Legjenda: Vajza që s’mund të ecte pas vizitës në këtë Kishë filloi të lëvizte

Kishëza e vogël e Marmiroit në Vlorë, me historinë e saj 9-shekullore përfaqëson një nga objektet më me vlerë të kultit në këtë zonë, njëkohësisht është edhe një ndër më të vjetrat në shkallë vendi.

Sipas gojëdhënave, dikur kjo kishë mbahej si një vend “i mirë”. Njerëzit vinin për të falur mëkatet, por edhe për të marrë bekimin. Ata madje vinin edhe për t’u shëruar nga sëmundje të ndryshme.

Të moshuarit tregojnë për një vajzë, shumë dekada më parë, e cila vuante nga një sëmundje që i kishte marrë këmbët. Prindërit e sollën në këtë kishë shumë herë, deri kur ajo nisi të lëvizë.

Kjo histori legjendë që tregohet brez pas brezi, shpalos vlerat dhe vendin që ka te besimtarët ky objekt kulti. Ndodhet disa kilometra pranë qytezës së Orikumit, në një kodrinë të vogël, e rrethuar nga një mjedis moçalor.

Kisha e Marmiroit është një monument i trashëgimisë kulturore.

Kisha është e tipit kryq ilire me kupolë. Pjesë të tjera të saj janë edhe narteksi dhe tamburi cilindrik. Ndoshta kjo kapelë ka shërbyer si model për ndërtimin e kishës së Manastirit të Shën Mërisë së Zvërnecit. Megjithatë, ajo përbëhet nga tri hyrje. Ato i korrespondojnë drejtimeve të veriut, jugut dhe perëndimit. Në anën lindore ndodhet absida e kishës, e cila ndriçohet nga një dritare e vogël.

Mendohet se ky objekt i përkiste dikur një manastiri të vogël.

Kjo tezë mbështetet në gjurmimet dhe studimet shumëvjeçare të Institutit te Monumenteve të kulturës në Tiranë. Sipas studiuesit Piro Thomo, karakteristikë e kishave në formë kryqi me kupolë është se ato ndeshen vetëm në manastire. Ndërsa nga mbikëqyrja e vendit vihet re se muret e narteksit dhe disa të tjera rreth kishës janë në gjendje të rrënuar. Nga to ruhen deri më sot mbetjet e një oxhaku, një dritareje dhe disa kamare të cilat menjëherë të krijojnë idenë se ato i përkisnin dikur veçse konakëve të një manastiri.

Kisha është e ndërtuar me gurë të papunuar, marrë nga shtrati i përroit aty pranë. Për portat dhe fasadat janë përdorur gurë të punuar, nga rrënojat e Orikut antik.

Midis gurëve janë vendosur me llaç edhe copëza tullash dhe tjegullash, duke e përzier teknikën e ndërtimit. Nuk ka dyshim që kisha është ndërtuar gjatë periudhës bizantine, diku rreth shekullit XII. Në vitin 1971 kur Instituti i Monumenteve të kulturës e mori nën kujdesin e tij këtë objekt, ai ndodhej në gjendje pothuajse të rrënuar. Nën drejtimin e Prof. Dr. Aleksandër Meksit kisha u rindërtua përsëri në formën dhe trajtat fillestare të saj.


E gjithë treva Erikua ose siç është quajtur trekëndëshi Dukat, Tragjas, Radhimë është një prej rajoneve që mbart në vetvete shumë vlera të karakterit kulturor, historik, etnografik, ekologjik, etj.

Ndërkohë që në veri të kishës ndodhet Baza ushtarake detare e Pashalimanit, laguna me të njëjtin emër dhe rrënojat e Orikut. Oriku antik u zhvillua gjatë shekullit VI p.k. Ai ishte një qytet që lindi si rrjedhojë e kolonizimit grek. Përmendet si shesh luftimesh midis romakevë gjatë luftrave civile, si qyteti i parë që u pushtua nga Çezari. Gjatë mesjetës, ai do të quhet me emrin Jeriko dhe funksionoi si qytet i vogël, i pajisur dhe me një port. Në shekullin e XV kur u pushtua nga turqit ai u quajt Pashaliman dhe u shndërrua në bazën kryesore të marinës turke në perëndim të Perandorisë.
Ndërkohë që disa kilometra më sipër ndodhet Dukati i ri, i lindur si rezultat i zbritjeve të banorëve nga Dukati i vjetër. Ky i fundit ndodhet në fund të luginës aty ku bashkohen malet e Çikës dhe Lungarës. Pikërisht këtu buron një përrua i rrëmbyer, i cili quhet nga vendasit lumi i Dukatit.

Pikërisht në këtë fshat kanë mbetur disa gjurmë krishtërimi. Siç është një lagje e tij dhe disa toponime. Të tilla janë: Qafa e Kishës, qafa e Shën Gjergjit, trapi i Shën Ndreut, Shën Dëlli, etj. Këto emra i përkasin disa prej kishave që kishte ky fshat në qendër dhe përreth tij. Këto objekte nuk ekzistojnë më, ndoshta ato janë braktisur, ashtu si dhe kisha e Marmiroit, në kohën kur treva në fjalë u islamizua në shumicën e saj, diku gjatë shekujve të fundit të pushtimit turk.

Kisha ndodhet shumë pranë detit. Në periudhën e verës dhe të pranverës, frekuentohet nga mjaft banorë të zonës dhe të rretheve të tjera të vendit. /konica.al

ObserverKult

_________________

Lexo edhe:

SHEMBET KISHA 700-VJEÇARE/ LEZHË, DËMTOHEN AFRESKE TË VJETRA TË KISHËS

ObserverKult