen.
Ndërsa në një variant tjetër, atë të botuar në librin “Nga folklori ynë 1” të Anton Çettës, është e pranishme një “gabelicë”, e cila po ashtu tenton t’ia marrë burrin vajzës. Këta të fundit, pasi zbëthehet enigma e “gbelicën” e mbysin duke e djegur në zjarr.
Përgatiti: ObserverKult