Legjenda rrëqethëse për “Gurin e Qytetit” në Përmet: Nëna së bashku me foshnjën u hodhën nga ky gur

Përmeti është qytet në juglindje të Shqipërisë dhe qendër e njësisë administrative me të njëjtin emër Rrethi i Përmetit.

Në antikitet kjo zonë njohej me emrin Trifilia dhe qe pjesë e “Rajonit Melotid”. Sipas legjendës qyteti ka marrë këtë emër nga heroi i kohëve të lashta i quajtur Premt.

Karakterisitikë e qytetit është rritja e trëndafilave në lulishte dhe oborret e shtëpive të vjetra ndaj Përmeti, njihet ndryshe si Qyteti i Trëndafilave.

Guri i Qytetit

Guri i Qytetit ndodhet në qytetin e Përmetit, 250 metra mbi nivelin e detit. Ky gur konsiderohet si simboli i identitetit të qytetit, ai ka vlera shkencore (gjeologjike, gjeomorfologjike), didaktike, ekologjike dhe kulturore.

Pra, një ndër destinacionet më tërheqëse të qytetit të Përmetit është edhe “Guri i Qytetit”, një masiv shkëmbor anës lumit Vjosë, 42 metra i lartë dhe 650 metra katrorë.

Sipas gjeologëve “Guri i Qytetit” është shkëputur nga mali i Dhëmbelit pas një tërmeti, kurse legjenda tregon ndryshe.

Legjenda për “Gurin e Qytetit”

Sipas legjendës Kryezoti i krahinës Premti, që i dha emrin qytetit, kishte ndërtuar mbi Gurin e qytetit një kala. Sot kalaja është rrafshuar.

Kanë mbetur muret, dëshmi e legjendës. Ishte fundi i shekullit XIV kur ushtria e Sulltan Mehmetit pushtoi Janinën. Pas Janinës i erdhi radha Përmetit. Premti kishte vdekur dhe kryezot i qytetit ishte nipi i tij, Gjergji, i cili kishte një vajzë, Diestrën me foshnjë në gji.

Një natë turqit mbërritën në qytet. Kryezoti ishte jashtë tij. Në kështjellë ishte vetëm vajza. Turqit kërkuan çelësat e fortesës dhe dorëzimin e vajzës. Diestra mori në dorë djepin me djalin dhe u hodh nga maja e shkëmbit. Në rrëzë të “Gurit të Qytetit”, gjendet një gur i lëmuar ku u përplas Diestra. Mbi gur ka disa shenja: Dora e foshnjës ose vijat e djepit.

Pikë sinjalizimi

Mbi gurin e Përmetit ruhen rrënojat e një pike të lashtë me mjaft vlerë nga ana arkeologjike.

Fortifikimi, sipas arkeologëve, i përket shekujve IV – VI . Në rrëzë të shkëmbit ruhet edhe një trakt i periudhës antike, që nga teknika e përdorur përngjan me fortifikimet e shekullit të III para Krishtit e që ngrihen më tej edhe në luginën e Drinos. Sipërfaqja e shkëmbit ka dhuruar mjaft qeramikë që i përket antikitetit të vonë, por edhe mesjetës.

Sipas burimeve, ky fortifikim është përdorur si një pikë sinjalizimi për një garnizon ushtarak, i cili kishte nën kontroll luginën e Vjosës.

Duke shfrytëzuar vendosjen e gurit dhe lartësinë e tij, kjo pikë ishte thelbësore për sigurinë e të gjithë zonës. Muret janë izodomike, me blloqe gëlqerori në trajtë katërkëndëshe, faqet i kanë të latuara dhe ballin e rrafshët.

“Qyteti i trëndafilave”, siç njihet ndryshe qyteti i Përmetit, vitet e fundit vijon të jetë në qendër të udhëtimeve të turistëve të shumtë vendas e të huaj, të cilët kanë mundur të shijojnë dhe përjetojnë bukuritë e tij, si në turizmin kulturor, shëndetësor dhe atë ekologjik.

E përgatiti: A. S.- ObserverKult


Lexo edhe:

LEGJENDA POPULLORE: ÇKA BANI DJALI PËR CUCËN QË E DONTE…